Nga Andreas Dushi

Duke qenë se jemi në atmosferën e festës së ndërrimit të viteve ku fishekzjarre shumëngjyrëshe do të ndriçojnë qiellin e me dritë, do të largojnë errësirën, mjafton të hedhim sytë disa kohë më parë për të kuptuar se Viti i Ri në Shkodër festohej ndryshe prej pjesës tjetër të Shqipërisë.

Në mënyrë kronologjike, po e lidh Vitin e Ri me disa prej ngjarjeve që kanë zënë vendin kryesor në historinë e trojeve tona. Fillimisht ishte periudha para pushtimit osman. Viti i Ri në atë periudhë shihej si mbyllje e dy festave më madhështore të qytetit, Krishtlindjes dhe Shën Shtjefnit i cili ishte mbrojtësi qiellor i qytetit. Kështu festimet fillonin qysh me datë 24 dhjetor në mbrëmje, kulmonin me 25, vijonin me 26 dhe mbaronin me datë 31. Tradita e vitit të ri ishte e huazuar nga Venediku që për vete e kishte marrë nga qyteti i Milanos.

Kisha e Shën Shtjefnit

Kur erdhi Turqia, shkodranët nën petkun e Vitit të Ri fshihnin Krishtlindjen e kështu, gjoja si përgatitje për ardhjen e vitit pasrendës, fillonin e gëzonin qysh datën e Krishtlindjes, vendosur rreth vitit 340 nga Perandori Kostandin i Romës për shkak se Krishti që lind lidhet me dritën dhe data 25 është fillimi i zgjatimit të ditës në raport me natën.

Me shpalljen e Pavarësisë, në kohën e Zogut, Viti i Ri filloi të festohej për të parën herë si festë kombëtare dhe liria për të praktikuar çdo lloj besimi pa frikën e taksave apo të jetës (kujtojmë rastin e Qerim Delisë) ishte e garantuar. Në Shkodër festimet ishin si në vendet perëndimore ku organizoheshin ballo të mëdha dhe mbrëmje gala me koncerte prej koreve të përgatitur thuajse një vit më parë.

Komunizmi qe ndryshe. Vitin e Ri e mbajti si festë të vetën, ama Krishtlindjen e zhduku. Por diku gaboi: Traditat e Krishtlindjes si pemën, babagjyshin dhe dhuratat ia ngjiti Vitit të Ri e kështu ndryshoi vetëm datën, por nuk shuajti në asnjë çast dëshirën e njerëzve për të festuar.

Në fund, demokracia i çeli udhë festimeve anarkike ku qysh pas vitit të ri ’98 që u prit me breshëri automatiku, qielli shkodran ka parë festime të llojllojshme, prej atyre me fishekzjarre, deri te ato me këmbana që bien njëherazi në orën 00:01.

Burimi: Konica.al