Vajza nga Zadrima!

Ka dy sy të shkruar
Ballin porsi hënë
Gjithë dashuritë
Zemra ja ka nxënë!

Dhe faqen me push
Si cipë e një pjeshke
Në buzën si prush
Fillimi i një kënge!

Ik, po nuk më iket
Vajzë moj nga Zadrima
Flokët lëshojnë nure
Sytë vetëtima!

Unë digjem i tëri
Ty të ndrin fytyra
Më jepesh moj peri
Vetëm nga piktura!

… Do ketë qënë vjeshtë e 1975! Në fillim të maturës! Bujar Arizi, shoku i klasës bëhej gati për konkurs në Institutin e Arteve për pikturë dhe përgatiti një cikël pikturash! Unë një cikël vjershash përbri tyre dhe i ekspozuam në faqet e murit të korridorit të shkollës tonë, gjimnazit “Sami Frashëri”! Suksesi shumë i madh! Vajzat e shkollës na shihnin si artistë të vërtetë. “Vajza nga Zadrima” më la pa mëndje vërtet ndaj i thura këto vargje naive por që i mbaj mend!Ne fluturonim nga suksesi!

Për ti dhënë më shumë vlera vetes, që të shkonim drejt ëndrrës në fakultetet që donim, ishim të parët që punuam 1 vit në Fierzë! Atje ku kish nevojë Atdheu! Mirëpo ishte kohë e pabesisë së madhe! Bujari nuk shkoi dot në Insitut të Arteve! As unë ku ëndërroja, mjekësi apo fizikë! Vendin e Bujarit e zunë ata që sot nuk janë piktorë! Timin?!

Unë nuk besoj se do bëhesha doktor me emër apo fizikant por…! Bëra një shkollë Institutin e Lartë Bujqësor për ti shpëtuar ushtrisë! Një vit më parë motra kish filluar inxhinierinë dhe dy të drejta studimi nga një familje nuk lejohej! Nuk ish si sot! Universiteti ish me triskë!

Sot Bujar Arizi është piktor me emër jo vetëm në Greqi e Itali por deri në Amerikë! Ai botoi në faqen e tij këtë vajzë me kostum kombetar tonin dhe mua mu kujtua dashuria e parë, “Vajza nga Zadrima”!

Nga Ilir Kadia/Naishtedikur.info