Vangjel Furxhi
Vangjel Furxhi

Nuk flitet shumë për të. Por në rutinën e teatrit ende ndihet ajo që ai la. Mungesa!

Vlefshmëria e tij pushton çdo mendim tonin nga pasurimi i pamasë që i la kulturës skenike ky burrë i madh. Ky artist që rrjedhën e kohës e shndërron në një proces të gjallë, në një kërkesë krijues që vazhdon të nxitë detyrën e aktorit.

Kush i harron rolet e tij, figurat që ndërtoi duke të shkundur nga ajo energji dhe dinamikë. Vangjush Furxhi e kuptonte me intuitë se në çfarë dimensioni do të vepronin karakteret e tij. Ai të impononte seriozitet! Një gjendje përgjegjshmërie ndaj punës. Fjalës dhe atij racionaliteti që sot në fakt mungon. Dhuntitë e tij luftonin tok me çdo faktor të jashtëm që binte ndesh konkretësisë. Ai ishte tjetër lloj aktori.

I përkiste një niveli intelektual. Një personalitet që veçohej, për ta bërë teatrin dhe filmin më të mirë. Ai të imponohet, sepse ai kishte mendim, kontributin e të cilit e dha dhe si zv/ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Loading...

U lind më 24 mars në Korçë. Pasionit që do t’i kushtonte dhe çdo vit të jetës do e gjente qysh fëmijë duke u angazhuar me grupe teatrore në shkollë. Dihet se në Korçë kjo traditë nuk mungonte, andaj dhe vizioni tij do të formonte dalëngadalë përfytyrimin, përmbajtjen dhe kuptimin e kësaj ndjenje, ecuria e së cilës do të konkretizohej në Akademinë  e Arteve ku dhe studioi, e që pas kësaj do të kthehej sërish në Korçë. Ndryshe nga herët e tjera, kësaj here si aktor në teatrin ‘’Andon Zako Cajupi’’.

Pirro Mani së bashku me artistët e kohës, do e ndihmonin të shënjonte ecuria e këtij  talenti.

E ftuan të luajë në “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, në Teatrin Kombëtar, inskenuar nga Pirro Mani. Aty luajti figurën e priftit, një figurë që do të kujtohet me vonë nga të gjithë artistët, për shkallën e arritjes. Për pak vite ai nuk u angazhua me role të tjera, por vetëm si pedagog në Akademinë e Arteve. Pas vitit 1980 ishin të shumta rolet që iu ofruan artistit, por Vangjushi ishte selektiv në përzgjedhje. Sidoqoftë, edhe kësisoj ai arriti të luajë shumë role në teatër dhe në filma. I pëlqenin rolet me lëndë filozofike problemore, ato që mbartin armaturën për të shkatërruar regresiven e të pambrojturën, që projektojnë një të ardhme e rrezatojnë drejt perspektivës. Dhe, në të vërtetë, përzgjidhte shumë, e rrallë herë bindej. Këtë e bënte pasi ishte kundër prodhimit të mediokritetit.

Në teatër numëron role të cilat u shkrinë  bashkë me qenien e tij duke i dhënë kuptim klasikes, jo në forma akademike, por pragmatiste. E në fakt ne na mban gjallë pikërisht kjo; përvoja reale që na mëson e shkuara, sepse siç thoshte dhe Bjelinski ‘’ – Ne e kërkojmë dhe e duam të kaluarën, që ajo të na shpjegojë të tashmen tonë dhe të na ndriçojë të ardhmen”.

Teatri i Vangjush Furxhi komunikonte. Portretet e roleve të tij vijnë vetiu duke përçuar mesazhe e ide, sepse ai, siç merret me mend përmes tyre, tejngopte çdo shfaqje.

Karriera e tij numëron shumë role, por ato që zënë një vend të veçantë në proceset teatrore tok me individualitetin dhe vlerat e veçanta janë :   “Flakë në shtëpi”, 1967, në rolin e Astritit, “Shtëpia në rrugicë”, 1967, në rolin e mësuesit; “Nata e fundit e shërbimit”, 1968, në rolin e kuzhinierit e duke vazhduar me “Dasma e madhe”, 1967, në rolin e priftit; “Njerëz të minierës”, 1968, në rolin e Andreas.

Gjithashtu vlen të përmenden edhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 1973, në rolin e priftit; “Tufan në Dovlet”, 1980, në rolin e Dursum Mullis Mullaga; “Mësim nga historia”, 1981, në rolin e T.Gorenit dhe shfaqja “Hijet e natës”,1986, në rolin e Thanasit.

Pastaj janë rolet e përsosura  në film. Ato prej të cilave dhe sot ne zbulojmë për të njëmijtën herë domosdoshmërinë e atij kohezioni midis skenës dhe shesh-xhirimit që Furxhi diti ta kthejë në spektakël duke na lënë dëshmi specifike që kanë ngjizur frymën e kombit tonë me interpretime të qenësishme shpirtërore. Rolet në kinematografi nuk mungojnë në formimin artistik të aktorit.

 

Janë të shumtë filmat ku artisti ka shkëlqyer, por vlen të përmendim “Oshtima në bregdet”, 1966, në rolin e Vehapit; “I teti në bronz”, 1970, në rolin e Arifit; “Malet me blerim mbuluar”,1971, në rolin e Peliçelit; “Gëzhoja e vjetër”, 1980, në rolin e Thanasit; “Plumba perandorit”, 1980, në rolin e Xaninit dhe “Agimet e stinës së madhe”, 1981, në rolin e Latif Borës.
Lista e gjatë e roleve në kinematografi nuk përfundon me kaq. Mund të përmendim edhe “Njeriu i mirë”, 1982, në rolin e Kiços; “Dora e ngrohtë”, 1982, në rolin e hetuesit; “Shirat e vjeshtës”, 1985, në rolin e Astritit dhe “Të paftuarit”, 1986, në rolin e Besian Vorpsit…etj.

Por nuk do të mjaftonte ende përkushtimi tij ndaj profesionit. Furxhi do të bëhej pedagog. E megjithatë pedagogjia nuk është art, është shkencë.  Shumë aktorë të njohur pësuan humbje kur u bënë pedagogë. Aftësia për të edukuar një brez të ri ka veçantinë dhe stërhollimet e saj. Mihal Luarasi shprehet: “Vangjush Furxhi e kishte si mani apo kompleks të mos aktivizohej më në teatër kur u bë pedagog. Mua në vinte shumë keq. Mendo çfarë humbje është, jo vetëm për të, por edhe për teatrin. Ishte një aktor i shquar”.

Më tej ai kujton shfaqjen ‘’e blasfemuar’’ nga shteti ‘Njollat e murrme’’ , idenë e izolimit të një familjeje prej ku vendos një akuarium brenda të cilit kishte dy peshq që vërtiteshin. Gjetje regjisoriale kjo që Vangjushi e deshi fort. ‘’Ai , – vazhdon Luarasi, – në rolin e tij luante me akuariumin. Sillej përreth tij. Komunikonte nëpërmjet atyre peshqve. Ai ishte brilant. Fenomenal në dhimbjen e tij, momentet dramatike bashke me Edi Luarasin duke i bashkërenditur fjalët me çdo notë që lëshonte Violinceli‘’.

E në fakt, fjala ishte identiteti tij. Rrëfenja që njësonte forcën krijuese të tij duke shkaktuar një fuqi interpretimi rrjedhëse, vizionare, admiruese e autoritare.

Ndërsa i madhi Esat Oktrova, në shfaqjen ‘’Plaku i maleve’’ në teatrin ‘’Migjeni’’ të Shkodrës i besoi rolin e Dursun Mullagës Vangjushit, duke zbuluar një aktor që prej Institutit të Lartë të Arteve do të zbulonte një vete plot mundësi. Një vete që do të realizonte plane interpretative nga më të njohurat.

Për shumë nga këto role artisti është vlerësuar me çmime në festivalet kombëtare të filmit. Për meritat e tij artistike Vangjush Furxhi është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Pa diskutim është një nga aktorët më të mirë.

Vangjush Furxhi ndërroi jetë mesnatën e 26 gushtit 2001 në rrethana të vështira.

Ky burrë i jashtëzakonshëm, i rrallë në perfeksionin dhe plotin e artistit, mbetet një gjurmë në vendin tonë. Artin tonë, i cili duket se po dobësohet dhe lodhet duke folur nëpër dhëmbë tashmë.  Duke ndier çdo herë e më shumë mungesën e atij vullneti që e priste dikur krahëhapur për t’u përplasur më pas gjoksit të këtyre artistëve kalibri që kujtohen kaq pak.

Vangjush Furxhi krijoi një tempull që nuk po ndihet më.

Një tempull që shndrit, që gëzon dhe të shtrëngon gjoksit sërish, me madhështinë fisnike të një artisti kaq të madh, i cili duket se ende pret.

Beson!

Të përmbushet detyra dhe fjala e dhënë, se arti në fakt nuk po vegjeton.

Megjithatë ai e di pse-në.

Ai e di… që kaq shumë mungon./njekomb.com/