Tonin Tërshana: Festivali i 11, si u pezullua nga “lart” plani për të konkurruar në Festivalin Europian

Këngëtari Tonin Tërshana është një nga emrat më të vlerësuar në skenën e festivaleve të këngës në vendin tonë. Pjesëmarrës në 20 prej tyre, ai ka merituar një vend nderi për krijimtarinë që ka përcjellë para publikut. Që herën e parë që ngjitet në skenën e festivalit në RTSH më 1965, fiton çmim të parë me këngën “Të dua o det”, një këngë që sipas tij do ti hapte rrugën e bukur të krijimtarisë me këngën. Më pas me të tjera prezantime në festivale ai merr sërish çmime. Publiku i pëlqente këngët e kënduara nga ai, dhe ky vlerësim që në ato vite duket se vijon dhe sot, pasi këngët e kënduara nga Tonin Tërshana kanë mbetur të pavdekshme.

Për gazetën, në një rrëfim për jetën e tij artistike, këngëtari nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, pohon se ka kaluar jo pak vështirësi në karrierën e tij, por tregon se këngën e ka pasur pasion që në fëmijërinë e tij. Në intervistën dhënë për gazetën, ai kujton se si nisën fillimet me këngën kur ishte në qytetin e tij të lindjes, Shkodër. Shprehet se jeta me këngën dhe pse me shumë vështirësi, i ka dhuruar shumë momente të bukura dhe emocionuese. Sot këngëtari i njohur Tonin Tërshana jeton në Tiranë, është kthyer nga Greqia ku ka jetuar për 15 vite dhe tregon se ditët i kalon si pensionist.

Flet për familjen dhe ndjehet i lumtur që vajza e madhe Anila ka ndjekur rrugën e muzikës, por është shumë i kënaqur dhe me mbesat e tij që vijojnë po këtë rrugë. Por edhe pse ka vite që është larguar nga skena e festivaleve të këngës, pohon se e ndjek me shumë vëmendje këtë aktivitet muzikor, por sipas tij duhet punuar më shumë nga këngëtarët dhe kompozitorët që të ketë një krijimtari më me vlera muzikore. Tonin Tërshana këngëtari që me zërin e tij në këngë bëri për vete publikun, shprehet se sot ka më shumë mundësi për krijimtarinë artistike, dhe duhet të punohet më shumë për melodinë e këngës.

I larguar nga skena e festivalit më 1989, ai tregon se shkak për këtë largim ishte ndryshimi i shijeve në këngë. Pohon se e adhuron dhe sot e kësaj dite, këngët e para viteve ’90, ka nostalgji për këtë krijimtari që sipas tij ka qenë me vlera dhe prandaj ka mbetur dhe sot tek publiku. Në 20 festivale të këngës ka marrë katër çmime të para, duke u bërë një ndër emrat më me shumë trofe në skenën e festivaleve. Në intervistën dhënë për gazetën, ai rrëfen dhe jetën e tij për 15 vite që ka jetuar në Greqi, duke treguar se dhe pse ka qenë larg Shqipërisë i ndiqte me kuriozitet festivalet e këngës.

–Jeni një nga emrat e njohur të këngës së lehtë shqiptare. Me dekada në skenën e Festivaleve të Këngës në RTSH, sot pas kaq vitesh si i kujtoni fillimet e karrierës suaj?

Kam pasur dëshirë që i vogël të dëgjoj muzikë, dhe në familjen tonë muzika ka qenë shumë pranishme. Të dy motrat e mia kanë kënduar, si amatore, por kanë pasur zë për të kënduar, sidomos Kristina ka pas kënduar shumë bukur. Atë e ka vlerësuar dhe Tonin Harapi kur kanë bërë një operat në Shkodër. Duke dëgjuar dhe motrat që këndonin, ndoshta ky ka qenë dhe shkak që më futi në rrugën e këngës. Por unë kam pasur shumë dëshirë të dëgjoja dhe muzikën italiane, që kur isha fëmijë. Vite më pas, më ndihmuan dy komshinjtë e mi që i binin kitarës, Paç dhe Ndoc Martini.

Më dëgjonin kur këndoja në shtëpi gjithmonë, derisa një ditë më erdhën në shtëpi e më thanë, të të mësojmë ne këngë italiane? I mësova disa këngë për një periudhë të shkurtër gjatë viteve 1962-1963. Në atë kohë, unë isha 13 vjeç, Paçi i binte kitarës në turizëm dhe më morën të këndoj atje, dhe një natë këndova tri-katër këngë që kisha mësuar. Në vitin 1965 mu rekomandua që të vija në Estradën e Ushtarit. Mark Kaftalli, dirigjent i Orkestrës së Estradës së Shkodrës kompozoi për mua këngën “Kthjelltësi, lumturi”. Që prej këtej këndova për një periudhë kohe.

Në një rast takoj një oficer, i cili më tha kam biseduar me ata të Estradës së Tiranës dhe i kam thënë se sa bukur këndon, e ke rrugën e hapur të shkosh të punosh atje. Në fakt, unë nuk shkova shpejt pas kësaj bisede, por në gusht të 1965-ës ( isha 16 vjeç), shkoj në estradën ushtarake, por ata ishin nisur në turne. Mirëpo më thanë që një djalë nga Orkestra e Ushtrisë nuk kishte shkuar në turne, por i binte saksofonit në lulishten e Sahatit. Ky ishte Platon Mezini. E takova dhe më tha: Ti je ai djali i vogël që këndon në Shkodër? Do të na këndosh ndonjë këngë? Këndova 4-5 këngë. Që atë natë më erdhi përgjigjja për të kënduar në lokal.

Ishte shumë e vështirë për mua. Nuk kisha njeri në Tiranë. Një natë erdhi Ferdinand Deda në lulishte dhe më thirri në tavolinë. Mora komplimentet e rastit, që këndoja bukur dhe pastaj ai më tha: Nesër në mëngjes të vish te Radio Tirana. Atje takoj Abdullah Grimcin, Nikolla Zoraqin, Tonin Harapin, të cilët ishin të interesuar të më dëgjonin. Këndova dy këngë me Tonin Harapin. Ata më pëlqyen dhe më thanë që do të këndoja në anketën muzikore që atë shtator hapej për herë të parë në Radio Tirana. Ishte fundi i gushtit 1965, kur do të regjistroja këngën, që do të transmetohej në shtator. Mësova një këngë të Abdullah Grimcit, “Gjeologu”, ishte shtatori i 1956 dhe isha shumë i kënaqur që kënga ime doli në radio. Më pas ika në Shkodër, por Ferdinand Deda në kishte marrë adresën, dhe më vjen një lajmërim të paraqitesha në radio për në festival.

–Ju kishit interpretuar për anketën muzikore, por të merrnit pjesë në festival, si ishte për ju në ato vite?

Të merrje pjesë në festival ishte një gjë e madhe. Unë vij në Tiranë dhe u takova me Tonin Harapin, pasi më kishin caktuar këngën e tij “Të dua o det”. Pasi bëra provat për festivalin, u ktheva sërish në Shkodër sepse isha mërzitur, por më vijnë dhe më marrin sepse kisha këngën e Toninit. Kënga atë vit mori çmim të parë në festivalin e Këngës. Ky çmim i parë në festival me këngën “Të dua o det” më ka dhënë krahë për të vijuar në karrierë.

–Thatë që ky çmim në festivalin e 1965 ju hapi rrugën më pas drejt suksesit në festivale. Por disa festivale më pas ju nuk morët pjesë. Pse?

Në Festivalin e 5 të Këngës në RTSH më 1966 më caktuan në festival, por unë kisha qejf të këndoja dhe këngë italiane kur isha në godinën e radios. Një ditë vjen ministri i Kulturës dhe pyet se si isha unë, i thonë mirë, por njëri i thotë që kisha qejf të këndoja këngë italiane. Direkt të nesërmen unë nisem për në Shkodër dhe unë nuk këndova në festival. Nga ky festival unë nuk mora më pjesë deri në festivalin e tetë, megjithëse kisha qenë 16 vjeç kur kisha fituar çmim të parë.

–Më pas, në vijim të karrierës suaj ju u ngjitët në skenën e Festivalit të 11. Dihet fati i atij festivali, por çfarë kujtoni nga ajo kohë ku ju u vlerësuat me çmim të parë?

Me mua si këngëtar nuk ndodhi asgjë pas atij festivali. Unë këndova këngën “Kur vjen pranvera”, kompozuar nga Pjetër Gaci. Unë vazhdova karrierën në ushtri. Në festivalin e 12 nuk mora pjesë. U riktheva sërish në festivalin e 13 në skenë. Kam marrë disa çmime në festivale, dhe më vjen mirë nga kjo, këngët e mia janë vlerësuar.

–Në 20 festivale keni qenë në skenën e këngës. Cili ka qenë më i veçanti?

Mendoj se është festivali që unë kam filluar të këndoj, Festivali i 4 i Këngës më 1965. Pasi fitova çmimin e parë me këngën “Të dua o det”, ky ka qenë festivali që siç ju thashë më hapi rrugën me këngën.

-Pse u shkëputët nga festivali në vitin 1989, duke qenë dhe viti i fundit që ju ishit konkurrent?

Në atë kohë filloi të ndihej se po ndryshonte shija. Kisha dëshirë të këndoja si dija unë, por shija po ndryshonte në këngë, po ndihej se po ndryshonte dhe koha dhe duket se dhe kjo ndikoi në shijet muzikore. Unë në festival shkoja dhe të fitoja dhe jo të këndoja kot. Po e shikoja veten që nuk po mundja të konkurroja me ardhjen e shijeve të tilla në muzikë, dhe kështu u tërhoqa nga festivali.

–Paralelisht me këngët në skenën e festivaleve, ju ishit dhe me Estradën e Ushtrisë. Si ka qenë për ju kjo kohë?

Me ushtrinë e kam kaluar shumë mirë, edhe pse ka pasur vështirësi. Kur shkonim për ture, jepnin shfaqje dhe në shi e dëborë jashtë, pasi kishte reparte ushtrie që nuk kishte salla për të dhënë shfaqje. Por me moshë këto kalohen dhe nuk njihen si vështirësi.

–Për këngën “Kur vjen pranvera” fituese e Festivalit të 11 më 1972, është pohuar se mund të shkonte dhe në Festivalin Europian në atë kohë. Çfarë dini për këtë?

Po është e vërtetë. Këtë gjë e mora vesh nga kompozitori i këngës Pjetër Gaci, që më tha: Tonin, bëhu gati se do të shkojmë në Festivalin Europian. Festivali në Tiranë u bë më 1972 dhe ne në mars të 1973 do të shkonim në evropianin që bëhej në Mynih të Gjermanisë. Në rast se nuk do të ishte dënuar ai festival në Tiranë, sigurisht që ne do të ishim dhe në Festivalin Europian. Ka pasur një liberalizëm të muzikës atë kohë dhe tek ne, por më pas dihet çfarë ndodhi në festival. Kënga në Gjermani do të këndohej në gjuhën shqipe atë kohë.

–Për shumë vite ju keni jetuar në Greqi. Pse u larguat nga Shqipëria?

Kam jetuar 15 vjet në Greqi. U largova sepse të tilla ishin dhe kushtet në Shqipëri, vështirësitë ekonomike gjatë atyre viteve. Në Greqi kam punuar në punë të ndryshme, ndërtim, etj, dhe vetëm për të nxjerrë lekët. Në Greqi u mësova të punoja për shkak të hallit, më vonë edhe gruaja hyri në punë dhe gjendja u stabilizua. Në Greqi ika pasi humba shtëpinë në Tiranë, për shkak të firmave piramidale. Por dhe në Greqi e kam ndjekur festivalin e këngës, isha më shumë kurioz.

–Po sot kënga e lehtë shqiptare, sipas jush si vjen ajo tek publiku?

Koha evoluon dhe ka shumë ndryshime. Por ajo që shikoj është se sot në festivalet e këngës ka rënë në mënyrë të ndjeshme kompozimi i melodisë, i këngës, apo dhe tekstet. Kjo natyrë këngësh të lehta që vjen sot mua nuk më pëlqen shumë. Më pëlqen më shumë ajo nostalgjia e viteve tona, sepse këngëtarët ato vite këndonin shumë ëmbël, shumë bukur. Unë dëgjoj këngët që vijnë në festivale sot, por asnjë prej tyre nuk më ngjit. Në kohën tonë, nga secili festival kishte 4-5 këngë që mbeteshin dhe këndoheshin nga të gjithë më pas.

–A kemi sot zëra si dikur?

Sigurisht që ka zëra të bukur dhe sot. Kjo nuk diskutohet, por duhet më shumë vëmendje ndaj këngës.

-Por këngët që këndohen sot harrohen, ndërsa në vitet kur brezi juaj ishte në skenë këngët kanë mbetur të pavdekshme?

Kjo ka të bëjë me atë që ju thashë pak më lart, harrohen sepse mungon melodia. Në vitet tona kërkohej shumë krijimtaria e mbështetur në tabanin kombëtar, por sot kjo nuk kërkohet shumë. Por jo vetëm që mungon melodia, por sot ka dhe këngë që nuk janë në festivale dhe që shihen si biznes, bëhen vetëm për vlera komerciale. Për shkak të komercialitetit po harrohen dhe vlerat artistike, ka dhe këngë që kanë mbetur tek publiku, por e përgjithshmja ka probleme.

–Shumë kompozitorë dhe këngëtarë të njohur i janë larguar skenës?

Janë larguar sepse ka ato probleme që përmenda më lart. Megjithëse ka dhe krijimtari të bukur në festivale, duket që ka dhe interesa komerciale për këngët se sa shijes së këngës. Duket qenë se dhe ka probleme me shijen e këngëve, ata më mirë tërhiqen se sa të dalin kot në skenën e festivalit. Unë kam bashkëpunuar shumë me Pjetër Gacin, dhe kur e bënte këngën ai, edhe pse nuk ishte poet, e shikonte vetë tekstin e këngës. Teksti i këngës duhet të ketë fabulën, të ketë mendimin.

–Skena e disa festivaleve të këngës ka qenë dhe me interpretim playback. E pranon këtë festivali Çfarë mendoni për këtë interpretim?

Nuk mund të flitet për interpretim playback në skenën e festivalit të këngës. Këngëtari duhet të jetë vetëm live në skenë, ka më shumë emocione dhe me playback nuk jepen këto emocione.

–Ka pengje në jetën artistike të Tonin Tërshanës?

Pengu im në jetën artistike, nuk jam i ri sot. Ky është pengu më i madh. Ka ardhur kohë e bukur për rininë.

–Herë pas here jeni i ftuar në skenën e festivalit me krijimtarinë e regjistruar gjatë atyre viteve. Mendoni se sot mund të këndoni një këngë e re?

Nuk e di. Nëse mund të jetë një krijim me atë shije që më pëlqen mua edhe mund të këndoj një këngë të re për publikun në skenën e një koncerti, por jo për të qenë konkurrent në festival. Por nuk i dihet.

–Çfarë ndjeni sot kur dëgjoni këngët tuaja? Shumë emocione, më kujtohen ato vite kur unë isha në skenë. U kënaqa kur këndoi Lius Ejlli në festival një këngë timen, por ashtu bukur e këndoi këngën time dhe Sidrit Bejleri, etj.

–Po fëmijët tuaj, sa e kanë ndjekur rrugën e këngës?

Vajza e madhe Anila ka mbaruar studimet për kanto në Tiranë dhe tre vjet studimet pasuniversitare në Selanik, ku këndon në opera. Ajo ka dy vajza, Elisa dhe Kristina, ku njëra studion piano dhe tjetra violinë. Me Anilën kam kënduar dhe në duet.

–Sot jeni 63 vjeç, si janë ditët për Tonin Tërshanën? Jetoj në Tiranë. E kaloj ditën si pensionist.

-Ndjeheni i vlerësuar nga shteti?

Jam i vlerësuar nga shteti, kam marrë tituj, por nuk më është aprovuar pension i veçantë.

–Një mesazh nga ju për këngëtarët dhe kompozitorët e rinj?

Sot ka këngëtarë me shumicë, por si këngëtarët dhe kompozitorët duhet ti japin më shumë vlerë fjalëve dhe tekstit të këngës, melodisë. 

Intervistoi: Julia Vrapi

Burimi: AktoretShqiptare.info