HEINRICH BOLL (HAJNRIH BËL)

KËMBA IME E KUSHTUESHME

Më së fundi ata më dhanë një shans, më dërguan një njoftim që të paraqitesha në zyrën e tyre, dhe unë u nisa për atje. Në zyrë u treguan shumë të sjellshëm ndaj meje. Nxorën kartelën time dhe ia bënë:

– Hm!

– Hm! – ia bëra edhe unë.

– Cila këmbë? – më pyeti nëpunësi. E djathta.

– E tëra?

– E tëra.

– Hm! – ia bëri ai përsëri. Pastaj zuri të shqyrtonte ca fletushka dhe më dha leje të ulesha.

Pas një copë here, ai mashkulli e gjeti fletën që iu duk si më e përshtatshmja dhe më tha:

– Më duket se ju kam gjetur diçka të mirë. Është punë e rehatshme. Mund ta bëni ndenjur. Lustraxhi në një banjë publike, mu te Sheshi i Republikës. Si thoni? – Unë s’di të lustroj këpucë; gjithmonë më kanë hequr vërejtjen pse i lustroja këpucët keq.

– Mund ta mësoni, – tha ai. – Çdo gjë mësohet. Gjermani i bën të gjitha! Po të doni, mund të interesohemi që të ndiqni një kurs pa pagesë.

– Hm! – ia bëra unë.

– Në rregull, atëherë?

– Jo, – i thashë unë. – Nuk e dua atë farë pune. Por dua një pension më të lartë.

– Ju jeni i çmendur, – ma priti ai, shumë miqësisht e shumë butësisht.

– Nuk jam aspak i çmendur, askush nuk ma zëvendëson dot këmbën time; as cigare nuk më lejojnë të shes më, kanë filluar të më nxjerrin telashe.

Ai mashkulli u mbështet mirë e mirë në karrigen e vet dhe përpara se të më përvishej, u mbush njëherë me frymë.

– I dashur mik, – ia nisi. – Këmba juaj na qenka një këmbë tmerrësisht e kushtueshme. Nga dokumentet që kam këtu, më del se jeni njëzet e nëntë vjeç, se zemrën e keni në rregull dhe se përgjithësisht jeni në rregull, me përjashtim të këmbës së prerë. Me këtë shëndet që keni do t’i arrini të shtatëdhjetat. Bëheni hesap vetë, ju lutem: shtatëdhjetë marka në muaj nga dymbëdhjetë herë në vit; domethënë dyzet e një herë dymbëdhjetë, herë shtatëdhjetë. Bëjeni hesap vetë, dhe mos pandehni se këmba juaj është e vetmja këmbë. Gjithashtu edhe ju nuk jeni, i vetmi që do të jetoni gjatë, ka edhe të tjerë. Pale, dashkeni t’jua ngremë edhe pensionin! Më falni, por qenkeni i çmendur!

– I dashur zotëri, – i thashë, duke u mbështetur edhe unë rehat-rehat në karrigen time dhe duke u mbushur mirë e mirë me frymë. – Jam i mendimit se po e nënvleftësoni ca si shumë këmbën time. Këmba ime është shumë më e kushtueshme nga ç’pandehni ju, është vërtet një këmbë tepër e shtrenjtë. Që ta dini ju, unë nuk jam krejtësisht në rregull jo vetëm nga zemra, por, mjerisht, edhe nga trutë. Prandaj dëgjomëni mirë se çfarë do t’ju them….

Kohën e kam shumë të kursyer. – Dëgjomëni mirë! – i thashë.

– Duhet ta dini se ajo këmba ime ua ka shpëtuar jetën një mori njerëzve, të cilët sot marrin nga një pension të majmë… Por, po jua tregoj se si ndodhi ajo punë: Isha shtrirë fillikat vetëm diku në vijën e parë të frontit dhe kisha për detyrë t’i hapja sytë e t’i bëja katër që, kur t’ia behnin ata të tjerët, të mitë të mund t’ia mbathnin në kohën e duhur. Shtabet ishin duke mbledhur rraqet e veta dhe nuk donin t’ia mbathnin as shumë herët e as shumë vonë. Në fillim na kishin nxjerrë vetë i dytë për vrojtim, po shokun tim e qëruan shpejt, kështu që ai nuk ju kushton më asnjë metelik. Vërtet që pati qenë i martuar, por e shoqja gëzon shëndet të plotë dhe është në gjëndje të punojë. S’keni pse të trembeni. Pra ai shoku im ishte një mall jashtëzakonisht i lirë… S’kishte mbushur as katër javë në ush, tri dhe kushtoi vetëm një kartolinë dhe ca gaveta me gjellë kazani. Të paktën ishte një ush, tar i mirë dhe e la veten që ta vrisnin tamam. Dhe kështu unë mbeta fillikat vetëm atje në pikën e vrojtimit dhe më shkonin shtatë në qase: mërdhija kiamet dhe ma kishte edhe mua qejfi t’ia mbathja sa më parë. Dhe, sa po matesha të ikja, kur…

– Kohën e kam shumë të kursyer, – ia bëri nëpunësi dhe zuri të kërkonte lapsin e vet.

– Jo, dëgjomëni deri në fund, – i thashë unë. – Tani vjen pjesa më interesante. Sapo desha t’ia mbathja, më ndodhi ajo puna e këmbës. Dhe, meqë isha i detyruar të rrija aty ku më zuri predha, mendova t’i merrja në tel ata të mitë e t’i njoftoja se kishte ardhur çasti i duhur. Dhe ashtu bëra. Dhe ata ia mbathën të gjithë, me radhë, ashtu siç e kërkonte rregulli: në fillim divizioni, pastaj regjimenti, pastaj batalioni etj. Gjithmonë sipas radhës e sipas rregullit. Po dardha e kishte bishtin prapa… Që ta dini ju, ata harruan të më merrnin me vete! E kishin punën fort me ngut. Shkurt hesapi, ishte punë dreqi, sepse, sikur të mos e kisha humbur këmbën, ata të gjithë do të kishin cofur: gjenerali, koloneli, majori e kështu me radhë, dhe s’do të ishte nevoja që t’u paguanit pension… Hë, pra, bjerini kalemit tani dhe nxirreni sa kushton këmba ime! Gjenerali është pesëdhjetë e dy vjeç, koloneli dyzet e tetë dhe majori pesëdhjetë; të gjithë shëndoshë e mirë dhe krejtësisht në rregull si nga zemra ashtu edhe nga koka. Dhe ma merr mendja se me atë mënyrën e tyre ushm tarake të jetesës do të bëhen të paktën tetëdhjetë vjeç, si Hindenburgu. Pra, bëni një llogari, ju lutem: njëqind e gjashtëdhjetë herë dymbëdhjetë, herë tridhjetë, po marrim mesataren tridhjetë, apo jo? Siç e shikoni, këmbës sime i ka hipur çmimi jashtëzakonisht, ajo është bërë një nga këmbët më të kushtueshme që mund të përfytyrohen. A më kuptoni?

– Qenkeni me të vërtetë i çmendur, – më tha ai mashkulli.

– Jo, – ia prita unë. – Nuk jam i çmendur. Po mjerisht jam aq në rregull nga zemra, sa edhe nga trutë. Dhe është gjynah që nuk më vr, anë nja dy minuta përpara se të më ndodhte ajo puna e këmbës. Do të ishin kursyer gjithë ato para!

– Do të filloni punë në atë vend që ju propozova? – më pyeti nëpunësi.

– Jo, – i thashë unë dhe ika.

Shqipëroi: Robert Shvarc

Burimi: Fjala.al