Aktori I rrallë Vangjush Furxhi është nga ata që vlerat e qytetarisë korçare I ngriti si një tempull më vete në skenën e teatrit dhe kinematografi. Vangjush Furrxhiu lindi në Korçë me 24 mars 1943. Mbaroi shkollën e lartë për aktor ‘Aleksander Moisiu’ në vitin 1969. Pasionit që do t’i kushtonte dhe çdo vit të jetës do e gjente qysh fëmijë duke u angazhuar me grupe teatrore në shkollë.

Dihet se në Korçë kjo traditë nuk mungonte, andaj dhe vizioni tij do të formonte dalëngadalë përfytyrimin, përmbajtjen dhe kuptimin e kësaj ndjenje, ecuria e së cilës do të konkretizohej në Akademinë e Arteve ku dhe studioi, e që pas kësaj do të kthehej sërish në Korçë. Ndryshe nga herët e tjera, kësaj here si aktor në teatrin ‘Andon Zako Cajupi’. Ku punoi si aktor deri në vitin 1972. Më pas si pedagog dhe përgjegjës i katedrës së regjisurës, koreografisë dhe menaxherëve të artit (1989-92) në Institutin e Lartë të Arteve.

Në vitet 1992-1994 ka ushtruar detyrën si zëvendësministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Punoi edhe në sektorin e kulturës në Prefekturën e Tiranës. Ka drejtuar Shoqatën e Artistëve të Skenës për disa vjet. Vangjush Furrxhi ishte nga aktorët më të spikatur të kinematografisë shqiptare. E ftuan të luajë në “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, në Teatrin Kombëtar, inskenuar nga Pirro Mani. Aty luajti figurën e priftit, një figurë që do të kujtohet me vonë nga të gjithë artistët, për shkallën e arritjes. Për pak vite ai nuk u angazhua me role të tjera, por vetëm si pedagog në Akademinë e Arteve. Pas vitit 1980 ishin të shumta rolet që iu ofruan artistit, por Vangjushi ishte selektiv në përzgjedhje. Sidoqoftë, edhe kësisoj ai arriti të luajë shumë role në teatër dhe në filma.

I pëlqenin rolet me lëndë filozofike problemore, ato që mbartin armaturën për të shkatërruar regresiven e të pambrojturën, që projektojnë një të ardhme e rrezatojnë drejt perspektivës. Dhe, në të vërtetë, përzgjidhte shumë, e rrallë herë bindej. Këtë e bënte pasi ishte kundër prodhimit të mediokritetit. Janë të shumtë filmat ku artisti ka shkëlqyer, por vlen të përmendim “Oshtima në bregdet”, 1966, në rolin e Vehapit; “I teti në bronz”, 1970, në rolin e Arifit; “Malet me blerim mbuluar”,1971, në rolin e Peliçelit; “Gëzhoja e vjetër”, 1980, në rolin e Thanasit; “Plumba perandorit”, 1980, në rolin e Xaninit dhe “Agimet e stinës së madhe”, 1981, në rolin e Latif Borës.

Lista e gjatë e roleve në kinematografi nuk përfundon me kaq. Mund të përmendim edhe “Njeriu i mirë”, 1982, në rolin e Kiços; “Dora e ngrohtë”, 1982, në rolin e hetuesit; “Shirat e vjeshtës”, 1985, në rolin e Astritit dhe “Të paftuarit”, 1986, në rolin e Besian Vorpsit…etj. Vangjush Furxhi do të bëhej edhe pedagog. Shumë aktorë të njohur pësuan humbje kur u bënë pedagogë por ai jo. Mihal Luarasi ka thënë se ‘Vangjush Furxhi e kishte si mani apo kompleks të mos aktivizohej më në teatër kur u bë pedagog. Mua në vinte shumë keq. Mendo çfarë humbje është, jo vetëm për të, por edhe për teatrin. Ishte një aktor i shquar’.

Më tej ai kujton shfaqjen ‘’e blasfemuar’ nga shteti ‘Njollat e murrme’ , idenë e izolimit të një familjeje prej ku vendos një akuarium brenda të cilit kishte dy peshq që vërtiteshin. Gjetje regjisoriale kjo që Vangjushi e deshi fort. ‘Ai , – vazhdon Luarasi, – në rolin e tij luante me akuariumin. Sillej përreth tij. Komunikonte nëpërmjet atyre peshqve. Ai ishte brilant. Fenomenal në dhimbjen e tij, momentet dramatike bashke me Edi Luarasin duke i bashkërenditur fjalët me çdo notë që lëshonte Violinceli‘. Për shumë nga këto role artisti është vlerësuar me çmime në festivalet kombëtare të filmit. Për meritat e tij artistike Vangjush Furxhi është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”.

Pa diskutim është një nga aktorët më të mirë. Vangjush Furxhi ndërroi jetë mesnatën e 26 gushtit 2001 në rrethana të vështira. Ky burrë i jashtëzakonshëm, i rrallë në perfeksionin dhe plotin e artistit, mbetet një gjurmë në artin kinematografik e skenik të vendit tonë, i cili duket se po dobësohet dhe lodhet duke folur nëpër dhëmbë tashmë. Duke ndier çdo herë e më shumë mungesën e atij vullneti që e priste dikur krahëhapur për t’u përplasur më pas gjoksit të këtyre artistëve kalibri që kujtohen kaq pak.

Vangjush Furxhi krijoi një tempull që nuk po ndihet më. Veç kontributit të çmuar si aktor ka shkruar artikuj e shkrime për teatrin e kinematografinë me mbi 60 njësi bibliografike të botuara apo tëkumtuara, si studime, referate, artikuj problemorë, recensione.
Ishte hartues i disa programeve mësimore në Akademinë e Arteve si dhe bashkëautor i tekstit Mjeshtëria e Aktorit. Mbante titullin shkencor Profesor, si dhe titullin Artist i Popullit!

Burimi: KorcaReport.com