Imagjinoni njerëzit-hije që shëtisnin rrugëve të Tiranës në 1975, duke ecur me kokën e kthyer pas… Institucionet që ishin të rrethuar nga vëzhgimet e partisë, kujdesi i të gjithëve për t’i matur mirë fjalët që nxirrnin nga goja. Në gjithë këtë atmosferë ishte një fshat në Shqipëri, ku nuk kurseheshin për të ngritur volumin e magnetofonit deri në fund. Në Dardhë të Korçës po xhirohej filmi “Dimri i fundit”.

Darkave, të rrethuar e mbrojtur nga bora, rrethi i ngushtë i ekipit të xhirimit dhe aktorëve vallëzonin deri në mëngjes nën tingujt e muzikës që pëlqenin. Askush nuk i spiunonte, askush nuk vinte veshin pas derës, ishin të lirë të kërcenin siç thuhej se bënin korçarët diskove të Amerikës. Ilia Tërpini u është rikthyer edhe një herë kujtimeve të atyre ditëve të gjata të dimrit që, për shkak të borës që shkriu, u detyruan të qëndronin edhe më gjatë… “Rajmonda Bulkun unë e kam xhiruar për herë të parë kur sapo e kishin gjetur për te ‘Dimri i fundit’.

Ato ditë që ne po kërkonim aktoren e përshtatshme për rolin e saj, Rajmonda kishte ardhur për pushimet e janarit, nga Cërriku në Tiranë. Ishte 17 vjeçe, në vitin e tretë në gjimnaz, dhe njëri nga dy regjisorët e filmit, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, e kishte parë bashkë me dy vajza të tjera në rrugë dhe unë e fotografova menjëherë sapo ai e pa. Më pas e morëm për kinoprovë. Shkuam në Cërrik, takuam të atin që e kishte oficer për të kërkuar leje, sepse ishte ende e vogël. Krijuam menjëherë marrëdhënie të mirë bashkë dhe jemi miq ende sot.

U bëmë aq të afërt saqë kur erdhi koha që do të fejohej, djali me të cilin u martua, siç ishte e zakonshme të ndodhte atëherë, erdhi më pyeti ç’mendim kisha për të. Sigurisht që i thashë fjalët më të mira dhe siç dihet më pas të dy u martuan. Te ‘Dimri i fundit’ kemi kaluar kohë shumë të bukura. Mund të them që është një nga rastet e rralla që kemi pasur kohë aq të bukura. Grupi i filmit ishte prej 70 vetash dhe për ne u hap enkas kampi i punëtorëve të Dardhës në Korçë.

Drejtori i kampit ishte mjaft i pasionuar pas artit dhe na ka trajtuar në mënyrë të veçantë. Përveç tij, i gjithë fshati na ka mbajtur si jo më mirë sepse edhe ne morëm disa nga fshatarët për film. Për një rol të vogël paguanim 200 lekë në ditë, por mendoni që fshatarët duhet të punonin sa e sa ditë, për 14 orë, që të merrnin kaq para. Një natë na merrte njëri, një natë tjetri. Ishim edhe mjaft të organizuar dhe bënim përnatë mbrëmje vallëzimi, por nga ato që në Tiranë nuk lejoheshin sepse i futeshe burgut vetë. Kërcenim e pinim si të donim.

Jashtë ra dëborë e madhe dhe s’lëviznim dot prej andej as deri në Korçë. Imagjinoni që Liza Laska, aktorja e Vlorës, ishte e sëmurë me zemër dhe Komiteti na caktoi një doktor enkas për të. Doktori ndenji me ne nga fillimi deri në fund të xhirimeve. Kërcenim e kërcenim për orë të tëra e më pas ashtu, të djersitur, dilnim e kërcenim jashtë në dëborë. Margarita Xhepa thoshte sa herë që kishte kaluar kaq shumë përvoja, por mbrëmje si ato nuk kishte parë.

Përveç vajzave nga Tirana kishim marrë edhe rreth 20 vajza nga Korça, të gjitha ishin të emancipuara dhe grupi i ngushtë ishte i sigurt, ishim të bindur që nuk dilte fjalë, nuk spiunonte njeri sepse edhe aty ishim të izoluar. Ka qenë një nga kohët më të bukura që kujtoj”, përfundon Tërpini, shkruan Panorama.