Vangjush Furxhi
Vangjush Furxhi

Vangjush Furxhi ishte aktor i famshëm shqiptar. Lindi në Korçë më 24 mars 1943. Studioi për aktor në shkollën e lartë pranë Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe në vitet 1966-1972 punoi si aktor në Teatrin profesionist të Korçës. Punon dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve ku bashkë me regjisorin Esat Oktrova do të themelojë katedrën e regjisurës. Më pas do të punojë për dy vjet si zv/minister i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Gjatë karrierës së tij artistike interpreton një sërë rolesh në skenën e teatrit, si dhe mbi 15 role në kinematografi, ku mund të përmendim rolin e Arifit në filmin “I Teti në bronx” (Viktor Gjika 1970), Peliçeli tek “Malet me blerim mbuluar” (Dhimitër Anagnosti 1971), Kiço tek “Njeriu i mirë” (I.Muço, K. Mitro 1982), Besian Vorpsi tek “Të paftuarit” (Kujtim Çashku 1985), si edhe rolet e spikatura në filmat televizivë: Xanini tek “Plumba Perandorit” (Mevlan Shanaj 1980), Latif Bora “Agimet e stinës së madhe” (Albert Minga 1981). Për shumë nga këto role është vlerësuar me çmime në festivalet kombëtare të filmit. Për meritat e tij artistike Vangjush Furxhi është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Padiskutim eshte nje nga aktoret me te mire shqiptar. Ndahet nga jeta në vitin 2001.

Filmografia

Të paftuarit (1985)
Vendimi (1984) Telegrafisti
Shirat e vjeshtës (1984)
Dora e ngrohtë (1983)
Era e ngrohtë e thellësive (1982) – film televiziv

Njeriu i mirë (1982) ……Kiço
Shokët (1982)
Agimet e stinës së madhe (1981)….Latif Bora
Gëzhoja e vjetër (1980)
Kur zbardhi një ditë (1971)

Malet me blerim mbuluar (1971)
I teti në bronx (1970)………… Arifi
Montatorja (1970) ……………..Agimi
Oshëtim në bregdet (1966)