“Vallja shqiptare”

Tri here opinga rrahu dheun
Sikur kërkoi leje prej tij,
Pastaj shamia palët ndehu
Me qetësi dhe madhështi.

Kështu midis qiellit edhe botës
Vallja u lind, vallja u shpall,
Këmba sinjale i çon tokës
Dhe dora qiellit i jep lajm.

Dhe vallja rrokulliset tutje
Në kohëra hedhur si hobe,
Prilli përsipër i hedh lule,
Dhjetori borën shkund atje.

Valle shqiptare, shenja n’erë,
Ylbere tirqesh tej-tëhu,
Kush ju kërceu ju njëherë
Dhe këmbët rob s’i mbenë te ju.

Kush ra midis vorbullës suaj
Dhe s’u përzhit, dhe s’u përflak,
Ju bubullima me opinga,
Që nëpër shekuj bridhni varg.

– Ismail Kadare