Në librin e tij “Shqipëria para tre shekujsh” udhëtari i njohur turk Evlija Çelepi përshkruan përshtypjet e tij nga udhëtimet nëpër Shqipëri. Ai studioi historinë e vendit, gjeografinë, ekonominë, bujqësinë, tregtinë, industrinë, kulturën , arkitekturën, racën, gjuhën, legjendat e përrallat shqiptare. Vepra e tij ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe mbi shënimet e tij janë bazuar shumë historianë të njohur shqiptarë që kanë vlerësuar shumë shënimet e tij.

Kjo vepër ka hasur në kundërshtimin e shumë historianëve të komunizmit, të cilët nuk donin që kjo vepër e përkthyer në shqip në vitin 1930 të ribotohej në vitet e komunizmit. Përkthyesi i këtij libri, patrioti Sali Vuçiterni është quajtur armik i popullit.

Çfarë të dhënash të rëndësishme jep ai për qytetin e bukur të Vlorës.

Qyteti i Vlorës ndodhet mbi një fushë të lulëzuar me vreshta, trëndafilë, limonë, portokalle, ullinj, shegë e fiq. Qyteti ka një mijë shtëpi në dy kate, qargjir e të mbuluara me tjegulla.

Qyteti i Vlorës ka disa lagje, ndër të cilat janë lagja e xhamisë së Hynqarit, ajo e Tabakëve, e Hysen Agajt, e Mehmeqes, lagja e Tregut etj. Gjithsej ka 50 faltore, ku më me emër janë xhamia e Sulltan Sulejmanit, një xhami që bie në sy, me një kube guri të mbuluar me plumb me një minare të shembur.

Mbi portën e saj nga kibleja ka këtë mbishkrim

(Ndërtoi xhaminë në udhë të Zotit në vend të shtëpisë

Më pas Sulltan Sulejmani me famë

Zoti ia bëftë kabull, fali xhumanë.

Edhe tha këtë tempull me e datue

Drita e Zotit kësaj xhamie I ka mjaftue)

Nga deshifrimi i mbishkrimit, sipas metodës Ebxhed, xhamia është ndërtuar në vitin 949 të Hixhrit.

Qyteti i Vlorës ka tri medrese, pesë shkolla fillore e tri teqe:teqeja halvetike e Jakup Efendiut me qindra dervish avdallë, ajo e Kuzgun Babait brenda në ullishtë, etj.

Institutet e tjera të Vlorës janë një banjë e vogël, një ndërtesë e gjyqit të Sheriatit, e ngritur nga Muhamed Efendi Persiani, kur ishte Kadi, 117 dyqane me anën e të cilave sigurohet tregtia dhe artizanati i vendit, Bezisten nuk ka, pasi bën tregti me Venedikun.

Qyteti ka katër hane e tetë kroje, ndër  të cilët më me emër është kroi i Iljaz Pashës afër teqesë së Jakup Efendiut…Krojet e tjera nuk kanë ujë, pasi kanalet e tyre janë prishur. Populli vuan nga mungesa e ujit dhe është i detyruar të shkojë e të mbushë ujë deri në ullishtë. Me pak shpenzime, një bamirës mund të kënaqë shpirtrat e dëshmorëve të Qerbelasë. Çdo gjë tjetër, përveç ujit, është me bollëk, mbi të gjitha pemët, që kanë mbuluar gjithçka.

Në limanin e Vlorës e deri në Sazan gjuhet peshk i çdo lloji. Ka me shumicë qefull e levrek. Përdoret gjithashtu vaji i peshkut. Pija e rehanisë, limoni, portokalli, ulliri, fiku e rushi bëhen me shumicë. Në krahinën e Dukatit ka mjaft rrënjë të bojës së kuqe dhe ravend, që mblidhet e përdoret nga mjekësia në Francë. Zifti i kulluar i Vlorës është i pakrahasueshëm. Nqs në një gotë hidhet pak zift i ndaluar, tundet e trazohet dhe pihet uji pasi të hiqet shtresa e ziftit, me të mund të shërohen shumë sëmundje.

Në shkëmbin e Kaninës dalin gurë mulliri shumë të mirë, me pore si sfungjeri të cilat eksportohen deri në Francë. Ndërsa në ullishtet e Vlorës ka allçi, hekur e shumë metale të tjera. Vlora është qendër e këtyre metaleve.

Në bregdet ka shumë dajlane. Vlora është aq e begatë, sa mund të thuhet se ajo është një Egjipt i dytë. Mjalti i Vlorës, i cili ka një erë shumë të këndshme, nuk gjendet as në Gjirit. Mjafton vetëm një filxhan mjaltë që të përzihet me njëzet filxhan ujë dhe bëhet një shërbet i shijshëm ose një paluze.

Ndërmjet fortesës së Vlorës dhe asaj të Jengjecit, ndodhet limani i Vlorës, i cili është i madh sa mund të mbajë 1 mijë anije.

Thuhet se Sulltan Sulejmani e ndërtoi fortesën e Vlorës për të mbrojtur flotën e Vlorës që qëndronte në këtë liman. Anijet e mëdha nuk mund të afrohen në breg, por hedhin spirancat gjysëm milje larg. Ndërmjet Vlorës dhe detit ndodhet katundi i Zvërnecit.

Të dhënat më të bukura që jep Çelepiu i përkasin Sazanit

Ja ç’thotë ai:

Çdo vit, në limanin e këtij ishulli struket e dimëron flota veneciane. Ajo ka qendrën në ishull dhe çdo udhëtim e fillon prej këndej. Në jug të Sazanit e në perëndim të Vlorës ndodhet  gadishulli i Karaburunit.

Ndërmjet perëndimit e jugut ndodhet krahina shqiptare e Dukatit, me 100 katunde të pashtruar e të pabindur. Banorët e kësaj krahine janë kokëzinj e me shapka, por të vrasin nëse i quan të krishterë, megjithëse kanë ndihmuar të krishterët e Gjirit. Janë ndër burrat më trima të kombit shqiptar. Por dhe populli vlonjat nuk mbetet pas tyre për trimëri. Vlonjatët kanë dhjetë anije lufte të vetat, me të cilat i dalin zot Vlorës dhe e mbrojnë nga frëngjit. Gjysma e forcave të fortesës u nis për në luftën e Manies me këto anije.

Vlora ka ajër të mirë, por ujë të keq, ujë pusi. Banorët si meshkuj dhe femra janë të pashëm. Trimat e rinj janë rebelë e fodullë, vishen me rroba të shkurtra e të ngushta si të Algjerisë. Në shpinë veshin ihram të bardhë. Për hir të zotit duhet të thuhet se janë luftëtarë të rreptë. Shumica e tyre i lidhin kryet me çallmë dhe rrinë me kraharorin zbuluar, që u piqet e rregjet prej rrezeve të diellit. Shkurt, vlonjati është një gazi kalender dhe mik i Ehli Bejtit të Resulit, flet e këndon persisht, dhe herë ulet e ngrihet, thërret :”Ja Muhamet, ja Ali”.

Vlonjatët kanë shëndet të plotë e u shkëlqen lëkura nga ngjyra e kuqe. Perëndia qoftë razi nga të gjithë/Konica.al/ Arlinda Canaj/