Mbreti i filmit pa zë, mjeshtri jeshtër i tragjikomedisë, duke luajtur të nëpërkëmburin dhe të braktisurin,  e bëri spektatorin të qeshë duke kritikuar me shumë satirë realitetin shoqëror. Si aktor dhe regjisor, askush si ai nuk e ka mbërthyer dhimbjen njerëzore. Ai krijoi një karakter krejtësisht kontradiktor: Endacakun, zotërinë, poetin dhe të braktisurin, i trazuar nga ëndrrat, i intriguar nga shkenca. Ishte kjo figurë që mbeti maja e karrierës së tij që vijoi me 35 filma, trasmeton Observer Kult.

Çaplini e kishte kuptuar dobësinë e njeriut përballë natyrës dhe ishte i bindur se humori është e vetmja mënyrë për t’i bërë ballë asaj. E qeshura, besonte Çaplini, lind prej kontradiktës. Edhe ata që nuk janë rritur me Charlie Chaplin dhe filmat e tij, e njohin endacakun. “Ai nuk ishte një yll Hollywood-i”, thotë ekspertja amerikane e Chaplin-it, Lisa Stein Haven, “sepse kur ai ishte një yll, Hollywood-i nuk ekzistonte.” Edhe sot mund të thuash që: Charlie Chaplin është shumë më tepër se sa një aktor. Ai është një legjendë.

Mustaqe të zeza, kapelja, bastuni dhe të ecurit si rosak me këpucët e mëdha – karakteristika të Charlie Chaplin këto që nuk i harron askush. Qoftë në reklama, në qendra tregtare, në pllakata, në fotografi apo në internet – figura e endacakut me tiparet tipike të aktorit Charlie Chaplin haset kudo dhe në çdo kohë. Chaplin u ka mbijetuar kohërave – ndonëse periudha e tij si regjisor i përket një të shkuare të largët.

Shumica e veprave të Chaplin u krijuan në kohën e filmit pa zë. Për „Dritat e qytetit“ ai punoi në fazën e kalimit nga filmi pa zë në atë me zë. Por Chaplin nuk i preferonte filmat me zë. Ai e përdorte zërin me kursim dhe në mënyrë eksperimentuese. Filmat e tij dëshmojnë, se ai ka pasur të drejtë: Mimika, pantomimat, gjestet dhe shprehja – të gjitha funksionojnë edhe sot tek filmat e Chaplin.

Vetëm në filmat e tij të vjetër Chaplin luante karaktere të pakëndshëm. Shumë shpejt ai iu përkushtua roleve, që karakterizuan më pas filmat e tij: ky ishte njeriu i thjeshtë, që mbrohet ndaj padrejtësive të jetës. Në veprat e më vonshme si „Kohët moderne“ (1936) ai ushtron edhe një kritikë të thellë shoqërore – njeriu në ingranazhet e industrializimit, transmeton Observer Kult.

Por në vazhdim mund të gjeni diçka krejt tjetër nga Chaplin. Një fragment nga libri autobiografik, “Jeta ime”” Gjatë këtyre shëtitjeve nuk më kujtoheshin asnjëherë ato që më thoshte ajo. Isha krejt i ekzaltuar, i bindur se një forcë mistike na ishte afruar dhe se bashkimi ynë ishte rezultat i një afiniteti të paracaktuar. Kisha tre mëngjese që e njihja; tre mëngjese të shkurtra, përpara të cilave pjesa tjetër e ditës nuk ekzistonte deri në mëngjesin pasardhës. Por, mëngjesin e katërt qëndrimi i saj ndryshoi. Ajo më priti ftohtë, pa entuziasëm dhe nuk pranoi të ma kapte dorën. Unë e qortova për këtë gjë dhe e akuzova me shaka se nuk më donte.

– Ju kërkokeni shumë -më tha – në fund të fundit, unë jam pesëmbëdhjetë vjeç dhe ju nuk jeni veçse katër vjet më i madh se unë. Unë nuk desha ta kuptoja domethënien e kësaj vërejtjeje. Por, nuk mund të mos e vija re mënyrën me të cilën papritur po më largonte. Vështronte drejt përpara, duke ecur me një hap elegant prej gjimnazisteje, me duart të futura në xhepat e bluzës marinare.

– Me fjalë të tjera, ju nuk më doni me të vërtetë – i thashë. Nuk e di – ma ktheu ajo. Unë mbeta i hutuar. – Në qoftë se nuk e dini, atëherë nuk më doni. Në vend të përgjigjes, ajo vazhdoi të ecte pa thënë asgjë. E shikoni çfarë profeti jam – zura të flisja unë me një ton të lehtë. – Ju kisha thënë se do të pendohesha që u njoha me ju. Provova ta merrja në pyetje për të zbuluar ndjenjat e saj të vërteta në lidhje me mua, por të gjitha pyetjeve ajo iu përgjigj njëlloj: – Nuk e di. Doni të martoheni me mua? – I thashë më në fund për ta zënë ngushtë. – Unë jam tepër e re. Mirë atëherë, sikur të ishit e detyruar të martoheshit, do të më merrnit mua, apo ndonjë tjetër? Por, ajo nuk donte të angazhohej dhe përsëriste pa pushim të njëjtat fjalë: – Nuk e di… unë ju dua… por… – Por nuk më doni – i thashë unë tërë ankth. Ajo mbeti në heshtje.

Ishte një mëngjes i vrerët, rrugët kishin një pamje të përhime dhe të shëmtuar. E keqja është se kam lejuar t’i çoj gjërat shumë larg – thashë me një zë të ngjirur. Kishim arritur në hyrje të metrosë. “Mendoj se do të bënim mirë të ndaheshim dhe të mos takoheshim më kurrë” – shtova duke pritur se si do të reagonte ajo. Mbeti e ngrysur. – Lamtumirë – u përgjigj ajo. – Më vjen shumë keq.

Kjo ndjesë qe si një goditje që po më jepte në zemër. Kur ajo u zhduk në metro provova një ndjenjë zbrazësie të padurueshme. Ç’kisha bërë? Mos isha treguar tepër brutal? Nuk duhej ta kisha trembur .Isha sjellë si një hajvan i fryrë dhe kisha krijuar një situatë të tillë që tani nuk mund të takohesha më me Hetin pa u bërë qesharak. Ç’duhej të bëja? Më mbetej vetëm të vuaja./Përgatiti: Observer Kult/Gazetaobserver.com