Vangjush Furxhi, (1943-2001, Aktor dhe Pedagog, lindi në Korçë më 24 mars. Mbaroi shkollën e lartë për aktor “Aleksander Moisiu”, më 1969 .Punoi fillimisht si aktor në teatrin “A.Z. Çajupi” të Korçës deri në vitin 1972 dhe më pas si pedagog dhe përgjegjës i katedrës së regjisurës, koreografisë dhe menaxherëve të artit (1989-92) në Institutin e Larte të Arteve. Në vitet 1992-1994 ka qënë zëvendesministër i Ministrisë së Kultures, Rinise dhe Sporteve. Më pas punoi në sektorin e kulturës në Prefekturën e Tiranës. Ka kryesuar Shoqatën e Artistëve të Skenës për disa vjet. Aktrimi i tij u shqua për vërtetësi në mishërimin e karaktereve të ndryshme, sidomos të atyre që vinin nga shtresat sociale të nënpunësve e intelektualëve.

Në vitet ’60-’80 ai realizoi disa karaktere origjinale në mënyren e shprehësisë së tyre artistike, ku dalloi me rolin e Luanit në dramen Njollat e murrme e Minush Jeros (1969), me të cilin u vlerësua me Kupën e Festivalit të Teatrove si Aktori më i mirë. Falë vërtetësisë së lojës së tij, ky personazh mori jetë, u bë i besueshëm në raportin kontradiktor dhe dramatik që ai kishte ndaj lirisë dhe privatësisë së njeriut nën diktaturë dhe kuptimit disi ndryshe të tyre, duke i dhënë më shumë domethënie asaj çka personazhi përfaqësonte. Me Dursun Mullagën në dramën Ditët e kiametit e Luan Qafëzezit (1978), vënë në skenë nga Esat Oktrova në Institutin e Lartë të Arteve, ai paraqiti zyrtarin finok, tinëzar e të korruptuar, i dhënë përmes gjetjeve të pasura aktoriale, në rrafshin e një satire të mprehtë. Kurse me rolin e Thanasit në dramën Hijet e natës e Vedat Kokonës (1984) në Teatrin Popullor solli një figurë interesante, të mëvetësishme, në një trajtë origjinale, ku zotëronte sarkazma e hidhur, shpotia, por brenda një gjëndjeje dramatike të besueshme që buronte prej sjelljes të personazhit. Vangjush Furrxhiu ishte nga aktorët më të spikatur të kinematografisë shqiptare.

U dallua për një lojë realiste, me tone psikologjike, rëndom me përjetime të kahut dramatik, por edhe me përvijime të mprehta ironike e sarkastike, ku tërhoqen vëmendjen gjithashtu shija e tij e hollë, sqima, finesa, përkujdesja për të nxjerrë në pah elementët më ekspresivë në gdhendjen plot mund e ngulm që u bënte roleve. Ndër figurat mbresëlënse që krijoi në kinematofrafi janë: Arifi në filmin I teti në bronz (1970) Peliçeli në filmin Malet me blerim mbuluar (1971), Kiço Pela në filmin Njeriu i mirë (1982), Latif Bora në filmin Agimet e stinës së madhe (1981) me të cilin ka fituar Kupën e Festivalit V të Filmit Shqiptar. Falë spikamave ironike e sarkastike, ai bëri të dukshem te ky rol anët korruptive të vdirra, mendjemadhësinë dhe abuzimin me pushtetin dhe të drejtën; kjo në saje të një aktrimi që hidhte dritë, jo vetëm te karakteri demagogjik i të vërtetës së shpallur, por sidomos tek ajo që në fakt fshihej pas embrioneve të shprishura e të dhunshme të vetë shoqërise të porsa dalë nga Lufta e Dytë Botërore.

Në këtë mënyrë iu dha një përmasë metaforike paradigmes së njohur të pushtetarit spekulant të kohës. Besian Vorpsi në filmin Prilli i thyer, nderuar me Medaljen e Festivalit VII të Filmit, solli një tjetër kah në interpretimin e Vangjush Furrxhiut, atë më të suksesshmen, gjithashtu edhe më të ndërlikuaren: vetironizimin, gjëndjen e dyfishtë, shpotinë me vetveten. Delikatesa, inteligjenca dhe mprehtësia bëhen të dukshme në tërë arsenalin e mjeteve shprehëse që ai ka përzgjedhur, te funksionet konotative me mbarsje satirike që u ka atribuar këtyre elementëve, sikurse tek aftësia për të realizuar pa zhurmime dhe efekte spekulative kritikën e personazhit në saje linjës së hollë të autodemaskimit. Në lojën e tij si aktor vihet re një patos i brendshëm, theksimi i gjendjeve të përnxitura e nervoze, me qëndrime herë-herë shpotitëse, të shoqëruara shpesh edhe me trishtim, përvuajtje e pezm.

Ka fituar disa çmime. Vangjush Furrxhiu ka shkruar artikuj e shkrime për teatrin, kinematografinë, me mbi 60 njësi bibliografike të botuara apo të kumtuara, si studime, referate, kumtesa, artikuj problemore, recensione. Ishte hartues i disa programeve mësimore në Akademine e Arteve, si dhe bashkëautor i tekstit Mjeshtëria e Aktorit. Ka dhënë një ndihmesë të vyer pedagogjike në përgatitjen e studentëve të aktrimit dhe regjisurës qysh nga viti 1972 e derisa vdiq nga një sëmundje e pashërueshme, duke ndikuar kështu në rritjen e kërkesave dhe cilësisë artisike. Mbante titullin shkencor Profesor, si dhe titullin Artist i Popullit.

Shënim: Materiali i marë nga Aktorët shqiptarë.