Nga Ylli Xhaferri

“Botë e Shqipërisë më ka mbuluar si ill…

(Përsiatje rreth novelës “Zonja nga Parga” të shkrimtarit Enver Kushi.)

Mbrëmë më telefonoi miku i nderuar, Enver Kushi, shkrimtar, publicist, skenarist, muzeolog, esseist dhe kulturolog, një patriot dimensional e urtak i çështjes Çame…Më dha kumtin e gëzuar të botimit të librit të tij të ri, “ZONJA NGA PARGA”. Ky lajm më lumturoi, gati-gati si një vetëprezantim. Zëri i tij më ngjalli në kujtesë stuhi kujtimesh të herëshme e të reja, kur në qytetin tonë, në udhëkryqin e varfër Rrogozhinës, ai mësuesi e unë nxënësi, student në Fakultetin e Letërsisë, merrnim rrugën përmes fushëtirës ku bënim xhiron e mbrëmjes, ndërsa ktheheshim nëpër lakoren e lartë të trasesë së hekurudhës, që ngrihet si pod natyral duke e rrethuar qytetin me mure e bedena, pse jo edhe me porta-ura, që i japin hijen misterioze të një Troje moderne…

Novelën, që mund ta quajmë një roman bashkohorë, e lexova njëfrymësh. Rrëfimi i Enverit rrjedh lirshëm, vishet me një lirizëm epik, që subjekteve tragjikë e tronditës të Çamërisë i shkon natyrshëm. Libri është një prurje e re, një vlerë e shtuar për letrat shqipe dhe bibliotekën shqiptare, është tragjedia e popullsisë çame, para së cilës tragjeditë antike greke duhet të përkulen më dhimbje, respekt e veneracion…Proza rrëfimtare e Enver Kushit, është një tejqyrëse krejtësisht e veçantë dhe origjinale që dallon kryekëput nga rrëfimet e patriotit të tij çam, shkrimtarit Bilal Xhaferri! Enveri ka një stil ku gjuha, dygjuhësimi greko-çam, përshkrimi inkandeshent, melodioziteti i alvanishtes, tablot madhështore të natyrës, skenat tragjike të jetës në Pargë, drithëruese e madhështore, pse jo, të denja për t’u krahasuar me tragjeditë eskiliane, ngjyrat e freskëta i kanë të gjalla, sa të krijohet bindja se nuk po lexon, por shikon në ekran, po shfleton një album pikturash, ku bojërat janë ende të pathara e duken sikur rrjedhin gjak e kaltërsi…

“ ZONJA NGA PARGA” është një vepër rrëqethëse, sjellë përmes një proze poetike, një simfonie për çështjen çame, tragjedi shumëdimesionale, bukurie hyjnore të relievit të saj magjik, filozofisë mistike, gjuhës së lashtë me ëmbëlsi dhe melodiozitet emocionues, që të zgjon kujtimin e poemës së Naim Frashërit: “O alithis pothos ton Skipetaron”, “Dëshirë e vërtetë e shqipëtarëve”…Me dygjuhësinë greko-shqiptare, Enver Kushi, pohon qytetarinë e lartë, vlerat e shpirtit shqiptar, krenarinë, madhështinë për t’u ngritur mbi etno-psikologjinë e fqinjëve që i falet edhe sot e kësaj dite perëndive të luftës, kur shqiptarët lartësohen në altarin e munguar të paqes nën hijen e Lisit të Dodonës…Ti referphemi: “…Bila ime e mirë…drita e gjishit..! Ku të laç, bila ime e mirë.!? Ah, bila ime e mirë, ku na mbete….! Botë e Shqipërisë më ka mbuluar, bila ime e mirë, si ill! Hidhi pas krahëve ato që kanë nglarë! Selam bëju gurëve të Çamërisë! Selam bëju detit dhe Pargës…Selam bëju ullinjve…”!

Kjo vepër-flamur e çështjes çame e ngre mikun tim, Enver Kushi, në frymëzuesin e kauzës çame, në apostullin e Çamërisë së martirizuar, që duhet të përkthehet: së pari, në greqiasht, së dyti, në gjuhët e Ballkanit, që ka qenë e mbetet “fuçi baruti”, dhe në të gjitha gjuhët e botës, për të mos parë më skena tragjike e genocide mes popujve.
Novela e Enver Kushit është një paqyrë e historisë, ku cilido duhet të shohë dhe turpërohet nga shembëllimi i së djeshmes, që më së shumti vlen për ato të cilët, si narcistë bien në dashuri me vetveten, kur duhet të turpërohen për qëndrimin ndaj “bashkëpatriotëve të padëshiruar”, që ua kthyen djepin, tokën amë dhënë nga vetë Zoti dhe të parët e fisit të arbërit në thertore, ku gjaku rridhte sokakëve e përskuqte horizontet e pafajshëm…Duhet të gjëmojnë këmbanat e pendesës për ato, që, edhe sot e kësaj dite në gëzime, e hedhin këmbën sipas valles proverbiale me motive çame, “Çamiko”, një perlë e shpirtit artistik çam që përcillet nga brezat në shekuj…

Duke mënjanuar rutinën e marrëdhënieve tona të përditëshme miqësore, unë e kam pasur të vështirë të përballoj tek kjo novelë, befasinë që më ka dhënë zbulimi i poetit, i cili ka qëndruar shumë kohë pranë meje i kyçur brenda shokut dhe prozatorit, dhe që Enver Kushi është ftuar ta çkyçë falë metaforizmit të qenies së tij poetike, e cila ka spikatur përgjatë gjithë krijimtarisë së tij. Enver Kushi luan plot sukses në prozën e tij me frymën mistike, që këtij subjekti i shkon përshtat. Mistika çame, etnopsikologjia e saj, relievi hapësirat e braktisura ku kullosin rrufetë, si një masë plasteline shumëngjyrëshe, në dorën e tij marrin lehtësisht e thjeshtë formën e dëshiruar me një qartësi gati-gati vizive e filmike.
Enveri krijon një botë virtuale shpirtrash, ku në sfondin e melodive çame që unë i dëgjoja shpesh nga fëmijëria ime në qytetin e Rrogozhinës, kënduar nga pleqtë e lagjes së “Çamëve” dhe zërin brilant të xha Rizait nën dritën e zbehtë të kandilëve, thirreshin me oi të vd, ekurit e fisit… Kështu dhe prozatori Enver Kushi, i thërret me emër, me dashuri, respekt e venerecion, përkulet me përunjësi para shpirtrave të tyre parajsorë, teksa mbërrijnë nga viset e lumenjve Kalama dhe Aheron, Filati, Qafa e Zaganit, etj…

Vijnë burrat me trupat e qëndisur tërë plagë e gjak e gratë me shami të skuqura e të lagura me lot, me një nur e bukuri rrezëllitëse. Janë të gjithë ata që ai dhe fisi i deshi aty, rrënjët dhe krenaria e tyre, janë dramat, tragjeditë, dëshirat, kthyer në subjekte origjinalë, që si “valle të ngrira” përfaqësojnë traditat eterne çame. Prozat dhe rrëfejat e Enver Kushit përngjajnë si një tufë sonetesh, por që derdhen plot elegancë si mëndafsh farfuritës në prozën e tij krejtësisht të veçantë, që hera-herës të kujton realizmin magjik të korifejve amerokano-latinë të prozës.

Ja një poezi e stilizuar nga unë sipas nga proza e tij:

…këtu i kam të gjitha…Ah, korba, u…
të ngrira, të pagosura brenda kurmit tim:
gluhën alvanishte të bilave nën ullinj th, erur
e të djelëve vr, arë kalldrëmet…Kutu i kam
dhe zërat e gjishit e gjishes sime të pafrimë

çamofshatrat e pakallur në dhe…Hije limonjsh
pa dremitur…Këtu i kam, zërat e nusë e babait
motrës ferishtë e vëllait që në furrë ma poqnë
hingëllimnë e glatë të doriut e blegërimnë e tufës

kutu i kam, kumbojnë brenda kurmit tim!
leri këto zëra…Mbaj mend shi e ul, ërima erërash,
janë fëmila ime e munguar…Kutu i kam..!

Burimi: Gazeta Mapo – https://gazetamapo.al/vaji-i-nje-cameje/