Në qytetin e lashtë të kulturës dhe bukurive të dyzuara, në qytetin e bashkëjetesës dhe harmonisë, ku shkëlqejnë familjet e mëdha me sharm atdhetar e kontribute në histori, në Shkodrën loke ka hedhur rrënjë e ka ardhur gjer në ditët tona një familje historike, familja e shquar Mazreku, me gjurmë në kohë dhe sot në aktualittein shqiptar.

Kush shkel në qytetin e Shkodrës, qoftë dhe si vizitor i zakonshëm, nuk mund të mos kontaktojë me gjurmët e kësaj dere, që me kohë ka krijuar një portret të denjë për nder e respekt jo vetëm në këtë qyetet perlë e antik, por dhe më gjërë.
Kjo familje është pjesë e palcës historike të Shkodrës, pjesë e identitetit historik të qytetit të mirënjohur.

Njëri nga pinjollët e kësaj dere fisnike është edhe Vili Mazreku, nipi historik i Luigj Gurakuqit, njërit nga luftëtarët dhe ideatorët e revolucionit Nolian, i cili qëndroi përkrah liderit iluzionist e pacifist, deri sa dha jetën për kombin e tij.
Vili Mazreku është vëllai i komentatorit brilant të sportit Anton Mazreku, i cili la një emër të ndritur në analet e gazetarisë dhe sportit shqiptar, me shkëlqimin e një ylli të papërsëritshëm më në valët e radiove dhe studio e televizoneve, ku gjëmoi fjala e tij që dehu e mrekulloi mijëra e mijëra spektatorë.

Karriera e Vili Mazrekut nisi që në vitet e mbretërimit të mbretit Zog, i cili personalisht i dha një bursë studimi atij për të studiuar në fakultetin e Shkencave Mjekësore, në Bolonjë, në një nga shkollat e larta më të mira në këtë fushë në perëndim e më gjërë. Atje, në Bolonjë, ai dhe bashkëstudentet e tij përjetuan pushtimin e vendit, të cilin e pritën me indinjatë dhe revolta të forta, ndonëse jetonin e mësonin në vendin ku fashizmi kishte veshur së pari këmishën e tij të zezë dhe kishte shfaqur fytyrën e tij agresive në Europë e në mbarë botën.

Çlirimi i vendit e gjeti Vilin në ballë të luftës së një brezi idealistësh për të shërruar plagët e luftës, për të lënë prapa të kaaluarën konfliktuale në emër të një jete të re. Ai u emërua shef i mjeksësisë së ushtrisë shqiptare dhe mori pjesë në provokacionet greke të gushtit 1949 ndaj trojeve shqiptare, ku u dallua për kurajo e trimëri dhe u dekorua nga institucionet e kohës. Por një martesë e beftë, me mbesën e patriotit të madh Aqif Pashë Elbasanit, ku implikohej dhe figura e Ibrahim Biçakut, ish kryeministër në kohën e nazi-fashizmit, do të bënte që djaloshin ta flaknin nga detyra dhe për pak të endej në kërkim të vetvetes. Atij i ra ylli i dashurisë me Shpresën, një vajzë e bukur nga Elbasani, të cilën rinia e kohës e quanin “bejleresha”, ngaqë vinte nga një derë e kamur dhe dihet se në atë kohë lufta kundër njerëzve të kamur ishte ideologji vepruese e kohës.

Kjo martesë e zhvendosi një pjesë të derës së Mazrekëve të Shkodrës, një pinjoll të kësaj dere, në Elbasan, ku në hyrje të kësaj lagjeje të njohur, ngrihet madhështore një ndërtesë, që nderohet dhe respektohet prej të gjithëve e kjo është shtëpia e Pashës, shtëpia e Aqif Pashë Elbasanit, këtij atdhetari të kulluar e burri mendjendritur të historisë, kryetar i Kongresit të Lushnjes, i nderuar për kontributet e tij, si firmëtar i aktit të Pavarësisë dhe lirisë. Këtu, në shtrirjen e degëzimet e kësaj dere, bashkëngjiti martesën dhe ëndrrën e tij të re për jetën, intelektuali dhe mjeku Vili Mazreku. Që nga kjo kohë, kur ndodhi kjo martesë fatlume, nuk mund të kuptohet familja e shquar e Mazrekëve të Shkodrës pa lidhjen e njohur e të farkëtuar në kohë të vështira për shqiptarinë me familjen e Pashë së ndritur të Elbasanit dhe pasardhësve të tij. Bashkimi i këtyre dy familjeve, njëra katolike, tjetra myslimane, njëra nga Veriu, tjetra nga Shqipëria e Mesme, njëra e lidhur me krahun e majtë liberal-demokratik të kohës, tjetra me krahun e djathtë radikal, por që në thelb të dyja i bashkonte dashuria e çiftit të porsalidhur dhe dashuria për tokën e tyre, për njerëzit dhe historinë e këtij vendi me gjurmë të ndritura në kohë…

E kështu, ajo vajzë e re, e mirënjohur në qytet si mbesa bukuroshe e Pashës, u dha fund shëtitjeve anës Kalasë së famshme të Skampës, e vetëdijshme se me atë lidhje, me atë martesë, po i bënte një shërbesë, po jepte një mesazh për dje, për sot dhe për nesër, se “Shqipnia”, siç shprehej në gjallje Babagjyshi plak, është një e një do të jetë, jug e veri, lindje e perëndim, se ajo vajzë e thjeshtë, bijë e një dere të madhe, që mbante ndër deje gjakun e Pashës, por edhe në zemër, mbushur plot jetë e fuqi nga vepra e babës së saj, delegatit të Lushnjes, intelektualit të viteve 20′ e më këtej, patriotit të madh, Beqir Rusi, tashmë nuse në Shkodrën loce, tek Mazrekët, do të justifikonte rrënjët dhe do t’i rriste lart e më lart ato.

Çifti i ri, siç thamë, u vendos në Elbasan dhe aty hodhi rrënjë. Pas një ecejake në detyra të ndryshme, në rrethe të ndryshme të vendit, Vilin e caktojnë mjek epidemolog në Elbasan, ku për pak kohë do të bëhej shef i Epidemiologjisë në spitalin e rrethit të Elbasanit. Këtu do të punonte me përkushtim për njëzet e pesë vjet, duke iu shërbyer elbasansve ditën e natën, orar e pa orar, me një dashuri të madhe për njerëzit e këtij qyteti që u bë për të një qytet po aq i dashur sa Shkodra e tij.
Në shtëpinë e tyre të re, flitej për Shqipni, për atdhe, për flamur, flitej për jetën, vinin njerëz nga ana e anës për t’u mjekuar dhe shpesh, ngaqë ishin larg e nuk ia dilnin të shkonin në shtëpinë e tyre, flinin tek shtëpia e çiftit të ri, që po bëhej për elbasanasit në nevojë një strehë mikpritëse e hall-zgjidhëse.

Puna ditë e natë, orar e pa orar, me përkushtimin e një misionari, nuk e lodhi Vilin kurrë dhe këtë edukatë, edukatën e punës, dashurinë për njerëzit dhe gadishmërinë për t’iu shërbyer të tjerave, ai ua edukoi dy fëmijëve, Serxhos dhe Inës, që do të behëshin kuadro të aftë e me vizion për kohën dhe bashkëkohësit.
Siç duket, tradita, kultura e të dy familjeve prej nga burojnë këta pinjollë, dashuria për kulturën dhe shkencen, pasioni për të kontribuar për shoqërinë, janë gene që kulmojnë në një, në shpirtin e tyre atdhetar, në predispozitat e tyre sociale e humane, për të bërë diçka më shumë se realizimi i një ekzistence të zakonshme.

Pra, është ky detyrim atdhetar, ku pasionet dhe kontributet politike për kombin kanë qenë dhe mbeten pjesë e kredos së familjes Mazreku, që e shtyu Vilin, mjekun e shkëlqyer nga Shkodra, të ishte për çdo çast i motivuar në shërbimet e pa kufi për banorët në nevojë të Elbasanit.
“Vili Mazreku, thotë Flamur Harri, pinjoll i një familje të peresekutuar nga Diktatura, ka qenë një mjek model, që nuk do të harrohet kurrë në qytetin e Elbasanit. Ai ishte jo vetëm i talentuar dhe plot pasion në fushën e tij, jo vetëm i papërtuar dhe human, por dhe me një shpirt të madh, ku rrezatonte mirësia, bujaria dhe vlerat e mirëfillëta qyetare e njerëzore. Intelektualë të tillë duhet të merren si modele edhe sot, pasi pa përkushtim dhe dashuri nuk mund të bëhet asgjë e denjë dhe serioze në këtë vend, që ka aq shumë nevojë për heronj dhe modele”.

Në fillim të viteve ’80, unë kam punuar si oficer në Elbasan dhe më ka rënë rasti ta takoj personalisht e të marrë kurime nga mjeku i nderuar, Vili Mazreku, kam parë e ndjekur përkushtimin e tij për punën, dashurinë për profesionin, thjeshtësinë dhe çiltërsinë e natyrshme, gadishmërinë e tij për të qenë gjithmonë gati, në çdo kohë, në shërbim të atyre që kishin nevojë për mjekimin e tij, por dhe për fjalën e ngrohtë e të pastër, që nuk i reshti kurrë në buzë.
Nuk do ta harroj kurrë atë buzëqeshjen e tij të çiltër, që tregonte modesti e mirësi, korrektesë e ndershmëri profesionale e njerëzore, mënyrën se si ky person depërtonte në zemrën dhe shpirtin e pacientëve dhe bashkëqytetarëve të tij.

Edhe pse kanë kaluar vite që Vili Mazreku nuk është më, emri i tij vazhdon të rrojë e të frymëzojë jo vetëm banorët e Kalasë, që e kishin bashkëqytetar dhe mik të të familjeve të tyre, por gjithë Elbasanin, gjithë ata që jo vetëm e kanë njohur dhe kanë përfituar nga shërbimet e tij, por dhe ata që kanë dëgjuar për të, kanë ndjekur gjurmët e punës së tij përkushtimtare në kohë.
Sa ishte gjallë, megjithë kulturën dhe dijet që zotëronte, institucionet e kohës së monizmit, për shkak të “njollave në biografi”, nuk ia dhanë titullin “profesor”. Titullin “profesor” ia dhanë njerëzit e thjeshtë, populli i Elbasanit, që e deshi dhe për të cilin atij i rrahu zemra gjer në fund të jetës.
Për kontributin e tij të shquar si mjek dhe intelektaul ai është dekoruar dhe i janë dhënë tituj e grada respekti jo vetëm në kohën e komunizmit, por edhe në kohën e demokracisë, për të cilin kontribuoi aq shumë ky njeri progresist dhe idealist. Për merita të veçanta e kontribut në fushën e mjekësisë shqiptare, mjeku i nderuar Vili Mazreku është nderuar me dekoratë nga ish presidenti Sali Berisha.

Sot kur mjekët më shumë se drejt nevojave të pacientëve, rendin drejt interesave të tyre personale, drejt interesit të “xhepit”, imazhi i një mjeku të një modeli tjetër, si ai i Vili Mazrekut, është një ftesë për reflektim, pasi tani më shumë se kurrë shoqëria shqiptare ka nevojë për njerëz idealistë, që të ngihen përmbi unin e tyre të ngushtë, përmbi interesat e tyre të vogla, në emër të një sistemi vlerash tek të cilat besonte Vili Mazreku dhe bashkëidealistët e tij.

Marrë nga faqja FAMILJET E MEDHA TE ELBASANIT në Facebook