Kali i një bujku, u rrëzua një ditë në një pus të thellë. Për fat, pusi ishte i thatë dhe pa ujë. Pa dyshim dhimbjet dhe plagët e rënies ishin të rënda. Teksa kali, me gjithë dhimbjet, orvatej të dalë, edhe bujku nga ana e tij, rrekej ta nxjerrë kalin e dashur nga ai pus i mallkuar.

Sa më shumë orë kalonin, aq më shumë u forcohej bindja të dyve se diçka e tillë ishte e pamundur. Meqë kali ishte i vjetër dhe shpenzimet për ta
nxjerrë që andej, ishin më të mëdha se shpenzimet për të blerë një kalë të ri, bujku vendosi ta braktisë.

Pusi ishte i thatë dhe banorët kishin vendosur kushedi sa herë që ta mbushin atë, për të shmangur rënien e ndonjërit prej tyre. Menjëherë, bujku thirri fqinjët e tij dhe u kërkoi ta ndihmojnë të mbushin pusin me dhera. Kështu, do të zgjidhnin njëherazi dy probleme, mbushjen e pusit dhe groposjen e kalit.

Të gjithë filluan të hedhin dhera e mbeturina me lopata drejt grykës së pusit. Fillimisht, kali e kuptoi çfarë e priste, prandaj filloi të hungërijë e përplasë këmbët. Pas pak, të gjithë u çuditën pasi pllakosi një heshtje
brenda pusit. Pasi kishin hedhur një masë të madhe dherash në pus, bujku iu afrua grykës së pusit të shohë çfarë kanë bërë, por ai mbeti pa fjalë nga ajo që i panë sytë.

Ai pa që kali kishte filluar të largonte dherat nga shpina e tij, duke u shkundur sa herë i binin. Meqë dherat binin përtokë, niveli i tyre rritej e për rrjedhojë, kali i afrohej gjithnjë e më shumë grykës së pusit. Njerëzit vazhduan të hedhin dhera në pus, derisa kali iu afrua sipërfaqes së tokës dhe me një të kërcyer doli jashtë.

Burimi: Akropoli i Ri