Besim Zekthi lindi më 5 shkurt 1936 në Tiranë, kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.

Folku shqiptar dhe etnosi, një ndër traditat më të papërsëritshme në historinë e përfaqësimit të identitetit tonë kombëtar në botë, një nga resurset më të pasura të visarit tonë shpirtëror, nuk mund të kuptohet pa vallën popullore dhe vetë ajo në gjënezën e saj, deri sot, nuk mund të identifikohet me asgjë tjetër, vetëm me “Vallja e shqipes”, apo “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Kreshnik e Lirisë”, etj.

Ndërsa shoqëritë zhvillohen dhe ne përpiqemi të jemi në një hap me ta dhe modernizimin që pa asnjë mëdyshje, ka prekur dhe përfaqësohet dhe nga ndryshimet në art, folku në tërësi dhe vallja popullore në veçanti, dëshmojnë se janë maja të dimensionit tonë artistik dhe shpirtëror. Dhe vallja popullore në ecurinë e saj, në mëvetësimin e saj, si traditë dhe vlerë kombëtare shqiptare, nuk mund të kuptohet pa përfaqësuesin e saj më të spikatur, Besim Zekthi.

Loading...

Artikulimet për Zekthin janë të shumta, veç morisë së çmimeve, titujve dhe nderimeve, që e kanë ndjekur për katër dekada. Tek ai arti në tërësi dhe vallja në veçanti, kanë skalitur tiparet e një personazhi që rrezaton. Gjithçka tek ai është përplot, megjithëse në rrëfenjën për jetën dhe veprimtarinë e tij në art, nuk ka gjasa të japë dorëheqje.

“KAM BINDJEN SE UJI DO TË SHKOJË NË RRJEDHËN E VET, ATJE KU DUHET TË SHKOJË. ÇDO GJË MUND TË HARROHET, KULTURA E KOMBIT NUK MUND TË HARROHET. NUK MUND TË KETË KOMB PA NJË KULTURË TË TRADITËS, TË LASHTËSISË, TË JETËS, ATY KU KA LINDUR AI KOMB DHE ATY KU KA PASQYRUAR JETËN, HISTORINË, PUNËN, VAJIN, GËZIMIN, VALLEN, KËNGËN, INSTRUMENTIN, KOSTUMIN POPULLOR, TË GJITHA KËTO JANË SHKRIRË NË HISTORINË E KOMBIT TONË. JANË MONUMENTET E KULTURËS, AJO S’DISKUTOHET, POR MONUMENTE MË TË GJALLA SE SA MUND TË JENË VALLET DHE KËNGËT E HISTORISË SË KOMBIT TONË NUK KA.”

Në një nga intervistat e dhëna ai tregon edhe se si lindi vallja e famshme “Festë të madhe ka sot Shqipëria”:

“Me rastin e 50-vjetorit të Festës së Flamurit në Vlorë, isha i ftuar, ndërsa në një program qeveritar që do të mbahej atë natë, për nder të festës ndodhej një grup kosovarësh që rrinin në Rrushbull. Ata kanë pasur një rapsod, të quajtur Dervish Shaqja, një rapsod që rrallë e sjell historia e tokës si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë. Atëherë, për të përshëndetur nga ana e Kosovës këtë natë feste të 50-vjetorit të Flamurit ishte zgjedhur grupi i Dervish Shaqes.

Dhe kënga e Dervishit filloi: “Festë të madhe ka sot Shqipëria, këngë e valle për jetën e re, brohorasin të gjithë nga zemra, rrofsh sa malet, o jubile”. Kjo këngë pas një viti, u bë himni i valles “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Këtu filloi embrioni i kësaj valleje, nga kënga madhështore e jubileut të flamurit dhe që u bë simbol i kulturës kombëtare shqiptare në gjithë botën, deri në Gjerdanin e Artë në Francë.”

“Unë gjithë jetën time rëndësinë më të madhe ia kam vënë interpretimit, çfarë ka dashur shpirti i popullit me thënë me atë. Në qoftë se nuk ke arritur ta zbërthesh shpirtërisht, nuk ke bërë asgjë, je një kukull, nuk ke asnjë vlerë, prandaj fatkeqësia është se në këto raste mjeshtrit e mëdhenj duhet të punojnë jashtëzakonisht shumë me këta elementë të rinj që janë mësuar të kërcejnë gjoja në mënyrë moderne, do të thosha, është pseudomoderne, nuk është absolutisht moderne, moderne është ajo që është antike, janë monumentet e kulturës, janë piramidat e Egjiptit.

Kanë nevojë për një punë shumë të imët, shumë profesionale, në mënyrë që të mos e zhveshin vallen nga shpirti i popullit. Unë e kam mishnu popullin tim shpirtërisht. Në radhë të parë i kam dhënë shpirtin, pastaj i kam dhënë krahët.”

E ndërsa i pyetur për ndikimin e muzikës së huaj në këngë dhe koreografi ai butësisht do të shprehte keqardhjen e madhe për “lulen” që po e lënë të vyshket:

“MË VJEN KEQ PËR KOMBIN. NUK KA GJË MË TË MADHE SE TË RRITËSH NJË LULE DHE TË THUASH QË ËSHTË SHQIPTARE, POR NËSE E RRIT DHE IA HEQ PETALET, PRA TA VARFËROSH NË VEND QË TA PLEHËROSH DHE TA UJISËSH, ËSHTË SHUMË GJË E KEQE. PAVARËSISHT KULTURËS BOTËRORE, NË RADHË TË PARË UNË DO TË USHQEJA LULEN TIME, QË E TËRË BOTA T’I MERRTE AROMË, ASHTU SI I MORI PËR DEKADA ME RADHË MË PARË. KRIJIMTARIA KOREOGRAFIKE SOT NË VALLEN SHQIPTARE ËSHTË MË E VARFËR SE AJO QË KA QENË PARA VITEVE ’90. “

“Nëse do të flasim për karakterin epik, dinamikën e shikojmë në veri, jug dhe Shqipëri të mesme. Ata që i bëjnë bazamentin valleve shqiptare, janë instrumentet popullorë që sot nuk ekzistojnë sepse nuk punohet me to.

Kemi curle, shifteli, fyell, dajre, sharki, etj, por që nuk përdoren më. Nuk duhet të ngatërrohemi me ritme dhe ngjyra që e prishin kulturën tonë, e bëjnë jo të natyrës së saj, prandaj sot kemi dhe gjëra që nuk shkojnë. Më vjen keq që kemi humbur shumë nga krijimtaria jonë popullore gjatë këtyre viteve.”

Burimi: Konica.al/