PSE E DONIM AKTORIN KIRK DOUGLAS ?

Ishte shumë i popullarizuar ndër shqiptarët, në vitet e 60-ta. E deshem, sepse kishte lindë i varfër, si ne. Në rini, kishte shitur gazeta, këpucë e fara kungush, si ne. E adhuronim sepse ishte fëmijë emigranti, ashtu sic ishim disa prej nesh. E deshem sepse ishte rrebel, çfarë donim të jemi edhe ne. E deshtem, sepse ishte kryengritës në filmin “Spartakus”.

Foto: Albumi Akordet e Kosovës

I mbronte të shtypurit, e të skllevëruarit, ashtu sic kishin qenë prindërit ose gjyshërit tanë. E admironim për forcën të cilën ai e kishte, e ne, na mungonte. E donim atë dhe çdo hero të filmit, sepse na mungonin heronjtë. Herojtë tanë, na i kishin vrarë, burgosur ose ndaluar. Na mungonte një Spartak, i cili do të na nxjerrte nga getoja, nga izolimi, nga burgu, nga rrethi ku na kishin mbyllur…

E deshem edhe për artin e talentin, por më shumë për faktin qe mundi varfërinë me të cilën në luftonim edhe ne. Shkelqimin e tij në ekran, e identifikonim me agimet tona të imagjinuara… E si mos ta donim kur ai ishte ndër të rrallët qe sjellte forcë e fuqi e cila – nuk na kansohej, nuk na frigonte, por na argëtonte, për dallim nga forcat qe na rrethonin. E donim edhe për faktin qe kishte partnere e dashnore të bukura, disa nga të cilat ne ia vjedhnim pas mesnatës, nën çarçafin e imagjinatës tonë.

E si mos ta donim, njeriun të cilin e deshi edhe natyra, edhe shendeti edhe Zoti, dhe i dha 103 vite jetë. Heroi i fëmijërisë tonë nga ekrani, sot përfundoi filmin e tij të fundit të quajtur – jetë. Kanë thënë, jeta është ëndërr, vetem vdekja është e vertetë. E filmi është një ëndërr më fotografi në të cilën Kirk Duglas ishte magjistar i mrekullueshem. Ai erdhi në kohën kur kinemaja, për ne ishte luks, dhe shkoi në kohën e qelluar, kur kinemaja po vdesë, sepse gadi çdo gjë në jetë është bërë – aktrim. Po thuhet qe ai jetoi 103 vjet. Jo. Ai jetoi qindra vjet…

Foto: Albumi Akordet e Kosovës

Burimi: Albumi Akordet e Kosovës