Vera Kokošević-Filipović, një grua e veçantë e karizmatike serbe, dikur këndonte në Radio Begrad këngë shqipe.

Para se të fillonte Lufta e dytë Botërore, Vera udhëtoi për në Kosovë e për në Shqipëri, vizitoi Shkodrën prej nga edhe morri meloditë më të bukura dhe i këndoi, e vetme, në radio.

Vera ishte edhe një studiuese e thuktë e muzikës. Për të, kishte një ngjashmëri midis këngëve shqiptare dhe atyre serbe. Ajo ishte e dhënë pas arijeve.

Fatkeqësisht, asnjë prej incizimeve të saj në Radio Beograd nuk janë gjetur asnjëherë. Etnomuzikologu serb Kosta Manojlovic i ka gjetur disa incizime ku ajo këndon në gjuhën shqipe, ndërsa ekzistojnë edhe incizime të Verës në Gjilan, në vitin 1930. Askush nuk dëshiron ta financojë digjitalizimin e këtyre incizimeve ekzistuese.

Madje, ka shumë pak incizime dhe asnjë në Youtube me emrin e Vera Kokosevic.

Në këto incizime që ekzistojnë, të cilat KultPlus i ka marrë nga Nikola Zekic, ajo dëgjohet duke kënduar “Karafilat qi m`ka Shkodra”, “Më ban zemra tik e tak” dhe këngë tjera shqipe.

Vera sot duket se është harruar, si në Kosovë e Shqipëri e poashtu edhe në Serbi, prej nga e ka pasur prejardhjen, ani pse mbetet një prej këngëtareve më të njohura të viteve 30-të në Serbi, bashkë me Jelena Vujanovic, Emilia Putnik, Uros Seferovic, Rasa Radenkovic, Dobric Grozdanovic, Drago Ckonjevic e këngëtarë tjerë, shkruan KultPlus.

Vera ka kënduar bukur edhe në gjuhën spanjolle, sidomos në vitin 1943 kur asaj iu dha hapësirë në Radio Beograd për të interpretuar shpesh në gjuhë të huaja. / KultPlus.com