Në mbledhjen e Moskës, Hrushovi kishte deklaruar se Shqipëria është një vend ekonomik i dështuar dhe komunistët shqiptarë e pranonin këtë realitet, por jo publikisht

Në 18 qershor 1956, Byroja Politike e KQ të PPSH diskutoi për gjendjen ekonomike të vendit dhe për vështirësitë e marrjes së kredive nga vendet e tjera komuniste.

Pas diskutimesh të shumta, nga mesi i mbledhjes, një nga anëtarët e Byrosë habitet se si është mundur që Shqipëria ndodhej në prag të katastrofës ekonomike dhe ai, si pjesë e Byrosë, nuk dinte gjë. “Si ndodh kjo punë që ne jemi në gjendje të vështirë?”, – pyet Rrapo Dervishi.

Sipas diktatorit, përgjegjësia që për të informuar anëtarët e Byrosë ishte e Spiro Kolekës. Ai menjëherë jep disa shpjegime për një mbledhje në Moskë, por në këtë procesverbal nuk janë regjistruar fjalët e tij.

Pak më vonë, Rrapo Dervishi pyet sërish: “Unë prap nuk e kuptoj përse neve jemi në gjendje të vështirë?”

Gjendja ishte e vështirë, sepse pas shkatërrimit të ekonomisë me kolektivizimin e saj (një mënyrë për ta vënë gjithçka nën kontrollin e PPSH-së), Shqipëria kishte 900 milionë rubla borxh, derisa të shlyhej, borxhi do të bëhej një miliard e 600 mijë rubla. Deri në vitin 1965 vetëm përqindja arrinte 120.000.000 rubla. E vetmja mënyrë që Shqipëria siguronte ndonjë të ardhur ishte eksporti i lëndëve të para (minerale kryesisht) e nëse nuk merrej një kredi e re dhe nëse vendet që kishin dhënë borxhet këmbëngulnin në shlyerjen e tij, gjithë eksporti do të shkonte për larjen e tij dhe ekonomia shqiptare, sipas Kryeministrit, merrte fund. Mehmet Shehu përmendi gjithashtu se Hrushovi kishte deklaruar në mbledhjen e Moskës se Shqipëria ishte në prag të katastrofës.

Ata që lavdërojnë veprat e mëdha industriale të diktaturës, duhet ta lexojnë esëll procesverbalin që po botojmë sot.

Në këtë bisedë vlen të shikohet me vëmendje edhe diçka: formimi i ulët ekonomik i të pranishmëve. Kur njëri thotë se sovjetikët i shikojnë marrëveshjet ekonomike me Shqipërinë si tregti, ndërhyn menjëherë Enver Hoxha dhe thotë se kjo nuk është politikisht korrekte, që të akuzohej BS se bënte tregti. Sipas tij, tregti bënin vetëm imperialistët. Mehmet Shehu, Kryeministri, bën një ndërhyrje edhe më qesharake. Ai thotë se kredia nuk është tregti, por ndihmë. Kredia, realisht, është një normë fitimi e kredidhënësit. Në rastin e kredive të Bashkimit Sovjetik për Shqipërinë, norma e fitimit (përqindja) ishte dy për qind.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe largimi i Dali Ndreut dhe Liri Gegës nga Tirana. Pak më vonë fatin e tyre e pësoi Liri Belishova që në këtë mbledhje diskuton serbes. Mehmet Shehu e Beqir Balluku, kur u erdhi radha, nuk u larguan nga Tirana hiç, ata thjesht u pushkatuan. Kurse Rita Markon, Spiro Kolekën e ndonjë tjetër koha tregoi se diktatori s’e pa të arsyeshme as t’i largonte nga Tirana, e as të harxhonte një plumb.

DOKUMENTI

Partia e Punës e Shqipërisë Tepër Sekret

Byroja politike KQ

Sekretaria

 Proçes -Verbal Aneks i mbledhjes së Byrosë politike te komitetit qendror të PPSH të datës 18.6.1956

Në mbledhjen e Byrosë politike të Komitetit Qendror të PPSH të datës 18 qershor 1956, përveç çështjeve të tjera u muarën në shqyrtim edhe këto:

1- Informacion mbi punimet për koordinimin e planit pesëvjeçar 1956-1960 të vendeve pjesëmarrëse në këshillin ekonomik.

2-Të ndryshme

Zhvillimi i mbledhjes

1-Informacion mbi punimet për koordinimin e planit pesëvjeçar të vëndeve pjesëmarrëse në këshillin ekonomik

Shoku Spiro Koleka: Këtu kam paraqitur një informacion mbi punimet e këshillit ekonomik për planin pesëvjeçar 1956-1960, dhe për të përballur vështirësit tona propozojmë:

1) Që Shqipërisë të mos i miret asnjë interes, dmth që për neve të bëhet përjashtim, 2) deri në vitin 1970, për këto kredi që kemi marë dhe për ato që do të marim, të shkarkohemi nga pagimi i detyrimeve, në këtë mënyrë ne mund të marim angazhim se për pesëvjeçarin e tretë dhe të katërt nuk do të kërkojmë më kredi.

Unë mendoj se nuk është e drejtë që neve nga një anë të kërkojmë kredi dhe nga ana tjetër të paguajmë interesa. Unë them që ne jemi në kondita të veçanta në krahasim me vendet e tjera pjesmarrëse në Këshillin ekonomik.

Shoku Enver Hoxha: Unë propozoj që neve të bëjmë planin, t’ua japim atyre dhe t’u themi që për të realizuar këtë plan duhet që Çekosllovakija, Hungarija, Bullgarija etj. t’ja plotësojnë. Në qoftë se ata thonë jo, atëherë ne kërkojmë që këto nuk mund t’i paguajmë. Përsa i përket interesës unë propozoj të mos u themi të na i falin por të na zbritet përqindja.

Bashkimit Sovjetik do të fillojmë t’i paguajmë nga viti 1980 e tutje. Kështu mund t’i kërkojmë edhe ndonjë shtetit tjetër ( të cilit duhet t’i paguajmë nga viti 1960-1965) që të na i shtyjë pesë vjet më tutje. Ndërsa po ta themi ashtu sikurse thotë Spirua, që nuk duam më kredi ose që nuk kërkojmë më, nuk është e drejtë.

Shoku Spiro Koleka: Nuk ka qenë njëri dakort që neve të na jepen kredi.

Shoku Enver Hoxha: Në qoftë se nuk na jepen kredi ne u themi të shikojnë në qoftë se në plan ka gjëra të tepërta. Deri sa ata e pranuan atë më parë, ky plan duhet të realizohet. Këtë tezë ne mund ta mbrojmë mbasi është e drejtë. Ne mund t’i themi Saburovit që të shikohet në qoftë se këtu ka gjëra të tepërta dhe në qoftë se ata kanë qenë dakort atëherë të thotë që të na ipen.

Shoku Gogo Nushi: Unë jam dakort ashtu sikurse thotë shoku Enver. Ne nuk mund të themi që të mos japim interesa dhe të mos paguajmë detyrimet gjer në vitin 1970. Ne duhet t’u themi që kemi 160 milion rubla për të paguar dhe që mund të paguajmë interesa më të ulta, nga 2% në 0,5%. Për kreditë e reja unë themë që ta bëjmë ashtu siç ka pranuar Bashkimi Sovjetik; për të tjerat ne i kemi parashikuar në qoftë se na jepen kreditë dhe të na ulen ratat.

Shoku Mehmet Shehu: Unë bisedova me Krillovin për çështjen e borxheve tona dhe ai më tha se Qeveria Sovjetike i shtyti ato për në vitin 1980, kurse përsa i përket 2% më tha se ajo është normë për të gjithë. Atëherë unë i thashë që Kina na i jep me 1% dhe ay tjetri me 0,5% – dhe ai më tha se këtë nuk e dij.

Ajo që thatë ju është absolute, por unë mendoj që mos ta përplasim çështjen menjëherë atje në mbledhje por të kërkojmë të bisedojmë me shokun Hrushov. Unë isha më i avancuar se sa Spirua dhe ne kemi arsye. Ne nuk mund të jemi barabarë me Çekosllovakinë dhe me vëndet e tjera. Jugosllavisë ju falën të tëra borxhet për arsye se ishte në kondita të vështira. Unë isha i mendimit që ne të kërkojmë të na falen të paktën gjysma e borxheve. Halli ynë duhet biseduar pse ne duhet të fillojmë të paguajmë borxhet qysh nga viti 1958. Kjo është një çështje parimore: që nga një anë shtyjmë ratat dhe nga ana tjetër marim kredi.

Shoku Enver Hoxha: Jo, kjo nuk është e drejtë.

Shoku Mehmet Shehu: Unë jam i mendimit që interesi për ne të jetë 1% dhe gjysma e borxheve të na falen.

Shoku Spiro Koleka: Unë themë që ata do të thonë të paguhen borxhet.

Shoku Enver Hoxha: Mirë, po ata duhet të dinë se unë ja heq popullit nga goja.

Shoku Mehmet Shehu: Për konditat tona specifike nuk është turp të na falen gjysma e borxheve.

Shoku Enver Hoxha: T’i the se nuk është e drejtë që nga një anë të marim kredi dhe nga ana tjetër të paguajmë borxhe?

Shoku Mehmet Shehu: Spirua thotë që kjo të konsiderohet si hua, kurse ajo e Koresë dhe e Jugosllavisë është falje. Unë themë që neve mbajmë për 0,5%.

Shoku Enver Hoxha: Unë themë që më mirë të themi që ato të na falen dhe pastaj të forcojmë ekonominë tonë.

Shoku Koço Theodhosi: Ne kemi qenë në vitin 1954 për t’i shtytur këto gjer në vitin 1958, kurse tani kërkojmë të shtyhen pas vitit 1980. Kjo është një gjë e madhe.

Shoku Spiro Koleka : Për ato që thotë shoku Gogo neve do të na vijë mendja vërdallë në pesëvjeçarin tjetër pas dy vjetëve, dhe prap do të na dalë të marim kredi.

Shoku Enver Hoxha: Unë jam i mendimit që t’i shtrojmë këto çështje atje, kurse me sovjetikët do të bisedojmë ndryshe.

Shoku Spiro Koleka: Unë kam hallë pse kemi edhe çështjen e pesëvjeçarit tjetër. Kur të thonë Çekosllovakija, Hungarija dhe Bullgarija që nuk japim kredi, atëherë ne na mbetet vetëm Polonija dhe Bashkimi Sovjetik.

Shoku Enver Hoxha: Atëherë ne do t’i themi Polonisë dhe Bashkimit Sovjetik që t’i shtyjmë këto mbasi Hungarija dhe të tjerët tregohen shumë intrasigjentë.

Shoku Spiro Koleka: Puna është se ne do të kërkojmë kredi edhe për pesëvjeçarin tjetër.

Shoku Mehmet Shehu: Shoku Hrushov atëherë e tha para të gjithëve se Shqipërija duhet ndihmuar.

Shoku Enver Hoxha: Atje në mbledhje mund të thuhet që neve të na ulen ratat në 1% ose 0,5%.

Shoku Spiro Koleka: Unë kam formuar bindjen se të tjerët janë mërzitur duke u kërkuar kredi dhe thonë se gjer kur këta do t’na kërkojnë.

Shoku Enver Hoxha: Atë nuk e ke kuptuar mirë, se ata na kanë dhënë kredi.

Shoku Spiro Koleka: Ata i kanë shikuar marëveshjet me Shqipërinë në formë tregëtije, duke na i dhënë kreditë me 2%, ashtu siç janë bërë dhe marëveshjet me Poloninë, Çekosllovakinë etj.

Shoku Enver Hoxha: Kjo nuk është e drejtë! Nuk është e drejtë të thuhet se ata bëjnë tregti me neve, tregëti bëjnë imperialistët. Politikisht kjo që thua ti nuk është e drejtë.

Shoku Spiro Koleka: Tregëtija e kampit tonë socialist nuk ka çfrytëzim, por nuk është e drejtë që neve të na jepen kreditë me 2% interesë, aq sa është edhe për vëndet e tjera të kampit tonë që kanë një ekonomi të fuqishme.

Shoku Enver Hoxha: Kjo që thua ti nuk është e drejtë pse Bashkimi Sovjetik nuk bën tregëti me kreditë që na jep neve.

Shoku Mehmet Shehu: Kredija është ndihmë dhe jo tregëti.

Shoku Spiro Koleka: Unë themë që Shqipërija brenda kampit tonë të mos konsiderohet e njëllojtë me vendet e tjera.

Shoqja Liri Belishova: Është e qartë se gjëndja e jonë është shumë e vështirë, prandaj është mirë që neve t’a çfrytëzojmë këtë rast me që do të mblidhen këto shokët atje.

Shoku Enver Hoxha: Situata jonë është shumë e vështirë por ata nuk do t’na hedhin neve lekun në fyt. Tani është rasti i mirë për t’i shtruar këto çështje.

Shoku Rapo Dervishi: Si ndodh kjo punë që ne jemi në gjendje të vështirë?

Shoku Enver Hoxha: Kjo pyetje që bëni ju është e drejtë mbasi nuk jeni në dijeni të çështjeve, prandaj shoku Spiro t’i vëjë në dijeni shokët në lidhje me mbledhjen e janarit dhe atë të Moskës.

Shoku Spiro Koleka: ( Tregon mbi mbledhjen e Këshillit ekonomik që u bë në janar 1956 dhe për mbledhjen e Moskës ku mernin pjesë edhe sekretaret e parë të partive komuniate e puntore të vendeve anëtare të Këshillit ekonomik).

Shoqja Liri Belishova: Unë themë se gjendja jonë është e vështirë, prandaj me qënë se është kjo mbledhje ne mund t’a çfrytëzojmë këtë rast.Por si ta çfrytëzojmë? Është mirë që më parë të bëhet një bisedim paraprak me shoku Hrushov duke i treguar që neve kemi këto variante dhe mbasi ju mund të keni variante të tjera që mund të ngrihen në atë mbledhje. Unë mendoj të ngremë vetëm çështjen e planit pesëvjeçar . Ata u bënë favore Koresë, Kinës, Jugosllavisë prandaj dhe neve mund të na bëjnë.

Shoku Rapo Dervishi: Unë prap nuk e kuptoj përse neve jemi në gjendje të vështirë?

Shoku Mehmet Shehu: Ne jemi në gjendje të vështirë sepse kemi 900 milion rubla borxhe sa të lahen këto bëhen një miliardë e 600 mijë rubla. Në vitin 1965 bëjnë 120.000.000 rubla ratat. Kështu do të jemi në një situatë shumë të vështirë pse po të mos na japin kredi atëherë të gjithë eksportin duhet ta japim vetëm për borxhin dhe kështu mbaroi ekonomija popullore. Kjo vështirësi nuk duket tani por do të fillojë të ndihet në vitin 1958 e tutje, atëherë kur mbaron afati i pagesave. Këtë çështje e ngriti shoku Enver në mbledhjen që u bë në Moskë sa që shoku Hrushov tha se Shqipërija është në katastrofë prandaj duhet ndihmuar.

Shoku Beqir Balluku: kjo mbledhje që do të bëhët tani, ku do të jenë edhe sekretarët e parë të partive, nuk është as e para dhe as e fundit, pse shoku Hrushov atëherë tha që është mirë që këto mbledhje të bëhen dy herë në vit, prandaj nuk është vetëm ky rast që të bisedohet, o tani ose s’ka. Është e vërtetë se gjëndja jonë është e vështirë.

Shoqja Liri Belishova: Puna është se tani çështja është e freskët.

Shoku Beqir Balluku: Që të dalim tani dhe të themi që na falni gjysmën e borxheve, na hiqni rata etj., unë nuk jam dakort, por jam dakort që të shtrohet ajo që tha shoku Enver, që neve të na ulet përqindja. Kjo është një gjë modeste. Unë jam dakort me ato teza që tha shoku Enver dhe po të ketë mundësi është mirë të bisedohet më parë me shokun Hrushov.

Shoku Mehmet Shehu: Ai mund të thotë – po mirë, si mendoni ju ? Atëherë neve i themi që kemi disa variante, po çfarë thoni ju? Këto gjëra mund t’i bisedojmë pse me shokun Hrushov do të flasim edhe për gjëra të tjera, si për kongresin e tretë të partisë etj.

Shoku Enver Hoxha: Unë mund të kërkoj të flas me shokun Hrushov.

Shoku Beqir Balluku: Po, ju mund të takoheni dhe në mes të tjerave mund t’i thuhet edhe kjo.

Shoku Koço Theodhosi: Shoku Spiro nuk ka qenë atje në vitin 1954 kur kemi kërkuar kredi për pesëvjeçarin e dytë. Atëherë ata na thanë që merni një herë këtë të pesëvjeçarit të parë dhe pastaj shikojmë pesëvjeçarin e dytë, prandaj kështu mund të thonë edhe tani për pesëvjeçarin e tretë. Unë jam dakort të bëhet ashtu siç tha shoku Enver.

Shoku Spiro Koleka: Unë kam vetëm një gjë, që kur të vijë koha për të paguar ai tjetri kërkon të paguhen. Unë jam dakort që çështja të bisedohet më parë me shokët.

Shoku Rapo Dervishi: Tani çështja u konkretizua. Unë jam dakor ashtu siç tha shoku Enver. Ne nuk mund të themi një gjë të tillë në një mbledhje ku janë kaq shtete, kurse shokut Hrushov t’i thuhet hapur se neve kemi këto mendime dhe këto vështirësi.

 Shoku Enver Hoxha: Atëherë jemi dakort që të veprojmë kështu? (Të gjithë shokët janë dakort).

Si konkluzion Byroja politike arriti në këto përfundime:

1)Në mbledhjen e ardhëshme që do të mbahet në Moskë, nga ana e jonë të ngrihen këto çështje:

a)Të na sigurohen kreditë e kërkuara dhe të domosdoshme për planin e dytë pesëvjeçar.

b) Të këshillohemi më parë në se është oportune që ne të shtrojmë në mbledhje lehtësimin e vendit tonë nga detyrimet e marra duke mos paguar fare interesa ose duke paguar më pak se 2%, duke shtytur shlyerjen nga vitet 1958-1980 që është sot në vitet 19970-1990, duke na u falur gjysma e borxheve ose ndonjë variant tjetër.

2)Gjithë materiali i komisioneve dhe i nënkomisioneve që është punuar gjer tani në Këshillin ekonomik të meret në dorëzim nga komisioni për punën e Këshillit ekonomik dhe pasi të studjohet t’i propozohen Këshillit të ministrave masat konkrete që duhen marë.

2.- Të ndryshme

a) Mbi përbërjen e delegacionit që do të marë pjesë në Këshillin ekonomik.

Shoku Enver Hoxha: Ne do të venim në mbledhjen e Moskës të gjithë, por me qenë se këto ditë do të vijë në vednin tonë shoku Kim Ir Sen, mendoj që të qëndroj këtu shoku Mehmet dhe të vemi atje unë dhe Abdyl Këllëzi.( Të gjithë shokët janë dakort. Shoku Mehmet Shehu ngarkohet të marë të gjitha masat që nevoiten për ardhjen e shokut Kim Ir Sen në Shqipëri).

b) Mbi takimin me përfaqësonjësin e Partisë Komuniste Greke.

Shoku Rita Marko: A do të caktojmë njëri për të takuar përfaqësonjësit e Partisë komuniste Greke?

Shoku Enver Hoxha: Unë mendoj që me këtë rast të pyesim atje dhe pastaj shohim.( Të gjithë shokët janë dakort).

c)Mbi intervistën e shokut Toliati

Shoku Enver Hoxha: Në lidhje me intervistën e Toliatit Sekretariati duhet të jetë vigjilent që të mos bëhen shkak përshpëritjesh, sepse atje ka një qenrim armiqësor kundër Bashkimit Sovjetik. Mirë është që më parë të bëhet një mbledhje me sekretarët e parë të komiteteve të partisë ku t’u shpjegohet se kjo është punë armiqësore, sepse tani do të fillojnë e të bërtasin radiot.

ç) Mbi largimin e Liri Gegës e Dali Ndreut nga Tirana.

 Shoku Mehmet Shehu: Për Liri Gegën mendoj që të largohet nga Tirana për gjithë këto gjëra që ka bërë.

Shoku Enver Hoxha: Dakort që të largohet.

Shoku Mehmet Shehu: Lirisë t’i themi që të transferohet për qëndrim politik. Daliun ta transferojmë në ndonjë komitet ekzekutiv.

Shokut Enver Hoxha: Daliut mund t’i thuhet për qëndrimin me Lirinë.

 Mbajtësi i proçesit

 (Sadik Myftiu)

 (AQSH/OU, V. 1956, D. 44)