migjeni
migjeni

Migjeni

Askush s’e njef Lulin.
As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin.
Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet, e Luli i shikon për hesap te vet.
Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli.

More Lul!
Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s’i thotë.
Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet.
Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë.

Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës.
Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe…shikon.
Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij.

Sa te bukura janë!
Si shkëlqejnë! – mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna.
Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja.
Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqejshin çizmet!!!
Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët.

– Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul?
Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis…
Ndoshta, ndoshta…
Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit.
Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit.

Por vjollca nuk ka.
Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin.
Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.