Visar Zhiti
Visar Zhiti

Eugjen Merlika – Një vend të një hyrjeje. Nuk kanë kaluar as tre muaj nga botimi i romanit “Funerali i pafundmë” i shkrimtarit të mirënjohur Visar Zhiti në gjuhën italiane, nga shtëpia botuese e mirënjohur “Rubbettino”.

Në Itali botohen çdo muaj dhjetëra libra në origjinal apo të përkthyer nga autorë të ndryshëm të huaj. Zgjedhja e tyre ka kriteret e veta cilësore apo tregtare. Vepra e Visar Zhitit hyn pa mëdyshje në kriterin e parë. Fakti që gjen jehonë në median italiane, në faqet e dy gazetave të mëdha kombëtare, asaj kryesores së ipeshkvijve të Italisë, “Avvenire” dhe asaj të Milanos, “Il giornale”, nëpërmjet shkrimesh cilësore kritike, është mjaft inkurajues për suksesin e veprës në publikun italian.

Po kush janë autorët e shkrimeve më të fundmë? Janë gazetarë e shkrimtarë të shquar në jetën kulturore të Italisë. Poeti Davide Brullo është autor i 25 vëllimeve me tematika të ndryshme e të larmishme, poezi, shkrime kritike, shkrime të historisë së krishterimit e të përfaqësuesve të tij të shquar që nga Shën Agostini tek Shën Françesku, libra mbi poetët e revolucionit rus apo Kafkën e mjaft të tjera.

Eshtë një veprimtari për t’u respektuar, sidomos po të mbahet parasysh fakti se ende nuk ka mbushur dyzet vjeç, është i datëlindjes 1979. Shkrimi i mëposhtmë u botua në fletën letrare “Album” të gazetës që ka për botues vëllanë e Silvio Berluskonit, “Il giornale”. N’atë shkrim vlerësohet lart vepra “Funerali i pafundmë”, një krijim që na kujton botën e Dostojevskit e në të cilin “ylli i lirikës shqiptare”, simbas autorit, pohon vdekjen e “mendimit të njësuar” të asaj bote, më se 70-vjeçare, në të cilën popuj të tërë, mes të cilëve edhe bashkatdhetarët e autorit të librit, e gjetën veten në një vargan të pafund mjerimi dhe krimi shtetëror të pandëshkuar. Por për kritikun Brullo ideja përgjithësuese e romanit i kalon shumë kufijtë e kohës dhe të Vendit në të cilin përfytyrohet zhvillimi i subjektit, duke marrë përmasa universale që vërehen në të gjitha diktaturat e ndryshme të historisë së njerëzimit.

“Leximi është një zbritje në mitrën e llahtarshme të shekullit, ku gjithshka është e vdekur, duke vdekur, që do të vdesë…”. Kjo është tablloja që përfton kritiku nga leximi i veprës, e cila për të është “një roman në vargje i jashtëzakonshëm”. Alessandro Zaçuri, i lindur në La Spezia më 1963, është shkrimtar, gazetar dhe bloger italian. Ka studjuar dhe është diplomuar për letërsi klasike (me një tezë mbi filologjinë mesjetare dhe humaniste) në Universitetin Katolik të Milanos. Emri i këtij universiteti, me një dhimbje të fortë në zemër më sjell ndërmend emrin e një djaloshi të shkëlqyer, Atjon Zhiti, që studionte aty e që na ka lënë një libër me ese e një album me piktura, të vlerësuara dhe ato në Europë… E kujtoj se kopertina e romanit “Funerali i pafundmë” në botimin italian është vepër e tij.

Kritiku tjetër, Alessandro Zaçuri bashkëpunon me gazetën “Avvenire” dhe periodikët “I huaji” dhe “Leximet”. është autor romanesh, esesh të kritikës letrare, pregatitës për shtyp të veprave të shkrimtarëve si Elio Fiore, Camillo Sbarbaro, Ray Bradbury, André Malraux. është autor i dhjetë vëllimeve, mes të cilëve katër romane, dhe fitues i disa çmimeve letrare si Biella, Frignano, Basilicata, Mondello, Comisso dhe finalist i çmimit Campiello. Duke vënë theksin shkurtimisht mbi disa nga vlerat më të spikatura të romanit, mendoj se shkrimi i Zaçurit është një dhuratë e bukur në këtë fillim viti, jo vetëm për autorin e veprës, por dhe për të gjithë lexuesit, italianë dhe shqiptarë që me të drejtë krenohen me emrin e Visar Zhitit, i cili, simbas tij, është “njëri nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë së re shqiptare, Zhiti është i njohur dhe i vlerësuar në Vendin tonë”.

Botuesi i veprës në kapakun e mbramë të librit shkon edhe më tutje në vlerësimin e shkrimtarit tonë të madh. Ja çfarë thuhet aty: “Përveç se i ka dhënë një ndihmesë tepër të lartë e origjinale panoramës letrare ballkanike, tregimet e tij, romanet e tij ashtu si dhe esetë e tij kanë fuqizuar lirinë intelektuale dhe jetën demokratike të Shqipërisë”. Pa dashur të hyj në hollësitë e shfaqjeve të një qëndrimi të turpshëm të ish-kryetarit të shtetit, por edhe të ndonjë media në nivelin e “keqshkruesve” të internetit në Shqipëri, të cilët me disa veprime të tyre në vitet e fundit, kanë shkaktuar shqetësime të tepërta, banale, të këqija, të pamerituara për të gjithë ne dhe në veçanti për shkrimtarin më të shquar të pas komunizmit shqiptar, prandaj këto shkrime i shoh dhe si vazhdim i një kundërveprimi shumë të fortë nga shumica e shëndoshë e opinionit publik, vendas dhe të huaj, por që përbëjnë dhe një kënaqësi estetike, tejet të merituar, jo vetëm për Visarin, por për të gjithë shqiptarët e ndershëm e dashamirë të kulturës, veçanërisht për ata që kanë jetuar së bashku me të në galeritë e mallkuara të Spaçit.
Në POEMEN E ZHITIT VDEKJA E “MENDIMIT Të NJËSUAR”
(Nga Davide Brullo) I pakapshëm, poeti vazhdon të jetë i dënuar nga regjimi. I torturuar, i poshtëruar, i fyer, poeti është qengji i flijuar i “terrorit të kuq”, komunizmit. Një shembull i afërt. Shqipëria e Enver Hoxhës. Një lloj Koreje e Veriut anakronike e futur si një thikë në ijen e majtë të Evropës. Jemi në vitin 1979, poeti është 27 vjeç dhe është ylli i lirikës shqiptare. Quhet Visar Zhiti. I arrestuar për “agjitacion e propagandë kundër Shtetit”, në gjyq gjyqtarët valëvisin poezitë e tij. “Borgjeze e dekadente” vendosin. “Të shkruara me një gjuhë hermetike, armike të realizmit socialist”.

Dukej se ishte 1937, nën thundrën e Stalinit, por ishte pardje. Poeti u dënua me punë të detyruar. Punonte nën tokë, për të nxjerrë bakër. Si një Orfe që ka humbur edhe perënditë e nëntokës, veç Euridiçes. Së bashku me të ishin intelektualë, shkrimtarë, poetë.

Kur e kam takuar më tha se shkëmbenin kontrabandë poesitë e Walt Whitman-it e të Baudelaire-it, faqe të romaneve të Dostojevskit. “U kapa pas poezisë, për të mos u çmendur. Shkruaja në errësirë, natën, pa letër e penë, shkruaja në kokë”. Tetë vite burg. Më 1991 ikja. Milano, Gjermani, Shtetet e Bashkuara. Jeta dalëngadalë e shpërblen. Visari është më parë ambasador i Shqipërisë në Vatikan, prej pak kohe në ambasadën shqiptare në Shtetet e Bashkuara, në Ëashington DC. Poezia e tij, edhe për fuqinë etike, “shembullore dhe e mrekullueshme” (kështu shkruhet në numurin e Në formë fjalësh, kushtuar poetëve të tokës së Shqipërisë, 2002), kalon shpejt në Itali.

Mbasi kishte botuar, më 2014, “Perëndia mbrapsht dhe e dashura” botuesi Rubbettino ka nxjerrë në librari, nën kujdesin e zakonshëm të Elio Miraço-s, Funeralin e pafundmë, roman në vargje i jashtëzakonshëm, që kashtis ankthin uajtmanian të këngës me marramendjet e Mario Luzi-t ( i të cilit Zhiti është përkthyesi). Në fakt, poema në 66 oda të këtij kundër – Nerude, i botuar në origjinal më 2003, është varrimi, 100 vjet mbas Revolucionit rus, të “mendimit të njësuar” (nga ana tjetër, “të mendosh ndryshe të ndërlikohet jeta”), të Shtetit si “varrmihës”, të diktatorit si proletariati i bashkuar (“Në vdekjen e diktatorit mbretëron një hije e rëndë në të gjithë Shtetin dhe një angështi, duket sikur ka vdekur edhe vendi. A do të gjindet më një tjetër shtypës kaq i suksesshëm ë”) Leximi është një zbritje në mitrën e llahtarshme të shekullit, ku gjithshka është e vdekur, duke vdekur, që do të vdesë, ndërmjet funeralit të Stalinit (por “të një tjetër Stalini… varroset sozia sepse origjinali duhet të jetojë”) dhe atij të “kundështarëve… të bërë copë e çikë”, me pjesë të një ironie cinike (“Partia filloi të marrë vendime të çuditshme/shpallte tradhtarë edhe të vdekurit/ Po ku ka tradhëtuar, Përtej varritë”) Në këtë valle të çmendur ferri megjithatë shpërthen dashuria, epshore (“Që një ditë do të vdisja, e dinja, por që të bënja dashuri në një funeral, nuk m’a ka marrë mendja kurrë), madje në “formë piramidale”. Megjithëse i prashitur nga pushteti, poeti gjithnjë ulërin “po”-në e tij mizore jetës. (Marrë nga “IL giornale”, 6 nëndor 2017).
ZHITI, VDEKJA SI ALEGORI
E TOTALITARIZMIT
(Nga ALESSANDRO ZAÇURI) Arkivoli valëvitej aty poshtë, i paarritshëm në krye të varganit të përmortshëm. Nuk është e qartë se cili është i vdekuri, por vargu vazhdon ecjen, gjithënjë e më tepër i kapitur e i zbërthyer, sikur se mbas arkëmortit mos të ishin më të gjallët, por të vdekurit të ringjallur nga një e shkuar që përndryshe rrezikohej të ishte harruar. është një valle e veçantë vdekësore ajo që poeti shqiptar Visar Zhiti vë në skenë në këtë “Funeral të pafundmë”, roman në vargje i përkthyer mrekullisht nga Elio Mirako në një italishte që ruan ashpërsinë dhe guximin e sprovës së origjinalit: kapërcimet e papritura që ngrenë krye nga një kapitull në tjetrin, pjesë të gjata gati në prozë që përmblidhen në epigrame, të çemuna gaztore dhe rrokullisje dramatike, një faqe e bardhë për të lënë të kuptohet se pragu i të pathënëshmes është arritur. I lindur i dënuar, me punë të detyruar, nga regjimi i Enver Hoxhës për poezitë e tij, të gjykuara fajësisht “hermetike”, i bërë me kohë njëri nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë së re shqiptare, Zhiti është një autor i njohur dhe i vlerësuar në vendin tonë edhe në sajë të bashkëpunimit me gazetën “Avvenire”.

Në krahasim me librat tashmë të përkthyera n’Itali (përmbledhjet e poezive “Kryq mishi” dhe “Rrëfime pa altar”, të dalura përkatësisht më 1998 dhe 2013, romani “Perëndia mbrapsht dhe e dashura” i botuar gjithmonë nga Rubbettino më 2014) “Funerali i pafundmë” shquhet më shumë për prirjen më të theksuar ndaj kategorive të paradoksales, në vijën e kundërshtimit, jo vetëm politik, që bashkon shumë nga shkrimtarët e dalë nga shkërmoqja e sistemit komunist ballkanik. Megjithatë, pavarësisht nga gjithçka, poemthi këmbëngulës tregimtar i Zhitit nuk është një dokument i dëshpëruar, por dëshmia e një shprese të paarsyeshme por të qëndrueshme.

“Kam ëndërruar sikur t’ishim në një ëndërr” thotë personazhi kryesor, të cilin autori e ngarkon të flasë n’emër të tij, edhe se e mundëshme, por jo e sigurtë që ai karvan i përmortshëm mund të jetë një rikthim pak i mbuluar i vuajtjeve të pësuara nga poeti gjatë burgimit në minierën e Spaçit : “Burri u rrëzua.

Ata mbrapa u munduan të mos e shkelin, kaq mundën të bënin”. Sa më shumë zgjatej, aq më shumë rrugëtimi merrte një ecuri vdekësore, sepse “çdo varrim, ashtu si Shteti ka pjesën e vet të paarsyeshme” dhe asnjë zbulim, as vetë ai i përmbajtjes së vërtetë të arkëmortit, nuk dukej se kishte fuqinë të ndërpriste magjinë: “Ngrita kokën i shastisur dhe pashë të drunjëzuar kupën e qiellit si një arkëmort të brejtur nga krimbat e yjve”.

I konceptuar si alegoria e totalitarizmit, Funerali i pafundmë kthehet në një përsiatje më të gjërë mbi gjëndjen njerëzore, ndërmjet instiktit të mbijetesës dhe fatit të përbashkët: “Ne i përkasim të gjithë vdekjes e mbi të gjitha në një funeral”, shkruan Zhiti, duke bërë të depërtojnë në bashkëkohësinë fjalët e dashura të Etërve të shkretëtirës.
Marrë nga gazeta “Avvenire”, 5. 01. 2018 
(I shqipëroi Eugjen Merlika)/GSH.AL/