Nga Miho Gjini

Me Demir Hyskën, nuk do te isha njohur në se nuk do të nisnim në të njëjtën kohë të njëjtën rrugë, në po atë skenë teatri…Falë një rrethane krejt të rastit, që jeta e artit e bën të domosdoshme e të përbashkët, me të njëjtat gëzime krijuese të njeriut që ngjitet në skenë për herë të parë!

Qe viti 1963, kur ne po jepnim ne skenën e Teatrit Popullor shfaqjen-diplomë të komedisë së Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë” dhe provuam një triumf të vërtetë, me duartrokitje te pafundme, pas një gazi të papërmbajtur të kthyer në lot, ku artit shekspirian i ishte bashkuar mrekullisht arti i një regjisori te shquar, plot fantazi  te papërsëritshme, si ajo e regjisor-pedagogut tim Kujtim Spahivogli.

Aty interpretoja një nga rojet gazmore, në një duet aktrimi me Robert Ndrenikën, duke krijuar atmosferën e njerëzve çakërqejf të rilindjes, të cilët dëfrenin nëpër rrugët ku hajdutët bënin kërdinë dhe të dyja rolet, nga figura anësore, u bënë të këndshme dhe të paharruara për publikun.

Po edhe për një ministër që asistonte në llozhën e teatrit, atë të Arsimit e të Kulturës, Thoma Deljanën, i cili e kishte marrë aty-për-aty vendimin për fatin tim, duke më komunikuar pas mbarimit të shfaqjes se “isha emëruar regjisor e drejtor i Teatrit “Skampa” të sapoformuar në Elbasan.

U tha e u bë! Me fillimin e shtatorit do të isha në Elbasan, ku do të gjeja një grup aktorësh amatorë, ku bënte pjesë Demir Hyskja, Thanas Borodani, Haxhi Sejko, Bukurije Xhorxhi e tj., po edhe një regjisor autodikdakt, si Lec Shllaku nga Shkodra…

Fillimisht isha i pezmatuar nga niveli joprofesional, por shpejt do të kuptoja se isha krejtësisht i gabuar: dy prej këtyre aktorëve, Demir Hyskja e Haxhi Sejko, qenë, si të thuash , aktorë të lindur. Veçanërisht Demiri, me një figurë skenike të bukur, me zërin prej basi, që vibronte mrekullisht në gjoksin e tij të bëshëm, me një logjikë e botë emocionale, që rrallë e gjeje edhe tek aktorët më në zë të vendit.

Vetëm një vit më vonë ai do të kishte edhe dy partnerë, mjeshtra të vërtetë, sikundër ishin Robert Ndrenika dhe Shpëtim Shmili që sapo kishin përfunduar studimet në Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu” dhe ishin emëruar po në këtë teatër.

Demiri ishte i thjeshtë e i përzemërt si njeri. Dinte edhe të kuvendonte me seriozitet, po edhe të bënte humor. Vinte aty nga sektori i ndërtimit, për hir të një pasioni vetjak, i sigurt se teatri do të bëhej më pas jeta e tij. Gjeometri i ri, ende pa e ezauruar zanatin, hapi një “perde për të parë botën”, nëpërmjet teatrit, që do të bëhej këndej e tutje edhe dashuria e tij më e madhe.

Thuajse ishim që të dy të një moshe dhe do ta kisha pranë në organizimin e jetës së brendshme në Teatrin “Skampa”, për repertorin, për marrëdhëniet me Estradën dhe me aktorët e saj, si edhe për funksionimin e Këshillit Artistik, ku me sugjerimin e tij do të bënin pjesë intelektualët më në zë të jetës së atëhershme, si poeti Behxhet Çerma dhe pedagogu i letërsisë Agron Frashëri, që me largimin tim tre vjet më vonë, do të emërohej drejtor i këtij teatri.

Më duhej që menjëherë të vija në skenë shfaqjen time të diplomës, si regjisor dhe gjithmonë kisha parasysh Demirin si figurë qendrore…Teatri është aktori, thoshte një teoricien i njohur i teatrit.

Edhe pse vinte nga radhët e lëvizjes amatore, Hyskja kishte gjithçka që i duhej skenës, reflektonte pasuri shpirtërore e figurë të hijshme dhe pjesa që zgjodha, një dramë finlandeze me karakter psikologjik, ku në epiqendër shkëlqente figura djaloshare e Robert Harmallahtit, e cila ishte pikërisht për të.

Do të lozte përkrah Robert Ndrenikës dhe Shpëtim Shmilit, nga më të mirët studentët të aktrimit, të cilët sapo qenë emëruar në teatrin tonë. Mirëpo këtu më mungonte figura qëndrore, Justina e dramës “Justina”, të cilën as e kisha në teatër e as nuk mund ta “huaja” gjetkë, në ndonjë tjetër teatër, ku planet e premjerave, të shfaqjeve dhe të turneve qenë tepër rigoroze e të politizuara në trajtat më ekstreme.

Ju drejtova Hyskës për këtë problem dhe ai do të më rekomandonte një grua nga lëvizja amatore, Xheko Kocin, të cilën do ta angazhoja menjëherë e shfaqja do të bëhej e do të mirëpritej nga publiku i Elbasanit. Demir Hyskja, që në prova rrëfente korrektësi e sens artistik, po edhe një të vetëndjerë emocionale.

Kishe dëshirë ta dëgjoje në ligjërimin e batutës, ku e shoqëronte ngrohtësia e zërit dhe një lloj melodiciteti. Edhe kur kaluam në mizanskenë, vepronte lirshëm nga një situatë e gjendje shpirtërore në tjetrën. Ndërsa në shfaqje, përkrah Ndrenikës e Shmilit, që të dy aktorë virtuozë, nuk dukeshin shumë diferencime profesionale. Kishte lindur e ishte afirmuar një talent skenik “i virgjër”!

Dhe këtë do ta vërtetoja në shfaqjen e radhës që vura në skenë, këtë herë një komedi që e pata shumë përzemër, “Kutia prej argjendi” të anglezit elegant Xhon Gollsuorth, e cila i përshtatej profilit të tij artistik: një i papunë, si Xhounsi, i rënë moralisht, i cili jepet pas pijes, që rastësisht vihet përballë një faji te paqenë, “vjedhjes së një kutie prej argjendi”!

Mirëpo, pas kësaj rënie të moralit, ky i papunë i Hyskës do të ngrihet në gjyqin falls kundër tij, në nivelin e një denoncuesi të fuqishëm të të gjithë shoqërisë angleze, si të ishte një jurist i regjur.

Pikërisht këtu do të vëreja aftësin e këtij aktori për të kaluar nga situata komike e një të dehuri të rrugës  në të vetëndjerin e një njeriu që mba mbi shpatulla dramën e kastës së tij të përbuzur dhe di të përballet denjësisht me padrejtësinë e ligjit. Talenti i tij qe i dukshëm, sikur të kishte lozur ne skenat profesioniste…

Gjatë atyre tre vjetëve që isha aty, do të interpretoja edhe si aktor, së bashku me Demir Hyskën në dramën “Shtatë Shaljanët” të Ndrek Lucës, që e vuri në skenë Lec Shllaku dhe do të përballesha me një aktor sugjestiv, që të imponohej ne skenë…Dhe do të loznim së bashku, karshi njëri-tjetrit, unë si i dërguari i sulltanit e ai në rolin e një luftëtari shqiptar te patjetërsueshëm me emrin Marash dhe, pasi nuk do të “merreshim vesh” do të përfundonim në një duel  me shpatë, ku do të ndjeja edhe forcën e krahut e të temperamentit të Demir Hyskës.

Teatri dhe censura e drejtuar prej injorantëve

Demir  Hyskja, si një aktor i  lindur, qe një rast fatlum për skenën tonë dhe do të ishte i njëjtë edhe me disa nga aktorët më në zë të Teatrit Popullor të Tiranës, që vinin nga lufta, pasi kishin interpretuar edhe në Teatrin Partizan, sikundër qenë Naim Frashëri, Andon Pano, Ollga Shuraja etj, apo Nikolin Xhoja në Durrës, si edhe të atyre që vinin prej Teatrit Diletant, si Mihal Popi, Loro Kovaçi, Pandi Raidhi, Mihal Stefa, Marije Logoreci e mjaft të tjerë, që shkëlqyen më pas në skenë, pa kryer asnjë akademi arti! Demir Hyskja qe një “sui generis” si edhe këta pararendës…

Mirëpo në atë kohë mbizotëronte orientimi i Partisë që në këto organizma ideologjike, sikundër konsiderohej teatri në atë kohë, duhej te hynin sa më shumë punëtorë e fshatarë, për të sjellë aty “frymën e klasës punëtore”. Sidomos në Këshillin Artistik të Teatrit, në përbërjen e të cilit u rekomanduan dy persona: Hekuran Isai, inxhinier në Cërrik dhe Pali Miska që punonte në Kombinatin e Drurit të Elbasanit.

Edhe Demir Hyskja vinte nga klasa punëtore, po s’kishte asnjë lidhje me predispozitën politizuese të këtyre personave, të cilët, do të bënin më pas një karrierë marramendëse, deri në “kupolën” e Partisë dhe të Shtetit. E keqja shtohej akoma, se ata që drejtonin në atë kohë institucionet partiake të qytetit të Elbasanit, ushtronin ndaj teatrit diktatin e tyre politizues dhe censurën më flagrante.

Si pasojë, pjesa tjetër e radhës që zgjodha e do t’a vija në skenë, komedia e Viktor Eftimiut “Njeriu që pa vdekjen me sy”, për të cilën arrita të marr edhe autorizimin e vënies në skenë, në lidhje direkte, me akademikun rumun me origjinë shqiptare Viktor Eftimiu, do të “minohej”, si nga persona të brendshëm, po edhe nga një kryetar komiteti, fare injorant, i cili tha në Këshillin Artistik se “duhen respektuar kuadrot e vjetra, që të mos prishet fytyra e aktorit (!) e jo ta verë në skenë një i sapodalë nga bankat e shkollës”!? Hahahahahaha….

Më duhej të qeshja mbyturazi! Po do të ndjeja një kënaqësi të madhe më pas, kur Robert Ndrenika do ta imitonte këtë tip në shfaqje, duke interpretuar personazhin e kryetarit të bashkisë, Filimon, me sloganet e tij të fryra që përdorte në po këto mbledhje se “do ta tundim” e “do ta bëjmë të madhe”(!)…Se, në atë periudhë kohore, komedia që bëhej në jetën reale social-politike, qe shumë herë më e madhe se komedia që luhej nëpër skena, ashtu e gjymtuar dhe e censuruar nga këta tipa partiakësh inkopetentë e injorantë, që na rrethonin, na merrnin frymën e nuk na linin të punonim si artistë.

Pamundësia ime, pas dënimit politik, për të takuar deputetin

Në jetën dhe famën e kujtdo artisti është vepra që ata bëjnë, krijimtaria, figura artistike që kanë krijuar, e cila evidentohet sa rron dhe që, pas vdekjes, sikur merr dimensione më të mëdha…Sepse ndjehet humbja dhe vlera e artistit sikur zmadhohet e shumëfishohet nga vet publiku që e ka ndjekur, por edhe nga kritika e studiuesit.

Kështu që dikush e quajti Demir Hyskën “gjigand i skenës” dhe në një gazetë e cilësuan si një “meteor”, në dhimbjen që ndjehej prej ikjes nga jeta e një artisti që na ishte imponuar me pranin e tij.

Po, kur koha rrjedh më tej, vlerësimet bëhen edhe më logjike, në një baraspeshim me të gjithë ata artistë që kanë ikur nga jeta e skena më përpara tij, duke lënë gjurmë edhe më të thella. Demir Hyskja e shkroi emrin e vet, duke e nisur jetën skenike si amator e pa shkollë arti, me talentin e vet, me këmbëngulje e punë titanike dhe arriti të krijojë sugjestionin e vetvetes dhe kushdo që do ta quante “gjigand” së gjalli, do të përballej me të qeshurën e tij sarkastike.

Demiri qe njeri modest e realist, punëtor i papërtuar i artit skenik, përherë në ngjitje, rol pas roli, duke tërhequr edhe vëmendjen e kineastëve. Demiri qe i qetë para kamerës, me një sy shprehës, i matur në lëvizje dhe kurdoherë me një botë shpirtërore të brendshme.

Ndaj edhe kinematografia do ta “zaptonte” Hyskën shumë herë që ta kishte pranë, sidomos për natyrësinë filmike, aq të domosdoshme në kinematografi, dhe kjo u dukë qysh në ekranizimin e parë që bënte, ne vitin 1967, (“Ngadhnjim mbi vdekjen”), ku do të përballej me Naim Frasherin, që ishte atëherë dhe më pas, një nga “yjet” e qiellit tonë teatror.

Debutimi i Demirit në rolin e spiunit Zihni Shaqiri, ashtu natyrshëm , sillte një risi, ngaqë ai nuk e lozi spiunin në trajtën vulgare të spiunëve-shtampë, sikur ndodhte rëndom nëpër Estradat tona, me deformime të theksuara të karakterit e të pamjes së jashtme, po i dha atij një pamje njerëzore, që nuk mund të krijonte asnjë dyshim se ishte pikërisht i tille.

Këtë organicitet e natyrësi interpretimi Demir Hyskja do ta kishte edhe në 23 filmat e tij të mëvonshëm, ku spikati më tepër tek “Mëngjese lufte” (1971), “Rrugicat që kërkonin diell (1974), “Në fillim të verës” (1975), “Pylli i lirisë”(1976), “Nëntori i dytë”(1982)  e “Dhe vjen një ditë”(1986).

Në të gjithë këta filma dallohej ky artist me figurshmërinë dhe zërin, duke e mbushur ekranin me dimensionet e një aktori të barabartë me partnerët e vet më të përgatitur se ai. Po skena e varjes së personazhit të tij në filmin “Rrugica që kërkonin diell”, do të mbahet shumë gjatë ndërmend, për rrezatimin emocional, gati të papërsëritshëm…

Qe pikërisht kjo kohë, që do ta takoja mikun tim e kur ai do të më dhuronte me shënimin e tij foton që po publikoj e që mban datën 10 mars 1975, së toku edhe me disa foto të tjera në rolet e tij të fillimit të karrierës artistike që botohen për herë të parë. Sikur ta dinte që, një vit më mbrapa ne do të ndaheshim përfundimisht, si nga skena ashtu edhe nga jeta!

Ndjeja gjithmonë mall për ta takuar rishtazi, por jeta na kishte ndarë mizorisht në drejtime të kundërta, po edhe kur unë u riktheva në jetën e zakonshme, pozicioni i tij politik nuk më lejonte që t’i afrohesha. Kisha mbi supe “stigmën e kolerës politike”! Bile e ndjeja veten shumë keq, që në teatrin ku punova për herë të parë, bashkërisht me Demirin, nuk figuroja më në listën e të ftuarve të 13 (a më shumë) festivaleve që organizoheshin pikërisht në atë skenë. Dhe, nga tjetra anë, tashmë Demir Hyskja ishte zgjedhur deputet në katër a pesë legjislatura..

Njëzet vjet deputet, jo shaka! Dhe në kohëra kritike…Një i damkosur si armik, sikundër isha unë, nuk mund t’i afrohej e t’i jepte dorën…Po as që mund ta mendoja se ç’bluhej në shpirtin e tij, kur më pas deklaronte që: “shkoja ne Kuvend për të ngritur dorën, për të miratuar direktiva!”. Dhe akoma, as që mundja ta imagjinoja se i qe neveritur gazeta e partisë së tij, ku bënte pjesë dhe se, dikush tjetër, (si puna ime!), vite më pas, qe harruar tashmë. Por unë “kisha vdekur” katër dekada më përpara kësaj historie të dhimbshme, duke bërë me trishtim këtë HOMAZH për të, për artistin e lindur artist….

Burimi: Shekulli.com.al