Nga Valeria Dedaj

“Kujtimet që koha i ruan, as mosha nuk mund që t’i mjegullojë”. Me këtë shënim nis monografia, që akrobatja Vitore Sallaku ka botuar për bashkëshortin e saj, Skënder Sallakun. Teksa faktin e të qenit bashkëshortja e tij, e quan fat, sepse së bashku u bënë dy në një dhe ia dolën me sukses në çdo sfidë. Ajo na tregon se Skënder Sallaku besonte në të qenit i drejtë, jo tinëzar, në to qenit korrekt dhe krenar, prandaj gëzoi simpatinë e të gjithë popullit, duke u bërë idhulli i të gjitha moshave. Krijimtarinë e tij artistike, ajo e konsideron aq të larmishme, saqë edhe memoria të lë pa gjumë. “Fiziku e favorizonte në shumë drejtime, i lindur për të punuar e ndriçuar në shumë forma në art. Plastike, elokuencë veprimi, përshtatshmëri maksimale me rolin, ishin këto veti shumë të rralla që fati i kishte veshur vetëm atij. Ai të befasonte me energjitë që kishte”, thotë ajo. Por, zonja Sallaku gjatë një bisede me të ndalet edhe te kujtime të tjera me Skënder Sallakun, artist, prind dhe bashkëshortë, të cilat do të mbesin gjatë në memorien e saj.

Zonja Vitore, përkushtimi juaj ndaj Skënder Sallakut është konkretizuar edhe pas ndarjes së tij nga jeta, sapo keni botuar një monografi për të. Cila është zanafilla e këtij libri?

Unë kam botuar edhe libra të tjerë, por nuk është e rastësishme që u mora me figurën e Skënder Sallakut. Këtë libër kam nisur ta shkruaj para dy vjetësh, me dëshirë dhe përkushtim, por pa i thënë gjë Skënderit. Një ditë teksa po punoja në kompjuter, Skënderi m’u afrua dhe më tha: “Çfarë po bën aty?” “Asgjë, ti e di që unë punoj përherë në kompjuter”, i thashë. Nuk i tregova se po shkruaja një libër për të, por nuk kaloi shumë kohë ku ai u nda nga jeta. Prandaj tani mendoj se duhet që t’i kisha thënë në atë moment se po punoja për të.

Një libër, që nis me lojërat e tij të fëmijërisë, për të vijuar më tej me shkëndijat e dashurisë mes jush, deri në momentet e fundit të jetës…

Në këtë botim shkruaj për Skënderin që nga fëmijëria, sepse njohja jonë ka nisur që herët, për shkak të profesionit tonë që niste në moshën 7-vjeçare. Derisa jeta jonë u lidhë me një miqësi të bukur, me dashje apo padashje, ai nisi të shihte tek unë një njeri të përkushtuar ndaj punës, aq sa gjatë specializimit në Kinë një nga ata pedagogët i tha: “E shikon atë vajzë, duhet ta kesh kujdes!”. Kështu jeta e artit na bëri njerëz, artistë dhe bashkëshortë të mirë. Krijuam dhe një familje dhe mirëkuptonim njëri-tjetrin në punë, sepse në çdo turne ne ishim bashkë.

E donin të gjithë…, jeni ndier ndonjëherë xheloze për të?

Ai ka qenë një bashkëshort shumë ideal, por ka qenë i dashur me të gjithë. Është shumë e vështirë që të kesh një burrë artist, pavarësisht se unë isha artiste vet. Për shembull, kishte vajza që vinin e puthnin me zor, por edhe gra që më thoshin: “Ta puth pak Skënderin?”. Ishte një njeri që e donin të gjithë. Gjatë viteve të para të demokracisë fliste çdo ditë me studentët, (ditë dhe natë), sepse e merrnin në telefon vetëm për t’i dëgjuar zërin. Megjithatë, unë nuk kam qenë xheloze, sepse ka qenë ai shumë xheloz. (qesh) Nuk më linte që të takoja askënd, merreni me mend, nëse unë shkoja në pazar dhe vonohesha ai më sillte dikë që më thoshte: “Të kërkon Skënderi”.

Duhet të ketë ndikuar edhe biografia juaj, babanë ua kishin pushkatuar, mos ndoshta ai i druhej edhe Partisë?

Im atë, Lorenc Rasha, (profesor doktor në linguistikë), si intelektual që ishte e dinte se unë isha e talentuar për këtë profil që mora, si akrobate. Dëshira e tij ishte që të më çonte në Austri atje ku kishte mbaruar ai shkollën. Megjithatë ngjarjet ndodhën që tim atë e pushkatuan, por kjo situatë nuk ndikoi mes nesh, sepse unë isha specializuar ( në Kinë dhe Bashkim Sovjetik) në atë që bëja. Gjithashtu drejtori i Cirkut, më kishte mësuar që të isha e kujdesshme në këtë drejtim, sepse në atë kohë mund të përfundoja menjëherë në burg. Pasi u martova me Skënderin njëherë e thërritën dhe i thanë: “Çfarë do të bësh me Vitoren?” Ai u tha: “Ajo është gruaja ime, nëna e dy fëmijëve. Urdhëroni teserin e Partisë, sepse ku të jetë ajo do të jem dhe unë. Nëse keni ndërmend që t’i bëni ndonjë gjë, ne jemi bashkë”.

Po nga turnet jashtë vendit çfarë mbani mend?

Edhe në turnet jashtë shtetit kemi qenë bashkë. Kujtoj se i ofruan që të qëndronte në Amerikë dhe Zvicër, por ai nuk e pranoi asnjëherë, sepse ishte shpirti i tij ishte në Tiranë. Në Amerikë kishim disa miq, të cilët na dhanë shtëpi afër shtëpisë së tyre. Gjithashtu dhe shefi i Emigracionit na mori një natë në shtëpi dhe na tha: “Ja tek e keni shtëpinë këtu, nëse doni sillni dhe fëmijët”. Unë mora në telefon djalin, Fatosin, për ta pyetur. Ai ishte dakord. Por, të nesërmen Skënderi sa u çua nga gjumi preu biletat dhe u kthyem në Tiranë. Ai nuk pranoi të qëndronte larg Tiranës pavarësisht privilegjeve që kishim. Është e pafalshme që të të mundësojnë të punosh në Amerikë dhe të mos rrish. Megjithatë, unë nuk ja quaj gabim këtë, sepse ai e kishte mendjen vetëm te Shqipëria.

Flet lavdërimi nga policia

Gjithë jetën kemi bërë një jetë shumë të qetë, sepse unë jam shumë e qetë si natyrë, ndërsa Skënderi ka qenë shumë impulsiv. Nëse shihte njerëz duke u zënë në rrugë shkonte që t’i ndante. Nuk prishte punë nëse i ndodhte gjë për veten e vet (qesh). Madje ka marrë dhe fletë lavdërimi nga policia. Në një maketë pranë shtëpisë sonë ishin tre hajdutë që po vidhnin, policët ishin duke i shkel me këmbë, ndërsa Skënderi shkoi dhe i rrahu. Pas kësaj ndërhyrje ata i kapi policia, e cila më pas i solli Skënderit në shtëpi një fletë lavdërimi.

Mbrëmjet e vallëzimit

Unë kam qenë shumë e tërhequr gjatë mbrëmjeve të vallëzimit. Ndërsa, ai kërcente dhe të gjithë e mbulonin me duartrokitje. Kudo ishte në qendër të vëmendjes, sepse krijonte atmosferë dhe zgjidhte për të kërcyer me atë që kërcente më bukur. Kur vinte dikush tek unë i thoshte: “Ajo nuk di të kërcejë ikni, ikni”. Atij ja merrnin për shaka, nuk ja merrnin për xhelozi, por nëse unë kërceja me dikë, i binte të fikët. (qesh)

Shishja e fundit e rakisë

Qysh kur jemi martuar dhe deri në fund të jetës së tij unë kam zier dy kuintal rrush për Skënderin. Vëllai i tij ishte gjeologë dhe kur bënte raki për vete merrte dhe për Skënderin. Ende e kam shishen e fundit në shtëpi, sepse vetë nuk e kam pirë asnjëherë.

Pengu i tij, që nuk u shpall Nder i Kombit?

E vërtetë është, sepse Nderi i Kombit ose i takon atij, ose si takon askujt tjetër. Ka bërë sakrifica të jashtëzakonshme në këtë vend. Ai ka lënë kockat në Estradë. Është pak për të që t’i jepet titulli më i lartë, sepse e meriton. Nuk ka njeri që të ketë sakrifikuar sa ai. Ka bërë shfaqje me Estradën, paralel dhe me Cirkun. Shfaqje me dy pjesë. Nga fillimi në fund në Cirk dhe nga fillimi në fund në Estradë. Ka qenë njeri i sakrificës, sepse nuk mendonte për vete në atë periudhë.

Estrada këtë popull e mbajti gjallë

Estrada është prishur dhe ne nuk kemi ku të shkojmë. Bëmë një ceremoni shumë të mirë për promovimin e monografisë, por nuk kishim se ku të shkonim. Kanë bërë një gabim shumë të madh që e kanë prishur Estradën. Më vjen jashtëzakonisht keq, sepse ka qenë një institucion që ka mbajtur gjallë këtë popull, me vite dhe vite të tëra edhe në kohët të vështira. Njerëzit vinin aty dhe u binte të fikët duke qeshur. Përse duhet ta prishin? Problemet që trajtonte Estrada ishin shumë të bukura, probleme sociale. Mund të kritikoje një kryetar bashkie, një drejtor shkolle apo dikë tjetër në forma të ndryshme. Estrada nuk duhet prishej, prandaj mendoj se janë disa gjëra që duhet të vihen në vend.

Vitore Sallaku

Ai kishte aftësinë:e improvizimit, luajti pothuaj në të gjitha zhanret, luajti në të gjitha premierat, për dekada me radhë dhe gjithmonë suksesshëm. Ky ishte i përveçmi ynë. I mbrojtur nga talenti, ai i dha ngjyra reale çdo teksti, çdo interpretimi. Qofshin ato edhe barsoleta apo tregime, që i adoptonte duke i thurur me thënie popullore dhe ati merrnin ngjyra të realitetit kritik të politikës së kohës. Barsoletat që ai tregonte merrnin jehonë duke kaluar gojë më gojë, madje edhe në rastet kur ishin të tijat, shumë kollaj merrnin autorësinë e tij, pasi fama e tij e mbronte nga çdo e keqe. Por nuk duhet të harrojmë asnjëherë që risku ishte i pranishëm në ato kohëra të vështira. Skënderi fatmirësisht ishte një artist sportist i pajisur me një zgjuarsi të rrallë, i imunizuar ndaj së keqes nga simpatia që kishte në popull.

Avokatë që ngrënë të vdekurit nga varri

Sa erdhi demokracia filluan ethet e pronave, me të cilat është abuzuar e po vazhdon të abuzohet. Sot e kësaj dite ky proces nuk ka përfunduar. Shumë familje nuk kanë marrë asnjë pëllëmbë tokë nga ajo që u takon, edhe pse ka kaluar mbi gjysmë shekulli. Një nga këto është edhe familja e Skënderit. Një ditë pranvere na vjen një fletëthirrje për t’u paraqitur në Gjykatën e Rrethit, Tiranë. Skënderi i kënaqur nga kjo surprizë mendoi se më në fund po kujtohen për të ndarë pronat. Kur paraqitet në gjykatë avokati i vendos përpara një dokument. “Përse bëhet fjalë?”, pyet Skënderi. Përgjigjja ishte: “Nëna juaj ka lëshuar një deklaratë, pjesën e saj të trashëgimisë, që i takon nga pronat e patundshme të babait, ia dhuron të vëllait.” Shumë i çuditur, Skënderi pyet se kur e kish marrë këtë vendim nëna e tij.

Si ka ndodhur kjo? Avokati sqaron, në dëshminë e saj, më datë 25.1.1982. Ajo është paraqitur në gjykatë dhe ka lëshuar këtë deklarate, siç mund të shikosh dhe i tregon deklaratën. Skënderi i përgjigjet: “Pash Zotin, me gjithë mend e ke?! Vërtet?! Po më çudisni! Po ju pyes edhe një herë, me të vërtetë ka ardhur nëna ime?”. “Po”, i përgjigjet avokati, është paraqitur personalisht. Skënderi ia kthen: “S’e paskam ditë që nena ime paska qenë qejflie. Paska dalë! Pyes veten, ku ka qëndruar nëna jonë gjithë këto vite, se unë di që jam rritur pa nënë! Si nuk erdhi një herë të na takojë?” Avokati: “ç’do to thuash, mo Artisti i Popullit?! Këto janë dokumente, ajo gjë është origjinale.” Skënderi ngre zërin: “Nëna ime ka ndërruar jetë më 1938, kur unë isha 3 vjeç!”.

Biografia

Skënder Sallaku (25 janar 1935- 11 shkurt 2014) lindi në Tiranë. Fillimisht, u angazhua në artin e cirkut dhe në lëvizjen amatore pranë Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”. Në vitet 1954- ‘55 u aktivizua me grupin e Estradës së Kufirit, si aktor. Në shtator të vitit 1957, nisi si aktor në Estradën e Shtetit ku u aktivizua deri në fund të vitit 1990, kohë kur doli në pension. Gjatë karrierës së tij ka eksploruar të gjithë zhanret. Skënder Sallaku ka meritën e të qenit klouni i parë i Cirkut tonë dhe i çeljes së një rruge të bukur e të dashur për publikun. Ka interpretuar si pantonimist te “Karrigia”, “I vdekuri”, “Busti”, Boksi”, “Kuzhinieri”, “Pjatat”, “Bojaxhiu”, “Pija”, “Ariu”, “Valixhja”, “Kovat” etj. Në rolin e klounit ai është aktivizuar edhe në tablo të ndryshme akrobatike, në numra xhonglimi, numra me kafshë, kombinime biçikletash etj. Ka kryer një kualifikim njëvjeçar në Kinë, pranë Cirkut të Pekinit. Në grupin akrobatik punoi deri në vitin 1972, kur Cirku i Tiranës u shkëput nga Estrada e Shtetit. Si aktor mbahet mend në rolet: “Oreksi i madh” , “Revolja e humbur” , “Gjuetia e fundit”, “Cirku në fshat”, “Kur hiqen maskat”, “Estrada në ekran”. Në vitet 1959-‘60, ai ka dalë kampion kombëtar në mundje. Është vlerësuar me titujt: “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.

Burimi: Shekulli.com.al