Në një rrëfim të ndjer kompozitori Pirro Çako ka ndarë pasditen e sotme momentet e fundit të babait të tij Gaqo Çako, amanetin që i ka lënë dhe këshillat që ai i jepte.

Në programin “Rudina” ai ka treguar se dëshira e fundit që babai i ka lënë kompozitorit ishte që të mos e braktiste kurrë muzikën, dhe se cilësia e këngëve nuk duhej të degradonte asnjëherë.

“Në një debat kur babai ishte ende në muajt e fundit i thashë: ‘Boll nuk bëj më këngë’. Por ai më kujtoi Verdin, i cili ka bërë muzikë deri në moshën 82-vjeçare dhe ishte gjeni në atë moshë. Babai më tha: ‘Pse të mos shkruash këngë sa më gjatë? Nuk duhet të tërhiqesh, shkruaj më rrallë por kur të rikthehesh shkruaj diçka që vërtet t’ia vlejë’- është shprehur Pirro.

Ai ka vijuar më tej duke treguar se sensi kritik i Gaqo Çakos ishte aq i lartë sa pas shumë vitesh ka zgjedhur ta quaj Pirron kompozitor.

Shumë vonë ka pranuar që unë të quhesha kompozitor, në një moment vonë ma shprehu se kisha bërë diçka. Nuk ma jepte atë vendin që më takonte, ma dha dhe kuptova se ishte më mirë vonë sesa kurrë”,- tha ai.

Gjatë rrëfimit Pirro është prekur dhe ka treguar se ende pas një viti vijon ta vajtoji babain.

“ Vijoj të vajtoj, ishte një artist i madh por nuk ka si mamaja dhe si babai. Janë dy njerëzit që nuk të tradhtojnë kurrë. Më duket që ka humbur ai trekëndëshi i familjes sonë, nuk kthehet ajo gjëja që kishte krijuar natyra. Por jeta kështu është. Tani që nuk është më, kujtoj ato gjëra që më ka thënë, jetoj me filozofinë e tij, se ai ishte një njeri i heshtur, idealist, e njihte të bukurën”.

Gaqo Çako u nda nga jeta në gusht të viti të kaluar. Pirro ka treguar se ka arritur t’I përmbush të gjitha amanetet që babai I kishte lënë, duke e bërë kështu zemrën të ndihet e qetë dhe njëkohësisht bosh prej mungesës së tij.

Burimi: Aktoret Shqiptare