Rezarta Delisula/ Elegant, elokuent ai na shfaqet po me atë korrektësi sjelljeje që e ka karakterizuar në ato 45 vite punë, nga diplomat në disa shtete, si funksionar në Ministrinë e Jashtme e së fundi si shef i Protokollit të Kuvendit të Shqipërisë për 15 vite.

Babai i Protokollit të Shtetit, Vangjel Mita gjatë intervistës për “Gazeta Shqiptare”, tregon për herë të parë se si u realizua takimi i Ramiz Alisë me presidentin turk Turgut Ozal, takim që ndryshoi historinë, detajet e kryetarëve të Kuvendit dhe liderëve botërorë, pikturës gjermane në hollin e kryeministrisë gjatë vizitës së Merkel në Tiranës, histori të largëta nga Pnom Pen-i dhe opinioni i tij për mënyrën si e zbatojnë protokollin kryeministrat shqiptarë…

Zoti Vangjel, le te shkojmë në fillesë, në fëmijërinë tuaj…

Së pari, ju falënderoj, që më keni thirrur sot për këtë bashkëbisedim, sepse vitet ikin dhe nostalgjia bën punën e saj! Unë kam lindur më 12 tetor 1948. Pas studimeve të para, që i kreva në vendlindje, u transferova në Normalen e Elbasanit ku dola shkëlqyeshëm dhe kjo më dha të drejtën të shkoja në fakultet duke zgjedhur një degë, drejtpërdrejtë. Nisa në Fakultetin Histori- Gjeografi. Por më ndodhi një episod i veçantë që më ndryshoi drejtimin. Në tetor 1967 u zhvilluan festimet e 10-vjetorit të Universitetit të Tiranës. Unë isha shumë aktiv atë ditë dhe shkrova një reportazh ashtu siç e ndjeva dhe ai reportazh mua më bëri të fitoj konkursin për të kaluar në degën e Gazetarisë, dhe menjëherë pas studimeve më emëruan gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Duke qenë se ndër vite kërkoheshin diplomatë të rinj, të shkolluar mu dha shansi të testohem nga një komision i drejtuar nga ministri i Jashtëm i nderuari Nesti Nase, dhe të fitoj të drejtën për të marrë një master në diplomaci në vitin 1972.

Cila ka qenë puna juaj e parë?
U emërova fillimisht diplomat në Kamboxhia në vitin 1975. Ishin kohë të vështira sidomos për gadishullin e Indokinës. Në atë vit u aktivizuan dy ambasada shqiptare, ajo e Hanoit në Vietnam dhe ajo e Pnom Pen-it në Kamboxhia ku pas një qëndrimi prej disa muajsh në ambasadën e Kinës hapëm ambasadën e Republikës së Shqipërisë në vitin 1976 në Kamboxhia, me të ndjerin ambasador Dhimitër Stamo, që u soll nga Budapesti dhe unë nga Parisi, ku isha emëruar atashe, por që s’munda të shkoja për shkak të kësaj detyre të re.

Pas qëndrimit prej disa kohëve dhe politikave shfarosëse në Indokinë, në ditët kulminare të qeverisë së Pol Poti-t, transferohem në atdhe. Si rregull ishte që kush kthehej nga një post diplomatik, qarkullohej, unë jo. Nuk e pata atë “shans”. Vendosem në Ministrinë e Jashtme në drejtorinë për vendet fqinje, kam punuar dhe për marrëdhëniet me Azinë e Afrikën madje referent dhe për Italinë. Mu kujtua një detaj i punës në ato vite kur në Itali erdhi në fuqi Partia Socialiste italiane me në krye Ciriako De Mita, mua të gjithë në ministri më thërrisnin De Mita, pas një shakaje të kripur kur u thashë; Ai është xhaxhai im.

Patët më lëvizje gjatë kësaj kohe?
Pas shumë vitesh pune në Ministrinë e Jashtme, deri ndihmës i ministrit Reiz Malile, njeri shumë punëtor, më qarkulluan në Kinostudio, ku punova dy vjet me regjisorë të njohur, dhe si nëndrejtor filmi kam realizuar “Duaje emrin tënd”.

Nga Kinostudio më kthyen sërish në ministri. Pas mbledhjes së parë të ministrave të Jashtëm të vendeve ballkanike, emërohem titullar në ambasadën tonë në Pragë, në gusht të vitit 1989. Mund ta them me plot bindje, që mentaliteti im politik, diplomatik e social në Çekosllovaki ndryshoi totalisht, sepse Praga ishte vendi i diplomacisë evropiane.

Në çfarë konteksti?
Në gjithçka, mentalitetin ku duhet të shkonte Shqipëria.

Ju ka ndodhur ndonjë ngjarje e veçantë në këtë periudhë? Na rrëfeni ndonjë ‘sekret’!
Në vitin 1991 presidenti i ndjerë Turgut Ozal bën një vizitë në të gjitha republikat e pavarura pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, mes tyre dhe në Pragë. Presidenti i Çekosllovakisë, Havel, bëri në nder të tij, një pritje madhështore. Në atë mbrëmje diskutohej një nga pikat kulmore të konfliktit, që ishte Jugosllavia.

Sapo kishte nisur konflikti mes serbëve dhe sllovenëve dhe serbëve e kroatëve. Në një moment duke biseduar me kolegun tim danez, frankofon, gjeograf në profesion, më vjen ndihmësja e ministrit të Jashtëm turk e më pyet: Zotëri, kufizohet me territor Kosova me Bosnjën? Dhe unë i thash jo, sepse ish-vilajeti i sanxhakut nuk i përket Kosovës po një pjesë Malit të Zi dhe një Serbisë. S’kaluan pak çaste kur Havel prezantoi Turgut Ozal, dhe ministri i tij i Jashtëm prezantoi trupat diplomatikë.

Nuk e harroj atë çast kur pasi u tha emri im dhe vendi që përfaqësoja, Turgut Ozal tha me një zë befasues e miqësor: Arnaut ambasador… Hapi krahët, unë i gjatë i hollë ai i shkurtër e i shëndoshë e më ngriti peshë. Salla shtangu.

Në moment thërret ndihmësen e ministrit të Jashtëm turk dhe më jep këtë mesazh (kjo është hera e parë që po e bëj publike), mesazh që shpëtoi vendin tim, popullin tim, e që e bëri Shqipërinë kjo që është sot. “Nesër kthehem në Ankara.

Nesër në mbrëmje, pres presidentin Alia për vizitë në Ankara. Shqipëria nuk duhet të hyjë në luftë.” (përlotet). Shtanga, e shumë i tensionuar i drejtohem: Shkëlqesia juaj, më jepni leje të largohem nga kjo pritje madhështore në nderin tuaj për t’i dhënë mesazhin Tiranës zyrtare. Më rreh shpatullat dhe nga kati 24 i hotel Atrium zbres me vrap, e nxitova për në ambasadë, isha vetë ambasador, vetë shofer, vetë gjithçka. Shkoj në ambasadë dhe i drejtohem presidentit Alia dhe ministrit të Jashtëm, për ta përcjellë këtë mesazh fjalë për fjalë. Prisja njoftim nga Tirana, heshtje varri.

Pas 24 orësh në emisionin për shqiptarët jashtë atdheut, radio Tirana në orën: 8.1 minutë nis transmetimin me lajmin: Sot presidenti Alia me një avion special u nis për një vizitë zyrtare në Ankara… Atë natë ambasadën e kthyem në festë. Mesazhi ynë kish vajtur në vend, ishte vlerësuar dhe puna si përfaqësues i Shqipërisë në atë vend. Kohë më vonë mësova se kolegu im në Ankara, të nesërmen paradite i kishte çuar të njëjtin mesazh të presidentit Alia.

Vite më vonë, në ngjarjet e Kosovës kam asistuar në takimet e bisedat e presidentit turk, Sulejman Demirel, i cili në vijim të politikës së Ozal u shpreh: “Teknologjia amerikane dhe këmba e ushtarit turk në NATO s’do e lënë popullin e Kosovës të digjet. Dhe për këtë jam e kam qenë krenar.”

Po pjesëmarrjen në protokolle festash, e nisët pas kthimit në atdhe?
Jo, pasi krahas punëve të ndryshme në Ministrinë e Jashtme, angazhohesha dhe në ceremoni të ndryshme festive siç ishte parada për 25-vjetorin e Çlirimit të atdheut për realizimin e programeve të ambasadorëve që vinin në paraqitjen e kredencialeve. Sigurisht kjo ishte një përvojë e mirë, pasi s’mund të realizohet një protokoll perfekt pa qenë një diplomat i mirë, pa qenë një njeri me kulturë të përgjithshme.

E si është bilanci juaj i punës?
Mbi 15 vjet kam punuar në Kuvendin e Shqipërisë ndërsa në Ministrinë e Punëve të Jashtme mbi 20 vite. Kam punuar me 5 ministra të Jashtëm dhe 5 kryetarë Kuvendi.

Kur nisët punë në Kuvend?
Ka qenë viti 1998, në fillim si specialist e më pas drejtor Protokolli. Në fillim kryetar ishte Skënder Gjinushi, shoku im Namik Dokle, prof. Servet Pëllumbi, zonja e nderuar Jozefina Topalli dhe z. Ilir Meta.

Kur ka qenë pika më kulmore e punës suaj?
Pika më kulmore, ka qenë 100-vjetori i Pavarësisë, ku u ftuan dhjetëra delegacione të huaja dhe ku pata nderin e kënaqësinë që kryeministrit të asaj kohe, z.Berisha, kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi dhe kryetari të opozitës z.Edi Rama, t’iu prezantoj delegacionet e huaja. Madje qeveria shqiptare më vuri në dispozicion një helikopter më datë 29 Nëntor, për të drejtuar dhe ceremoninë e homazheve te “Nëna Shqipëri”, dhe historia më takoi mua të isha në këtë event të jashtëzakonshëm e mbresëlënës.

Krahas protokollit?
Kam përfaqësuar Kuvendin e Shqipërisë si sekretar i përhershëm i delegacionit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë në Këshillin e Europës. Vetëm në KiE, në Asamble, Shqipëria ka 4 vota, gjë që në momente të veçanta, ka përcaktuar dhe politika në zgjedhje.

Çfarë mund të veçoni gjatë karrierës tuaj 45-vjeçare si diplomat e si shef Protokolli?
Mund të veçoj takimet me presidentin e kinës Zhu De, mbretin e Kamboxhias Norodom Sihanouk, presidentin Turk, Sulejman Demirel, presidentin mik të popullit shqiptar Vasllav Havel, më vonë dhe Vasllav Klaus që kam pasur raste të shkëmbej një fjalë, t’i jap një mesazh, të marr një të tillë. Më vonë me personalitetet që drejtuan Këshillin e Evropës, Terry Davis, Lord Rusell Jonson, dhe Van der Linden.

Një moment interesant njerëzor përpos politikës, kur jeni vënë në siklet?
Më kujtohet kur ishte për vizitë presidenti i Bundestagut gjerman Lamber, i cili do të fliste në Kuvendin e Shqipërisë. Pikërisht kur ne do shkonim në sallën e Kuvendit, më lajmërojnë që kish ndodhur një defekt teknik e që mikrofoni në foltore nuk punonte. Më kërkojnë që ta vonoja delegacionin dhe unë e bëra për disa minuta. E lashë te një dhomë pritje me kryetaren, znj. Topalli. Hyj në sallë dhe djemtë e IT-së, ishin zbehur. Më erdhi një ide rrufe dhe shkula mikrofonin e foltores dhe e ndërrova me një të ministrave. Për fat kjo zgjedhje teknike funksionoi.

Që atë ditë e lashë me shkrim që në foltore të vendoseshin dy mikrofona, e sot në foltore ka dy të tillë. Po kështu më vjen ndër mend një copëz tjetër historie. Kryeministri italian, Berluskoni u vonua të mbajë fjalën përshëndetëse pas inaugurimit të urës mbi Mat, realizuar nga qeveria Nano në atë kohë. Ai vjen, qëndron pak minuta në dhomën e miqve në parlament dhe hyn në sallë e nis të flasë pa letër, siç e bën vetëm ai. Unë e përkthyesja e tij ishim në krah, transmetimi ishte direkt.

U vumë në vështirësi. Në atë moment i mora leje kryeministrit, tim z.Nano dhe i them; jemi direkt do të më duhet ta ndaloj kryeministrin italian që të përkthejë zonja dhe ai më dha leje. Unë i thashë Berluskonit të ndalojë, ai kërkoi të falur dhe i la radhën përkthyeses. Një tjetër moment i veçantë ishte ardhja e zonjës Ollbrajt, kur kryeministër ishte z. Meta, në atë kohë fare i ri.

Isha i vetmi person i autorizuar të rrija krah saj duke respektuar rregullat e protokollit, por dhe sekretarja e shtetit Hilary Klinton që me vendim të ambasadës amerikane, ajo duhej të hynte direkt në foltore ndërsa unë nuk pranova, zbatova protokollin e Kuvendit. Ajo takoi pak minuta kryetaren e Kuvendit, lidhi shallin e leu buzët me një të kuq të lehtë e u nis drejt foltores. Aty i lëshova vendin ambasadorit amerikan që ndenji krah saj, duke thyer rregullin dhe për të cilën me vonë sigurimi amerikan më dha medaljen e sigurimit diplomatik.

Cili ka qenë më zevzeku që nuk pranonte të merrte urdhra apo t’i përcaktonit ju një formë të sjelli?
Nuk mund të them, se ato ishin personalitete të larta, me histori në ceremoniale në vendet e tyre, por, nëse ishe paksa në vendin e tij, kryetari i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Finni, në Kuvendin e Shqipërisë, u tregua shumë i saktë.

Kur shihni sot zonjën Topalli të përjashtuar nga politika, çfarë mendoni?
Ajo është një figurë, por dhe kjo e paska një fund, sepse koha ikën, brezat kualifikohen, por ajo mbetet figurë. Por mendoj që sidomos për qytetin e Shkodrës dhe për gjininë femërore, ajo ka qenë gjithnjë e pranishme dhe i ka dhënë impuls zhvillimit të tyre.

Keni dy vjet në pension, a keni pasur ndonjë telefonatë nga drejtuesit e lartë?
Me keqardhje jo, por telefonata jo. Por kam pasur rast t’i takoj, e jam takuar me shumë dashamirësi me presidentin Meta, i cili më ka respektuar dhe vlerësuar gjithnjë duke më dhënë detyra të rëndësishme si darka me presidentin grek Papulias, apo ardhja e Papa Françeskut në Tiranë, por dhe me presidentët Moisiu e Topi.

Si janë kryeministrat në zbatimin e protokollit?
Kur kam qenë i pranishëm në takimet me kryeministrin Rama, më ka bërë përshtypje që sa herë më shihte afrohej, për të mos thënë që Sali Berisha ishte më i binduri në ceremonial.

Po shefat e rinj të protokollit si t’u dukën pas ikjes tuaj, ju marrin ndonjëherë në telefon për ndonjë detaj?
Unë dola në pension dy vjet mbi moshë dhe më zëvendësoi në Kuvend një ish-ambasador, e kjo për mua ishte vendimi i duhur dhe ishte urtësia e Metës që mori Arben Cicin në vendin tim. Për të tjerët nuk di të them. Disa në Kuvend më kanë pyetur për ceremoni të ndryshme.

Çfarë ndryshimi pati tek ju të dalët jashtë shtetit, në mendësi, sepse që 28 vjeç ishit jashtë shtetit në ambasada në një kohë izolimi?
Isha shumë i ri dhe kisha marrë pjesë në veprimtari të ndryshme diplomatike brenda vendit, por jo jashtë. Kontakti i parë ishte Bukureshti… i dyti Teherani, një kryeqytet llamburitës pastaj Pekini i madh, Pekini i elitës, por dhe punëtorëve të lodhur, i urisë dhe i bollëkut për një pjesë, për të mos thënë mbërritjen në Pnom Pen. Qyteti ishte bosh, ishin zhvendosur në orizore për t’u ushqyer. Syri të zinte pak ushtarë që na sillnin dhe në ushqim.
Me gavetë?
Po me gavetë.

Vite të vështira për ju?
Shumë, dhe kam ndenjur aty bashkë me bashkëshorten e vajzën, dy vjet, dy muaj dhe dy ditë e kur zbrita në Rinas thashë tri herë: Vituar…! që u ktheva në atdhe. Isha vetëm 30 vjeç. Përgatita një relacion të fortë dhe mbi atë relacion u morën masa të tjera, u kufizua ambasada në Vietnam, u mbyll ambasada në Kamboxhia e Tanzani.

Jeni vënë ndonjëherë në vështirësi ndonjë moment delikat?
Në Pragë në marrëdhëniet me ish- Jugosllavinë dhe në mënyre të veçantë me Kroacinë dhe ish-Republikën e Maqedonisë. Ishte koha kur filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe lufta kroate-serbe e nga armata e Jugosllavisë dezertuan dhjetëra djem të Kosovës.

Vinin me tren me mjete të ndryshme. Budapesti dhe Praga ishin portat për Gjermani, e më tolerante ishte Praga, sepse republika çeke nuk ishte lindje, por zemra e Evropës, me politika të qarta për ta ruajtur vendin e shtetin e tyre. Ambasada në Pragë i hapi derën kosovarëve duke qëndruar non stop në shërbim të tyre, duke i ofruar një ndalesë të ngrohtë e pakëz raki shqiptare e kafe turke.

I ofronim pak shpresë duke e bërë ambasadën të të tërë bashkëkombësve. Ishte kurajoze, por jo e dënueshme. E shpesh kam ndeshur djem e vajza në vitet në vijim që më jepnin një salutim e më shpreheshin mirënjohës.

Si është jeta juaj tani, nga një tip superaktiv, në pension?
Vazhdoj të merrem privatisht me punë, i ftuar si moderator apo në konferenca nga organizata të ndryshme, të këshilloj… Komentova dhe ceremoninë e Merkelit në Tiranë dhe ceremoninë e Trup në shtëpinë e bardhë.

Vendosjen e asaj pikturës gjermane, gjatë vizitës së Merkel në hollin e kryeministrisë, si e komentuat?
Merkel ndaloi pak çaste para saj. Nuk them që u befasua, por nga ndjekja që i bëra përmes TV them se pati një lloj kënaqësie kur pa atë pas 60 vjetësh. Ajo ishte një zgjedhje dhe zgjidhje, sepse jo vetëm tregonte një shenjë dashamirësie për kulturën, traditën dhe kombin gjerman, por koha ishte e kufizuar, e personalitete të tilla e kanë me pikatore dhe s’mund të jenë pjesë e ndonjë eventi artistik që mund të ishte në protokoll. Dhe si i themi në gjuhën e popullit, në ato pak dekika, u diskutua për kulturën. Ishte një detaj i vogël i rëndësishëm, ishte një gjetje e kryeministrit Rama, i cili shpesh vepron dhe qëllon bukur.

Ju keni marrë një vlerësim të rëndësishëm dhe nga presidenti Obama, si u ndjetë kur e patë letrën e tij?
Ishte zhvilluar një ceremoni nga miqtë e mi për marrjen e doktoraturës në diplomaci ndërkombëtare ku ishte prezent dhe presidenti i kësaj akademie botërore. Vjen një cilindër dhe kur e hapim brenda kishte dy letra një nga Obama dhe çmimi i dhënë nga shteti amerikan për njerëz që kanë kontribut të çmuar. Mbase kjo ishte propozuar pas vizitës së Hilary Klintonit në Tiranë, apo pas vendosjes së bustit të saj në Sarandë.

Ose e një mikut tim ambasador, konsull nderi i Urdhrit Maltez diplomatik. Por falënderoj këdo që i shkoi mendja për këtë vlerësim. U befasova, nuk e prisja, por më erdhi mirë, sepse të vlerëson 1-shi i botës.

Fëmijët kanë trashëguar diçka nga ju?
Djali ka mbaruar studimet e larta në SHBA është i prirur më shumë drejt biznesit, ndërsa vajza është mjeke e kualifikuar me gjithë bashkëshortin e saj Edgar Bekteshi, nënshtetase amerikane. Megjithatë vajza më ngjan më shumë me prirjet në diplomaci.

Bashkëshortja të ka thënë ndonjë herë “më le me valixhe rrugëve”?
Përkundrazi, bashkëshortja ime që e falënderoj pa masë, sepse unë jam ai që jam sot falë saj, është piedestali im dhe më ka dhuruar dy fëmijë të shëndetshëm e të aftë, një mësuese e shkëlqyer ndër vite. Ajo kurrë s’më ka lënë vetëm. Ajo ka qenë dhe është mbështetësja ime.

Burimi: GSH.AL