Mentor Petrela është një ndër neurokirurgët më të mirë shqiptar, i cili tre vite më parë u përzgjodh nga revista shkencore “World Academy of Neurological Surgery”, si një nga 100 neurokirurgët më të mirë në botë.

Mjeku i mirënjohur ka qenë mbrëmjen e së enjtes i ftuar në emisionin “Opinion”, ku ndër të tjera rrëfeu edhe një nga momentet më të vështira të punës së tij.

Petrela u shpreh se një nga momentet e tij më të vështira është komunikimi me familjen kur je përballë një dështimi jo vetëm profesional, por edhe ndaj sëmundjes.

Ai u shpreh:

“Nga momentet më të vështirat është komunikimi me familjen kur je përballë një dështimi jo vetëm profesional, por edhe dështim me sfidën e sëmundjes. Ai është momenti më i vështirë.”

Petrela, i cili është i njohur gjerësisht për teknikat e avancuara të operacioneve me pacientin zgjuar, theksoi se nuk ka njeri të pagabueshëm.

Sipas tij, nëse një person s’e pranon që ka gabuar, ai është gënjeshtar.

Neurokirurgu i njohur rrëfeu edhe si e zgjodhi këtë profesion, i cili kërkon impenjim dhe studim gjatë gjithë kohës. Ai tha se kjo ishte një dëshirë e fshehtë e babait të tij, që mundohej ta ushqente me të.

Ai shtoi:

“Ka qenë një dëshirë e fshehtë e babait tim, që mundohej të ma ushqente. Por nuk kanë qenë të gjitha elementet që unë të futesha në mjekësi. Unë kam qenë një nga “delet e zeza” që as nuk kam pretenduar që do të shkoja për studimet e larta. Fillimisht u futa në rusisht, pastaj ka qenë profesor Gjata i cili më transferoi tek mjekësia. Është profesion i vështirë që kërkon impenjim dhe studim gjatë gjithë kohës.”

Burimi: InfoShqip.com