Një burrë po i shërbente me shumë përkushtim rrënjës së trëndafilit që kishte mbjellë ca ditë më parë. E ujiste çdo ditë duke pritur çastin, kur gonxhja do të shpërthente.

Mirëpo një ditë u mërzit nga gjembat e shumtë e tha me vete:

“Si mund të dalë një lule kaq e bukur nga një bimë e mbushur plot me gjemba ?!” Dhe e la pas dore kujdesin ndaj saj, pikërisht pak para se ajo të çelte. Kësisoj, rrënja e trëndafilit u tha.

Fatkeqësisht, kështu ndodh dhe me shumë njerëz. Brenda çdo shpirti ekziston një trëndafil, pavarësisht fajeve dhe gabimeve. Por shumë nga ne shohin vetëm gjembat, të metat dhe nuk e vlerësojnë natyrën e pastër në brendësinë tonë.

Kjo ndjenjë dëshpërimi dhe vlerësimi i ulët për veten na bën që ta lëmë pa ujitur këtë mirësi, e cila pak e nga pak vdes brenda nesh.

Burimi: Akropoli i Ri