Bora po ikte me shpejtësi nga Tirana. Poshtë pallatit të Kadaresë djemtë e Broduejit, të egër si ujq, sa shihnin ndonjë vajzë që kalonte përballë në anë të Mapos lëshonin topat e squllur të borës me gur brenda që po të binin në kokë të lindin në vend. Vajzat nuk e dinin rrezikun por prap nxitonin ti shpëtonin predhave. Ajo nuk ish lojë! Disa nga ata”djem” ishin të njohur si hajdutë xhepash.

Mund të ketë qënë janar i 1974-ës. Befas në fushën e qitjes së djemve hyn silueta e rëndë si nëndetëse e Sandër Prosit. Shkonte ngadalë ngadalë drejt nga Selvija. Kish veshur një pallto gri me cirka të bardha qarkuar me rrip. Djemtë lëshuan topat e borës së ndotur drejt tij. Aktori i Madh ndali e ktheu kokën drejt tyre. Ata morën pozë kinse nuk kishin gjuajtur ata. Sandër Prosi tundi kokën si luan. Pastaj bëri para. Djemtë bërtitën në një zë:”Na i sollët gjeneraaal! Ku i kini gjeneraaal?! ”

Ishte një skenë e turpshme. Hajdutët që tallnin artistin kolos! S’ kish pak javë që ishte shfaqur “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Kadaresë ku Sandër Prosi si Gjeneral kish shkëlqyer.

Ai nuk e ktheu më kokën! As djemtë si ujqër as ne që bënim sehir nuk e meritonim vështrimin e tij.

Nga Ilir Kadia