Imazhet ndikojnë fort përfytyrimet tona për botën. Një mjet stilistik i veçantë është karikatura që shpesh ka futur në konflikt qeveri të vendeve të ndryshme, ka shkaktuar tensione dhe ka raste kur edhe janë kryer krime në emër të saj. Por në thelb ky art ka një qëllim të vetëm; kritikën me anë të humorit.

Në Shqipëri, menjëherë pas lufte lindi revista satirike “Hosteni” që përdorte karikaturën në faqet e saj. Aq popullore ishte ajo, saqë njerëzit shpesh, kur donin apo bënin ndonjë veprim jo të zakonshëm, përdornin shprehjen: kujdes se na kap “Hosteni”; u bëre për te “Hosteni”.

Aq i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë ishte ky art, saqë regjimi e përdori për propagandën e tij.

Duket se një histori të ngjashme ka përjetuar edhe Gjermania, ndaj mbrëmjen e së enjtes, në sallën “Abret” të Hotel Tiranës, u hap një ekspozitë dhe diskutim me titull “ Breshëri në kokë, karikatura si armë” . Ky aktivitet u organizua nga Ambasada Gjermane në kuadër të Tetorit Gjerman dhe u shoqërua me një paraqitje ilustruese të disa prej kopertinave të revistës satirike “Hosteni”, botuar në Shqipëri përpara viteve “90.

Të ftuar në takim ishin: studiues i artit Agim Janina, karikaturisti Bujar Kapexhiu dhe zv/ambasadorja gjermane Anke Holstein.

“Dita” e ndoqi nga afër aktivitetin dhe mundi të shkëpusë disa mendime të të pranishmëve.

“Hosteni”, në vitin ‘70 arriti… 25 mijë kopje

Studiuesi Agim Janina e njeh historinë e karikaturës në Shqipëri dhe sidomos mënyrën se si është zhvilluar ajo në vendin tonë përpara viteve ’90.

“Të jesh karikaturist duhet të kesh një formim dhe diapazon të madh kulturor. Shtypi shqiptar i fillimeve të regjimit të diktaturës, i vuri një rëndësi të jashtëzakonshme karikaturës. Dhe jo shumë larg, në 25 gusht të vitit 1945 u botua dhe numri i parë i revistës “Hosteni”, i cili në atë kohë doli si një suplement i gazetës Bashkimi. “Hosteni” ynë në vitin ‘70 arriti 25 mijë kopje dhe kjo nuk është pak për një vend të vogël si Shqipëria.

Karikatura në fillimet e saj, pati orientim të thellë politikë dhe ka ndjekur gjatë gjithë kohës zhvillimet politike shqiptare. Domethënë kur ishim mirë me Jugosllavinë, nuk kishte karikatura kundra Titos, kur u prishëm me të, u bënë shumë të tilla kundra tij. Po kështu ndodhi edhe me Kinën”.

Nuk kishte sesi ky art t’i shpëtonte përdorimit nga regjimi.

“Karikatura shqiptare është një pasqyrim i i drejtpërdrejtë i politikës që është ndjekur në 45 vite. Në atë kohë u krijua ajo që quhej gjuha e drunjtë. Në tjetër mendonim, tjetër flisnim”.

Në vendet ku ka shtypje, lindi karikatura si nevojë e një revolte. Ndoshta ky është elementi i dytë, pasi unë besoj që elementi i parë, i cili bën që të lulëzojë karikatura është një farë optimizmi që kemi ne si popull, si pasojë e një humori të brendshëm që na buron vetvetiu. Është një humor që gjendet rëndom në shtresat e gjera të popullatës shqiptare dhe kjo i jep dorë karikaturistit, i cili merr fenomenet dhe i trajton në këtë formë. Por unë do të thoja që karikaturistët janë njerëzit më seriozë. Dhe karikatura po ashtu është një art serioz, pavarësisht se tallet, demaskon, kritikon dhe korrigjon veset e fenomenet e ndryshme që shfaqen në realitetin e një vendi”- tregon Janina.

Më tej ai tregon për fuqinë e këtij arti… “Unë do të thoja se karikatura ka fuqi më të madhe se sa një editoriale, sepse duke qenë se ka lidhje me syrin, godet me gjithë forcën e saj në nënndërgjegjen e njeriut dhe e transmeton në mënyrën më të shpejtë fenomenin që autori do të shprehë.

“Një popull që nuk ka demokraci nuk ndërton dot karikaturë, aq e vërtetë është kjo, saqë ne, në regjimin e kaluar, karikaturën e mbajtëm në atë nivel që i përshtatej ideologjisë, politikës dhe propagande që ai sistem donte të bënte. Karikatura ka rolin e barometrit të lirisë”.

Arti i humorit si opozita e parë

Bujar Kapexhiu, i cili ka punuar me karikaturat, si gjatë regjimit ashtu edhe sot, ka për të treguar mbi dy realitetet që është përballur.

Unë kam patur fatin që të bëj karikaturë në vitet e diktaturës, por të them të drejtën, me atë ngushtim që kishin subjektet në atë kohë, megjithatë ne ishim të tillë karikaturistë që nuk shkonim asnjëherë kundra rrymës, sepse po të shkonim kundra saj, me siguri që do të mbyteshim. Ne bënim ashtu si na thoshte Partia: artistët janë ndihmës të Partisë dhe ne e ndihmonim Partinë në atë kohë që të ishte e fortë, e fuqishme dhe karikatura jonë ta bënte sa më të madhe dashurinë për të. Sa më madhe ishte dashuria për Partinë, aq më e madhe ishte urrejtja për armikun. Ç’ka hequr imperializmi nga ne, ai e di”.

Megjithë vështirësitë e të punuarit nën mungesën e lirisë, ai përsëri gjen diçka për t’u ndjerë mirë.

“Unë jam i kënaqur se mund te themi më të drejtë se ne, karikaturistët, ose në përgjithësi arti i humori që në atë kohë kanë qenë opozita e parë. Pra, ne ishim kundra të keqes, ne ishim kundra ryshfetit, kundra arrogancës, paaftësisë, kundra vendosjeve me mik.

Ne godisnim këto anë, por goditja shkonte deri te kryetari i kooperativës apo te drejtori i ndonjë ndërmarrjeje, më tutje nuk guxonim, jo nuk guxonim të bënim ndonjë karikaturë, por nuk guxonim as të mendonim, sepse ndonjëherë Partia të kuptonte mendimin dhe ta tregonte vendin”.

Sipas Kapexhiut, sot politikanët ta kërkojnë karikaturën vetë, madje sipas tij, kur atyre nuk u bëhet karikaturë ata ndihen të lënë pas dore… Ai thotë se “sa më shumë vjedhin, aq më shumë karikatura duan”.

“Dua të bëj një krahasim me ditët e sotme. Nëse atëherë po të të bënim karikaturë e pësoje, sot nuk pëson asgjë, pasi sot kur bëhesh karikaturë do të thotë që jë në modë, apo je aty. Pasi në ditët e sotme, sa më tepër të vjedhësh je ose parlamentar ose opozitar. Kështu që sa më tepër intriga të bësh, aq më tepër pozicione të fuqishme ke, kurse në atë kohë nëse vërtet kishte ndonjë dyshim se dikush mund të abuzonte, përjashtohej nga puna, dhe kjo ishte më e pakta, se do e kishe drejt e në burg. Nëse i bëhej dikujt karikaturë, bëhej problem, shkonin e kontrollonin, nëse sot, shkruaj ça të duash ti, ky është i korruptuar, arrogant, hajdut, as nuk e vë njeriu ujin në zjarr.

Nëse në një moment ju do shihni në një gazetë në rrugë, të parën që do bënit, do e merrnit atë dhe do shihnit karikaturën, është një art i bukur që të bën të buzëqeshësh. Karikatura kritikon të metat, nuk ke asgjë me individin, por me veset dhe punën që ai bën”./Entela Resuli/Gazeta Dita