Parisi i vogël… qyteti i serenatave, i rrugicave me kalldrëm ku u këndohej hireve të bukurisë… ku pagëzohen histori dashurie që një ditë shndërrohen në fabula romanësh interesantë… ku lind ndjenja dhe emocioni, ku tjetërsohen karaktere dhe marrin jetë betimet për një dashuri të përjetshme. E tillë ishte dhe njohja mes atyre të dyve, Niko dhe Vali Kanxheri. Një marrëdhënie e veçantë, e ndërmarrë nga dy njerëz krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri… aty ku pikëtakimet bëheshin të ngjashme dhe i jepnin jetë dashurisë që lindi nga të dy. Për Nikon, arsyeja e fortë dhe dashuria me mendje ishin pasqyra ku shihte veten, ndërsa për zonjën e tij, Valin, kishte vend edhe për pasion. “Unë e kam gjetur mashkullin ideal, është shtylla që më ka bërë të vazhdoj atë lidhje që edhe sot e jetoj”, shprehet Vali në rrëfimin e saj. Të qëndruarit bashkë i ka ndihmuar të njohin karakteret respektivë, të japin e të marrin nga vetja për të ushqyer çdo ditë një marrëdhënie që ka triumfuar edhe pas 35 vjetësh. Cili është sekreti i artistit dhe stomatologes, i modelit që ata ofrojnë si çift, bashkë me ndasitë dhe përqasjet e secilit… përgjigjet e tyre ata i rrëfejnë në intervistat e mëposhtme.

Niko Kanxheri: Jo vetëm dashurova …bëra zgjedhje

Në formë postulati: ç’është gruaja për ju?

Për mua gruaja është domosdoshmëri. Kam dy arsye për këtë: arsyeja e parë është atavike, e vjetër sa vetë njeriu, brenda së cilës qëndron ashtu si graviteti, nevoja për t’u riprodhuar, që është kursi më gjenial që ka krijuar ky rrumbullak që quhet glob. Pra, them që çdo qenie i është nënshtruar kësaj arsyeje, me apo pa dëshirë. Ky është themeli i një marrëdhënieje sipas meje. Arsyeja e dytë është që unë jam lidhur me Valin, gruan time, pikërisht në një moment kur ndjeva se gjithçka përreth, jeta bohemiane, ajo rinore, në rrugë, nëpër lokale, me kënaqësitë e moshës gati-gati po më lodhte, po më venitej. Nuk gjeja më kuptim. Dhe pa e llogaritur me laps e letër, më lindi nevoja krejt natyrshëm për të krijuar një vatër. Desha një vend të qetë, të ngrohtë. Dhe për këtë detyrimisht duhej një femër. Kisha dhe një parim në jetë, që ishte disi tradicional për mua. Populli thotë “Gruan dhe kaun merri nga vendi yt”. Dhe kështu u drejtova tek Vali.

Çfarë është ai detaj i veçantë i një gruaje që ju bën të tërhiqeni drejt saj? Ç’ju tërhoqi te zonja në momentin e parë?

Gjëja e parë që përfytyrova duke parë portretin, fytyrën e saj, ishte si një pyetje që ia drejtova vetes: Si do të jenë fëmijët me Valin? Dhe përgjigjja ishte e gjitha në sensin pozitiv: Duhet të jenë të mirë. Detajet që më tërhoqën tek vajza që kisha përballë, ishin të ndryshme. Pikësëpari mendova: kjo vajzë nuk është shumë e emancipuar. Unë e pranoj emancipimin, por vetëm kur ai vjen organikisht. Kur është i vërtetë, jo i sforcuar. Duke iu referuar edhe imtësive: tualetet, veshja. Më kanë bërë përshtypje kurora e dhëmbëve të saj, fytyra. Ajo ishte një vajzë e shkurtër. Vali ishte e patrukuar, e pazbukuruar… më tërhoqi thjeshtësia, ndrojtja e saj. Më ngjante sikur brenda saj vlonte thirrja: unë kam nevojë për një vatër, shtëpi. Sot, pas 35 vjetësh bashkë, them me bindje se nuhatja ime nuk ishte e gabuar.

Shpesh, në nënvetëdijen e një burri ekziston një model për gruan e jetës…

Njeriu sa është i ri, njeh lloje të ndryshme femrash. Të them të drejtën, pretendimi im për gruan e jetës ishte paksa racional dhe jo të kapesha fort pas kontaktit. Nuk isha më shumë për të dashuruar, sesa për të bërë një zgjedhje. Nuk e doja shumë të moderuar, jo të lokaleve e kafeneve… Unë e doja femrën të shëndetshme. Ndërsa, kriterin e gjatësisë e përjashtova në mënyrë absolute, nuk më hynte në punë. Modeli im për gruan e jetës ishte modeli sipas Nikos.

Për të qëndruar edhe pak te modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë (kompleksi i Edipit)…

Unë nuk e pranoj absolutisht. Ime shoqe me nënën time nuk ka asnjë gjë të përbashkët, përveç emërtimit femër. Nuk më ka shkuar kurrë në mendje apo psikikën time që të gjej një model të gruas të ngjashëm me nënën time. S’e shpjegoj dot…

Çfarë vjen pas pasionit në një marrëdhënie burrë- grua? Sa gjatë reziston një marrëdhënie? Nga se varet jetëgjatësia e saj? Ç’ofron përvoja juaj?

Marrëdhënia burrë-grua ka një bazament, të cilin asnjë qenie e gjallë njerëzore nuk e mohon dot, që është instinkti. Është ai kurth i madh që ka krijuar natyra për t’u riprodhuar. Me pak fjalë, është pasioni pra, i femrës për mashkullin dhe anasjelltas. Unë vetë nuk e vura në plan të parë pasionin, e dija që ai ekzistonte, por jo primar. I dhashë rëndësi diçkaje tjetër. Shikimi im nuk qëndroi aty për aty, por kaloi tek e nesërmja, e pasnesërmja, e me radhë. Ishte si një parashikim nëse do të ishim bashkë edhe atëherë kur vetë koha do të ndryshonte… kur vjen një stinë që quhet vjeshtë, pastaj vjen një dimër i ftohtë. Kur vdesin interesat, dhe ka rrezik të ndodhesh përballë një njeriu që nuk e ke njohur kurrë. Në çdo kohë i nënshtrohesha një arsyeje tepër të fortë…

Që një burrë e një grua të rrinë bashkë duhet të kenë natyrë, karaktere të njëjta? Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Mua më shijon që të gjej tek partnerja atë që nuk e kam unë. Më shijon e papritura. Kam bindjen se kjo sikur e mban gjallë marrëdhënien. Zbulon çdo ditë gjëra të reja, sepse jeta sjell ngjarje, fakte të paparashikuara dhe nis e zbulon diçka të re tek partnerja. Për mua ky është si një ushqim, një qarkullim gjaku. Unë e njoh veten për njeri racional, ndërsa Vali është më instiktive, më intuitive. Ndonjëherë shoh një femër që gati është e papërgatitur për të papriturat e jetës, ndërsa unë i bie hundës dhe arrij të dalloj atë çka do ndodhë nesër, pasnesër. Duke i mëshuar arsyes së fortë, përplasjes së fakteve, arrij gjej një zgjidhje. Motori im në familje, është dëshira për të mbajtur situatat në paqe, për të ruajtur statusquon, për të mos prishur punë. Domethënë, jam më tolerant si individ. Në aspektin e këmbënguljes, është ime shoqe ajo që triumfon. Ndërsa, kur duhet të vendosim për gjëra madhore, unë kam shprehjen time: e bëj krevatin gropë, nuk fle gjithë natën, dal në ballkon, pi cigare, deri sa të gjej një zgjidhje dhe të marrim një vendim. Me vogëlima nuk kam qejf të merr.

Gruas, në të gjitha kohët, i kanë veshur imazhin e qenies së mistershme. A ia keni dalë ju ta njihni gruan, “seksin e dytë”, në përgjithësi?

Ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti… unë konstatoj se Valin e kam “çmontuar” të tërën. Ajo nuk ka fuqi që të fshihet para meje, ndoshta është çështje dobësie. Shpesh më pyet: po nga e di ti Niko, si e more vesh këtë gjë? Dhe indirekt vlerësoj diçka tjetër: ajo nuk merr masa për t’u fshehur. Ajo është e deklaruar përpara meje. Nuk ka mistere mes Valit dhe meje, kurrsesi.

Si i keni ndarë rolet në shtëpi ju dhe zonja juaj? Sa tradicional është rasti juaj?

Unë një këmbë e kam në traditë. Jam viktimë e kësaj. Mua më shijon të jem tradicional. Nuk bëj përpjekje për ta fshehur këtë gjë, madje e përqafoj këtë që vjen. Duke qenë i tillë, jo se përtoj të bëj punë që i takojnë natyrës së gruas, por me plot gojën them se çelësat e shtëpisë ia kam dorëzuar sime shoqeje… pjesën financiare t’ia besoj Valit. Ajo është më e kursyer, më e mbledhur. Për sa i përket pazareve, punëve të shtëpisë, nuk dal gjithnjë partizan për t’i bërë. Kam një parim timin: gruaja dhe burri janë gjenialë në fushat e tyre. Në situata të veçanta, unë kam qenë grua dhe burrë. Kam pastruar, kam fshirë, larë, kam gatuar, etj. Tamam si një grua e mirë. Të tilla detaje e mbajnë gjallë marrëdhënien, ndryshe nisin problemet.

Klisheja thotë: gruaja sakrifikon për burrin. Një burrë, ndihet i përkëdhelur apo e sheh sakrificën si detyrë të pashmangshme bashkëshortore?

Pata fat për Valin. Njeriu nuk e parashikon dot se ç’do të ndodhë pas 20 vitesh kur lidh jetën me partnerin respektiv. Gruaja ime, në natyrë, në karakterin e saj ka kënaqësi të madhe të bëjë sakrifica. Kjo shkon deri në atë pikë, sa mua më dhëmb. Ndihem i privilegjuar. Madje, ajo nuk pret as shpërblim. Dhe në këtë pjesë ndjej që i kam hyrë pak në hak. Pse? Sepse nuk e bëj dot atë që bën ajo. Jam disi dembel, neglizhent në këto gjërat e vogla dhe të përditshme.

Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift. Është mirë të jenë apo përkundrazi, diskutimet e punës, sidoqoftë, duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?

Mua më ka shijuar jashtë mase që kemi profesione të ndryshme që në dukje dhe në lëndën e tyre nuk përkojnë me njëra-tjetrën. Vali e pëlqen artin. Nuk është një mjeke e ftohtë, e akullt… Ndonjëherë është shtytëse e madhe… më shpon të shkojmë në premierë, në opera, në kinema. Gjëra me të cilat edhe jam lodhur pak. Ajo që më mahnit tek gruaja ime është jo vetëm interesi për artin, por edhe aftësia që ajo ka për të shpjeguar një rol timin në film a teatër Ndonjëherë ngrij, sepse brenda fjalëve të saj ka një konstatim thellësisht profesional. Emocionet e saj para premierave të mia janë në nivelet maksimale. I përjeton sukseset njësoj me mua dhe jeton me emocionet e mia. Nuk kursen kohën, kujdesin, merakun. Ndjej një komoditet të jashtëzakonshëm kur jam i ikur në punë. Ndërsa, interesi im për stomatologjinë… Dashje apo pa dashje i jam përgjigjur këtij interesi edhe kur ajo ka sjellë dhëmbët e klientëve në shtëpi. Jam bërë gjysmë stomatolog. Shpesh kam hapur edhe librat për të mësuar për një element të caktuar. Ajo punon me një objekt aq të vogël, që ka një arkitekturë të mahnitshme. Kjo ka ardhur ngrohtë, butë… nuk kemi kurrë korrent për shkak të profesioneve të ndryshme që kemi. Diskutojmë të dy në shtëpi, rrëfehemi për problemet që na shoqërojnë gjatë punës. Unë më rrallë, ndërsa Vali e ka thuajse të përditshme. Problemet me pacientët i ndan edhe me mua, dhe unë nuk bezdisem aspak.

Sa i vëmendshëm jeni ndaj vogëlimave, të cilat rëndom gratë i vlerësojnë? Për shembull, a bëni dhurata? A i respektoni datat e rëndësishme, a kujtoheni për to?

Këtu më keni zënë gafil. Në këtë pikë jemi thuajse të kundërt. Gruaja ime është tejet e kujdesshme për ditëlindjet, për përvjetorët e martesës, për ditëlindjet e fëmijëve, për një ftesë tek një mik… Unë jam krejt dembel për kësi gjërash, po shyqyr që kam hostenin që më shtyn. Nuk i vlerësoj sa duhet ditëlindjet e mia, të fëmijëve… edhe dhuratave nuk u kushtoj shumë interes. Dhurata e fundit që kam bërë kanë qenë lulet.

Thuhet se shekulli XXI është shekulli i grave…

Për të qenë i ndershëm, s’më vjen mirë të gënjej në këtë moshë… do kisha dëshirë që shekulli XXI të ishte shekulli i grave. Shumë pak ose aspak ajo është në gjendje ta përligjë. Dëshiroj që femra të jetë kreu në këtë shekull, por kjo të vijë në mënyrë organike, jo artificiale. Të përligjet me njohuritë, dijet, aftësitë e saj. E këtë të them të drejtën nuk para e shoh. Më tepër është kthyer në situata fushatash… duke angazhuar gra në politikë, në fondacione të ndryshme, por jo. Femra dhe mashkulli janë dy zotër, por në fusha të ndryshme. Por, në drejtim të rolit të femrës, duhet bërë më shumë nga të gjithë.

Vali Kanxheri:Do ta ushqej pasionin deri në “dimrin e madh”

Në formë postulati: ç’është burri për ju?

Burri është personi që identifikon një karakter të veçantë, ndryshe nga femra në natyrën njerëzore. Për mua një mashkull është plotësimi i jetës në të gjitha aspektet, ashtu siç sot them se e kam përjetuar. Në të gjitha gëzimet apo problemet më ka plotësuar jetën. Mashkulli është një nga ato shtylla të forta që ndikon në përvijimin dhe vazhdimësinë e jetës, të lidhjes. Unë e kam gjetur mashkullin ideal, është shtylla që më ka bërë të vazhdoj atë lidhje që unë e jetoj edhe sot.

Si duhet të jetë një burrë që të tërheqë vëmendjen tuaj?

Kam pasur dëshirë që të ishte inteligjent, të ishte i kultivuar… por nuk do të më kalonte pa mbresa dhe paraqitja e jashtme. Edhe kësaj i kam vënë rëndësi.

Shpesh, në nënvetëdijen e një gruaje ekziston një model për burrin e jetës…

Të gjithë kanë pasur nga një model në kokë dhe unë them se atë model, qoftë për të gjitha mendimet që kam pasur, e kam realizuar me njeriun që kam zgjedhur.

Për të qëndruar edhe pak te modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë, ashtu si vajzat kërkojnë figurën e baballarëve (pak a shumë). Dëshironi ta kundërshtoni? E kam fjalën për rastin tuaj? Kompleksi i Edipit…

Babai im është shumë i dashur, familjar, xhentil dhe Niko i gëzon këto tipare të tija, mirëpo nuk e kam vuajtur kurrë që nuk ngjajnë në shumë gjëra të tjera. Ka veti që ngjasojnë, ka dhe të tjera që nuk përputhen.

Çfarë vjen pas pasionit në një marrëdhënie burrë- grua? Sa gjatë reziston një marrëdhënie? Nga se varet jetëgjatësia e saj? Ç’ofron përvoja juaj?

Pasioni është themeli i një marrëdhënieje, edhe i jetëgjatësisë. Unë do ta ushqej pasionin deri sa të vijë një “dimër i madh”. Them se ne e kemi shoqëruar me një arsyetim të fortë dhe mendoj se kemi arritur një miqësi shumë të fortë. Pas kësaj miqësie u krijua një dyshe e pandashme, që ka nevojë shumë për njëritjetrin…, që më mbrapa kjo dyshe krijoi dhe familjen, fëmijët. Në fillim erdhi djali, pastaj vajza, dhe sot një vajzë tjetër, që në fakt është Klodiana, e fejuara e djalit.

Që një burrë e një grua të rrinë bashkë, duhet të jenë të njëjtë? Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Kemi shumë pika ku takohemi dhe shumë të tilla ku ndahemi. Unë them gjithnjë, që të dy bashkë u kemi vënë shumë rëndësi atyre pikave ku takohemi. Gjithnjë shikoj gjysmën e mbushur të gotës. Jemi dy njerëz që bëjmë një të tërë.

Pse keni zgjedhur të mbani mbiemrin e bashkëshortit?

E mbaj mend atë ditë, kemi qenë në Korçë. Zgjodha mbiemrin e bashkëshortit duke menduar një të ardhme, se do të kisha fëmijët e mi dhe pse të mos kisha edhe unë të njëjtin mbiemër me ta, por që s’ka qenë ndonjë gjë tepër domethënëse. Pastaj, Niko e kishte me qejf dhe nuk mund t’ia prishja këtë dëshirë.

A ndryshon burri në këndvështrimin e gruas pasi ai është bërë babai i fëmijëve të saj?

Në marrëdhënien tonë, pas lindjes së fëmijëve, lidhja pati një ndryshim të madh, për mirë. Shumë cilësor. Niko ishte një njeri që më rrinte mjaft afër dhe unë e ndjeja dhe e kërkoja. E desha si person që të mos më ndahej në asnjë çast. U bëmë që të dy më të përgjegjshëm.

Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe burri juaj? Sa tradicional është rasti juaj?

Janë të dyja të gërshetuara. Edhe tradita, edhe modernia. Por nuk kemi asgjë të ndarë me thikë. Në përgjithësi, për punët, mua më duket se Niko do të m’i ngatërrojë, por nganjëherë e kam gjetur veten gabim, e kam parë që ai i ka bërë më mirë.

Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift? Është mirë të jenë apo përkundrazi, diskutimet e punës, sidoqoftë, duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?

Ne problemet e punës i marrim me vete, kudo shkojmë. Asnjëherë nuk i kemi lënë jashtë dere çështjet që kishin të bënin me profesionin. Kam dëgjuar shpesh që të jetosh me një artist është sakrificë. Por, për mua është privilegj. Them që jeta me emocione është më e bukur se ajo e zakonshmja. Mua nuk më shpëton asnjë artikull apo kritikë për Nikon. Kam dhënë mendime për rolet, skenarin. Sa herë vjen me ndonjë të tillë, interesohem dhe mundohem ta shtyj që të mos lërë asnjë punë pa bërë. Edhe unë në pozicionin tim i kam lejuar të më japë ndonjë mendim.

A e keni të nevojshme vëmendjen mashkullore ndaj “vogëlimave”? Pretendoni dhurata nga burri? A merrni?

Jam shumë e vëmendshme. Merrem shumë, nuk dua të më kalojë asnjë datë, asnjë kujtim, kur jemi takuar apo parë, kur jemi kënaqur në ndonjë festë. I kam të gjitha me fotografi dhe i mbaj mend. Këtu ne nuk takohemi me Nikon. Ai është fare i kundërt dhe unë mund ta konsideroj këtë si të metë. Dhuratat i kam shumë qejf, i bëj rregullisht.

Çfarë dhuroni zakonisht për ditëlindje? Çfarë merrni zakonisht dhuratë?

Varet nga personi që ia bëj. Lulet i kam shumë qejf, i vlerësoj. Tek Niko fokusohem në përgjithësi tek ajo ç’ka mund ta kënaqë atë. Nga gjërat e vogla më pëlqen ndonjë çakmak, se ai e pi shumë duhanin, s’ka hequr dorë prej tij. Më thotë shpesh se e ka armikun më të mirë. Ndërsa ai vetë, në momente të veçanta, dhuron lule duke e ditur që unë kam simpati për to. Sidomos kur është koha e luleve dhe i dalin përpara.

Thuhet se… shekulli XXI është shekulli i grave…

Foto: Top-Channel

Do të ishte një mrekulli dhe të lutemi që të jetë kështu, por unë kam mendimin se kjo gjë duhet të vijë organikisht. Jo shumë e shtirur apo e forcuar, dhe ta kërkosh me zor. Urojmë që të jetë kështu… shekulli i grave!

Psikologji Mars 2011

Marrë nga: revistapsikologji.com/