Todi Thanasi
Todi Thanasi

Në vitet e para të pas luftës, atëherë kur pak kush e kishte mendjen për shfaqje teatrore dhe jetë kulturore, disa të rinj durrsakë ngritën në këmbë grupet amatoriale të qytetit. Në moshë fare të re dhe pa asnjë eksperiencë në këtë fushë, po vetëm me dëshirën e mirë dhe pasionin për interpretimin aktorial apo të kënduarit, ata i dhanë jetë shumë shfaqjeve të vëna në atë kohë në skenë në ish-kinemanë “14 Nëntori”, sot pallati i kulturës.

Në vitet 47-52 u përgatitën 36 premiera shfaqjesh të ndryshme, ndërkohë që viti 1953 shënoi vitin e krijimit të trupës profesioniste të teatrit të Durrësit. Ndërmjet shumë të rinjve që në atë kohë nisën të personalizoheshin me rolet e dramaturgjisë shqiptare dhe asaj të huaj, kryesisht sovjetike dhe kineze, si Nikolin dhe Meropi Xhoja, Teodor Rupi, Spiro dhe Vera Urumi, Vangjel Heba, Lufti Hoxha etj. spikat edhe emri i Todi Thanasit.

I biri i tij, Gjergji, kur kujton rrëfimet e të atit për ato vite të para të angazhimeve skenike thotë se Todi i ishte futur rrugës së artit nga pasioni që kishte për të interpretuar pjesë të ndryshme letrare. Pastaj në ato vite artisti kishte një status të privilegjuar dhe të rinjtë e shihnin si një hobi që shumë shpejt u kthye në profesion.

Pas krijimit të trupës profesioniste aktorët amatorë nisën të arsimoheshin. Disa prej tyre u dërguan për studime në Bashkimin Sovjetik, ndërsa të tjerët ndoqën liceun artistik në Tiranë. Vetëm vite më vonë, pas hapjes së Institutit të Lartë të Arteve, artistët vazhduan studimet e larta në vendin tonë. Si një ndër të parët artistë të grupeve amatore, Todi u bë menjëherë pjesë e trupës profesioniste të teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Loading...

Me komedinë “Prefekti”, një nga pjesët më shumë të interpretuara të repertorit të grupeve amatoriale dhe më pas trupës profesioniste, Todi ka udhëtuar nëpër shumë kantiere ndërtimi, reparte ushtarake, kooperativa e hidrocentrale në mbarë vendin. Së bashku me mikun e tij, Nikolin Xhoja, që luante rolin e prefektit, Todi ka krijuar në këtë komedi një personazh shumë interesant, atë të shërbëtorit Lija duke krijuar kështu një dyshe që është duartrokitur kudo.

Ndërkohë nga adhuruesit e teatrit të atyre viteve, Todi kujtohet nga personazhi i Sokratit, emigrantit nga Amerika, në dramën “Mulliri i Kostë Bardhit”. Regjizor i kësaj pjese ka qenë i mirënjohuri Pandi Stillu, regjozori më i preferuar i Todit, siç rrëfen djali i tij Gjergji. “Todi ka ditur gjithnjë t’i përshtasë personazhet e pjesëve ku ka interpretuar me tiparet dhe psikologjinë e banorëve vendas.

Kjo ka qenë si të thuash një përthyerje mjaft mjeshtërore e shumë veprave të huaja, personazhet e të cilave mund të mbeteshin hermetikë, po të mos kalonin nën prizmin e nje adoptimi artistik drejt realitetit shqiptar”,- thotë gazetari Mark Brunga, që e ka njohur aktorin durrsak nga afër.

Pjesët teatrore

Në vitet ‘60 në teatrin e Durrësit u bënë investime mjaft të rëndësishme. U fut teknologjia gjermano lindore, aparaturat ishin mjaft cilësore, skena ishte e rrotullueshme, ndërkohë që një pjesë e mirë e trupës tashmë kishte mbaruar studimet jashtë vendit ose në Tiranë, kështu që dhe niveli i interpretimit artistik dhe ai regjizorial ishin përmirësuar ndjeshëm.

Megjithëse pjesa më e madhe e repertorit të teatrit përbëhej nga dramaturgjia sovjetike apo ajo kineze, nuk munguan të viheshin në skenë edhe vepra të Shekspirit, Molierit, Korneit, Millerit etj. Në ato vite, megjithëse niveli i indoktrinimit të popullatës drejt parimeve të marksizëm-leninizmit, diktaturës së proletariatit, luftës së klasave dhe recetave të revolucionit te madh kulturor kinez ishte shumë i lartë u realizuan shfaqje mjaft cilësore dhe publiku durrsak u njoh krahas veprave të autorëve sovjetikë apo kinezë edhe me disa nga pjesët më të mira të klasikëve botërorë.

Kjo gjë nuk vazhdoi për një kohë të gjatë pasi në vitin 1966 mbas kongresit të 5 të PPSh-së u spastrua repertori i teatrit nga drama e komedi të huaja me përjashtim të atyre kineze. Todi Thanasi ka interpretuar një numër të konsiderueshëm shfaqjesh teatrore të dramaturgëve sovjetikë apo atyre kinezë. Përmendim këtu pjesët “Ishulli i paqes”, komedia “Një ditë pushime”, dramat “Nderi i familjes”, “Era e lirë”, “Martesa e Gogolit”, rolin e shokut Pin në dramën “Brezi i ri” i autorit kinez Y Cen etj.

Në të njëjtën kohë ai ka interpretuar role të ndryshme në pjesët e dramaturgëve shqiptarë si “Dasma e madhe” e Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës në rolin e Vehapit, “Fejesa me ngatërresë” e Sami Vaqarrit, “Prapa lumenjve” me regji të Sokrat Mios, “U mbyt gjemia” me regji të Gjergj Vlashit etj. Krahas karrierës në teatrin profesionist të Durrësit Todi Thanasi ka interpretuar role të ndryshëm në disa nga prodhimet kinematografike të kinostudios “Shqipëria sot”. Këtu përmendim filmat “Vitet e para”, “Plagë të vjetra”, “Komisari i dritës”, “Balonat” etj.

Miqësia me Xhojën dhe Vlashin

Numri mjaft i madh i shfaqjeve teatrore qe viheshin në skenë i miqësonte aktorët e trupës që kalonin nën shoqërinë e njëri tjetrit shumë orë provash apo orë në udhëtim drejt kantiereve dhe ndërmarrjeve të atdheut socialist ku do të interpretonin shfaqjen e rradhës. Por miqësia e lindur në skenë vazhdonte edhe tej mureve dhe sallës së teatrit.

Megjithëse ishte i vogël në atë kohë, Gjergj Thanasi kujton takimet e shpeshta që i ati bënte me disa nga emrat më të njohur të skenës durrsake si aktorët Nikolin e Meropi Xhoja apo regjizorin Gjergj Vlashi. “Shpesh, për të evituar që unë të kuptoja se çfarë flisnin, ata nisnin të komunikonin në italisht apo rusisht dhe unë mërzitesha, sepse nuk i kuptoja ato gjuhë. Për të më marrë me të mirë më jepnin lekë të blija ëmbëlsira dhe ato takime shndërroheshin në mjaft pozitive për mua, pasi ngopesha me të ëmbla”,- kujton me shaka Gjergji.

Bisedat rreth teatrit dhe jo vetëm ishin të përhershme mes këtij grupi shoqëror që lidhjet e vendosura në skenë i kishin transferuar edhe në rrafshin njerëzor.

Thanasi si regjizor dhe dramaturg

Krahas interpretimit të shumë roleve në teatër, Thanasi është marrë edhe me regjizurën e pjesëve teatrale që janë vënë në skenë në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Kryesisht këto vepra kanë qenë të dramaturgëve sovjetikë, të vetmit që arrinin të çanin perden e hekurt të regjimit të kohës. Todi ka bërë regjinë e dramës “Invadimi” të autorit sovjetik L. Llomov, “Biri i humbur” i E. Ranet, etj.

Një vend të rëndësishëm në karrierën artistike të Thanasit zë edhe krijimtaria e tij letrare. Kështu biri i tij Gjergji, kujton se Todi ka shkruar dy drama: “Çika e Dukagjinit” dhe “Komandanti i guerrilëve”. Të dy dramat janë bazuar në jetën e dy personazheve mjaft të njohur për publikun e asaj kohe. Historia tragjike e Shkurte Pal Vatës, e cila humbi jetën në një kantier për ndërtimin e hekurudhës, e zënë përfund nga dheu, i shërbeu Todit si shtysë për të shkruar dramën e tij.

Ndërkohë figura e Vojo Kushit, heroizmi i të cilit ishte përjetësuar në shumë libra historie dhe vepra të ndryshme që flisnin për luftën nacional çlirimtare, shërbeu si personazh kryesor për dramën e dytë të shkruar nga artisti durrsak. Në vitet e fundit të jetës, kur vuante nga zemra ai u tërhoq nga interpretimi, por nuk u nda nga teatri.

Vazhdoi të punonte aty për mirëmbajtjen e arkivit të sa e sa veprave që ai dhe shumë kolegë të tij kishin interpretuar gjatë atyre viteve. Në shkurt të vitit 1982 ai u nda nga jeta duke lënë pas kujtimin e një njeriu dhe artisti që i dha shumë qytetit të tij.

Mark Brunga për T. Thanasin

Todi Thanasi ka qenë një aktor që është shuar shumë shpejt, por miqtë e tij e kanë vlerësuar së pari si njeri dinjitoz në marrëdhënie me njerëzit si dhe mjaft kërkues për rritjen e shkallës së aktrimit. Personazhet ai i realizonte duke studiuar me parë rolin në kontekst të vendit nga ishte me origjinë personazhi që do të interpretonte artistikisht, duke e përshtatur atë më pas me tiparet dhe psikologjinë e banorëve vendas. Kjo ka qënë si të thuash një përthyerje mjaft mjeshtërore e shumë veprave të huaja personazhet e të cilave mund të mbeteshin hermetike, po të mos kalonin nën prizmin e një adoptimi artistik drejt realitetit shqiptar. Ai të bënte për vete me lojën e tij njerëzore e plot kolorit. Mbaj mend kur është vënë në skenë vepra dramatike “Mulliri i Kostë Bardhit” i shkrimtarit Naum Prifti. Salla e teatrit “Aleksandër Moisiu”  ka qënë vazhdimisht plot, por ajo që ishte e veçantë ishte se spektatorët nuk ishin vetëm të moshës së aktoreve ose të moshës së mesme, por ajo ishte e mbushur nga plot të rinj. Madje jo vetëm gjimnazistë, por edhe të shkollave 8 vjeçare të asaj periudhe, të cilët rrinin mjaft urtë duke ndjekur si të hipnotizuar lojën aktoriale të një tresheje mjaft të njohur në atë periudhë: Todi Thanasi, Nikolin Xhoja dhe Teodor Rupi. Dialogët brilant në pastërtinë e zërit si dhe tekstet e ndërthurura me një kolorit të rrallë kanë bërë që kjo vepër, e interpretuar nga këta aktorë të kujtohet vazhdimisht. Tashti që të tre janë larguar nga jeta duket sikur përsëri nxjerrin njeri tjetrin nga humnerat e harresës, për të qënë të pranishëm me artin e bukur që i dhuruan banorëve të qytetit të tyre të dashur.

/portali DurresLajm/