10 vjet më pare, dora e ngrohtë e Ali Asllani për shkollën, nga kujtimet e një mësuesi shkodra.

Nga Pertefe Leka

Kur Ministri i Arsimit Dr.Prof.Mirash Ivanaj po zbatonte reformën arsimore,.programi bazohej në luftën kundër padijes dhe plogështisë intelektuale,dhe në luftën që pengonte lirinë e mendimit dhe kërkimin shkencor.Kontradikta që lindi ndërmjet kërkesave pedagogjike dhe aftësive konkrete të kuadrove kërkonte spastrimin e shkollës nga të paaftit dhe të papërkushtuarit duke future ligjin e kategorizimit përmes testimit.Në Vlorë ka pasur shumë mësues të ardhur nga Shkodra, të përzgjedhur nga ministria e arsimit si mësues të aftë për ta bërë shkollën sa me funksionale me programet bashkëkohore.Një gjurmë të pashlyeshme në Vlorë dhe në historinë e arsimit kombëtar ka lënë mësuesi i nderuar shkodranë Kolë Kamsi, i cili qe një shembull i përkryer për mësuesit e tjerë që erdhën pas tij.Në vitet 1930, në Shkollën Tregtare të Vlorës ishte mësues edhe Ernest Koliqi ,ku nder të tjerë i jepte mësim edhe Petro Markos.

Ministri i Arsimit, Prof.Mirash Ivanaj,i bëri thirrje ish studentit të tij,në Gjimnazin e Shkodrës,Jahja Domnorit, të shkonte atje pasi kishte larguar disa mësues të padisiplinuar. Ai i njihte mire aftësitë pedagogjike dhe organizative të ish nxënësit tij kur ishte mësues dhe drejtor i asaj shkolle.

Nga ditari i mësuesit J.Domnori mësojme se e kishte marrë në dorëzim shkollën, në skelë të Vlorës, me 80 nxënës. E kishte filluar punën vetëm me një mësuese, Varvara Miho,një zonjë shumë e nderuar. Shkolla kishte shumë nevoja por mbi të gjitha duhet të përfshiheshin edhe femijët e portit që nuk kishin frekuentuar asnjëherë ne shkollë. Me një punë këmbëngulëse arriti të regjistrojë shume nxënës që punonin ose endeshin në port.Ai arriti ta trefishojë numrin e nxënësve. Që në fillim të punës ndjeu dorën e ngrohtë të Kryetarit te Bashkise, Z Ali Asllani, cili e kishte prioritet arsimimin,emancipimin e zhvillimin shoqëror.

Duke pasë një kontigjent nxënësish të vështirë i kërkonte vazhdimisht Ministrit t’i dërgonte mësues,”dorë e fortë”,burra, por ministri kishte besim te kuadrot që kishte emëruar atje,prandaj i shkruante- po të dërgoj mësuese të afta. Kështu u rrit personeli mësimor me mësueset, Razije Kallulli (Nëna e Adriatik Kallullit), Ifet Asllani (vajza e Ali Asllanit) Hava Xhaferi,të cilat punuan me përkushtim dhe krijuan me drejtorin e shkollës një kolektiv shumë kompakt dhe serioz.

Në mes të kolektivit përmendet edhe Kadriu nga Dukati i cili bënte punën e higjenistit në shkollë. Drejtori i shkollës shkruan për te se ai na ndihmonte në kontrollin e pastërtisë se çdo nxënësi, para se të futeshin në mësim.Për këte,drejtori, kishte blerë peshqire,sapun dhe një fuçi të cilën Kadriu e mbante me ujë të ngrohtë, per t’u larë kokat e nxënësve që vinin të papastër..Për nxënësit që kishin nevojë më shumë kishte blerë makinë qethëse të cilën e bënte vetë drejtori dhe pastaj e mësoi edhe Kadriu.Ai e bënte punën me shumë përkushtim dhe ishte bërë pjesë e pandarë e trupit mësimor.Drejtori i shkollës shkruante me shumë respekt për Kadriun sa nuk e dallonte nga mësueset e tjeraMirëkuptimi në kolektiv,me mësuese të përgatitura dhe organizimi me një disiplinë shembullore bëri që shkolla të dali shumë shpejt nga prapambetja.

Drejtori punonte pa u lodhur e me sistem.Për t’i angazhuar nxënësit me punë,drejtori,Jahja Domnori,me ndihmen e Kryetarit te Bashkisë, kishte,krijuar kopshtin e shkollës ku fëmijët praktikonin,mësimet e tyre.,dhe një biblotekë modeste.,Botimet e Kolë Kamsit, 1919 “Mësime përmbi natyrën”dhe “Lulet e mendimit”ishin present për të ofruar dijet nxënësve me natyrën.
Në ditarin e drejtorit theksohet se në shkollë kishte shumë femijë të familjeve hebreje.Ata sapo mbaronin mësimin shkonin në pikat e shitjes ku i kishin caktuar prindërit,një praktikë që i stimulonte fëmijët e tyre akoma më shumë për mësim dhe fitim,që të dinin më mirë vlerat e shkollës e për ta përballuar me shpenzimet e tyre.
Interesante ishte ,njohja e drejtorit të shkollës me Kryetarin e Bashkisë, Z.Ali Asllani.
Për ate flet me një konsideratë të admirueshme,jo vetem në sjelljen e tij prej diplomati,por edhe në sjelljen e tij,si njeri i thjeshtë i punës,organizator që kontrollonte në terren detyrat e ngarkuara prej tij.

Një ditë, Kryetari i Bashkisë, Z.Ali Asllani po shkonte të verifikonte,një punë që ua kishte ngarkuar punonjësve të tij .Kur po kthehesh afër shkollës dëgjoi shumë fëmijë që flisnin me një dialekt tjetër.U ndal të takonte drejtorin e shkollës të cilin e vlerësonte për punën që kishte bërë .Në bisedë e sipër e plot humor i tha: Z.Jaho të përgëzoj për të gjitha që keni bërë, por si është e mundur që fëmijët e shkolles flasin në dialektin tuaj.Drejtori iu pergjegj..Në kopshtore është mësuese Zina Beltoja,ajo flet një shkodranishte të paster ,unë jam lidhur shumë me femijët e portit për t’i tërhequr sa më shumë pas shkollës,kështu që fëmijët së bashku me mësimet kanë pëlqyer edhe dialektin e Shkodrës, janë fëmijë shqiptarësh,Zoti Ali,kjo tregon se dialektet kapërcehen lehtë.

Drejtori në bisedë e sipër i tha : edhe ju Zoti Ali e keni pëlqyer shumë dialektin tone, kur unë shqiptoj në dialektin tim, Vlona për Vlora ju jeni shprehur,” po, sepse vlon shpirti i vlonjatit.” Por përseri me humor Drejtori i kishte thënë: edhe unë ta kam larë borxhin,Z.Ali,ta kam mësuar përmendsh “Hanko Hallen” në labçen tuaj të bukur.Kështu e gjithë biseda kaloi me humor pozitv.

Drejtori,J.Domnori komunikonte shumë mirë me Kryetarin e Bashkisë jo vetem për probleme pune por edhe në diskutime të ndryshme për kulturen botërore.Te dy njihnin gjuhët orientale,dhe shpesh ndaleshin në poetët Persianë, Saadi e Rumi,Kajami,Avicena ..Por edhe në kulturën përendimore të dy e kishin për zemër Gëten. Drejtori shkruante: Z. Ali Asllani si në bisedë edhe në poezi kishte një humor të hollë,çfarë kishte në shpirt ja pasqyronte shprehja e fytyrës,të cilën e përcillte me një buzëqeshje të ëmbel.Por kur shpërthente në poezitë e tij kundër padrejtësive ishte i rreptë dhe shpesh më kujtonte Fishten tonë të shtrenjtë

Si në zyrë ashtu e dhe në shtëpi kishte një sjellje dhe një etikë që rrallë mund ta gjeje te intelektualët e kohës. Kur me ftonte në shtëpi,bashkë me Zonjën e tij , më bënin një pritje shumë të ngrohtë dhe të kulturuar. Ishte interesante se në marrëdheniet me njerëzit ishte shumë i thjeshtë, por kur i shkonin ne zyrë i donte njerëzit me një paraqitje dinjitoze dhe me një veshje të rregullt sepse siç thoshte vetë, respektojnë institucionin

Inisiativen e drejtorit, për të hapur kurset kundër analfabetizmit për vajza dhe gra Kryetari i Bashkisë e përshendeti me entuziazëm. Ishte shumë përparimtar,shumë modern, emancipimin e gruas shqiptare e shihte me përparësi.,dhe këte e kishte shumë të qarte se këte zhvillim mund ta bënte vetem shkolla.

Në afishen e shpallur në shkollë shkruhej ( gegënisht):
”Zoja e zojusha –
Cdo punë para se m’ba duhet me ditë se si bahet, për me ditë asht nevoja që të mësohet .
Prandaj çdo nanë apo vajzë e rritshme do të mundohet të mësojë sa të jetë e mundur.Pra, për me zhdukë analfabetizmin e kësaj lagje ç’me sod asht cilë nji kurs për femna .Për këtë punë janë ngarkue dy mësueset: Zoja Hafa Xhafa e Zojusha Ifet Asllani ,për të mësue çupat e rritshme e grat që s’kanë pasë fatin me mësue në shkollë.Prandaj ata që dishrojnë le të merren vesht me to e t’urdhnojnë ditën e enjte pas dreke

Me kaq ju falnderojmë nga zemra me gjithë personelin t’im,që keni pasë mirësin me urdhnue.”(Jahja Domnori 1935)

Mbështetja që na dha Z.Ali, për ndryshimet progresive në edukimin arsimor,ishte ndihma me e madhe që i bëhej shkollës sonë.Ishte fat i madh për mua,që nepërmjet Z.Ali dhe Kadriut nga Dukati njoha Labin bujar,trim e patriot.(shkruan Jahja Domnori)

Kështu, reforma arsimore, bëri nje mobilizim të përgjithshem duke i korrur shpejt frytet e punës.Nuk ishte thjeshtë një dukuri e re për arsimin por ishte një thirrje për të punuar se bashku,në çdo skaj të vendit aty ku ishte e nevojshme; pa dallim krahine, feje, e ideje ne dobi të popullit dhe të Atdheut.Ky ishte orientimi i Ministrit të Arsimi, M.Ivanaj për Shkollën e Shtetit ose shkollën e lirë të cilën e shikonte si shkollë të Atdheut. “Shkollë të mendimit të lirë e të përparimit.Shkollën për djelmërinë e tri besimeve,për të forcue ate bashkim që vetë zoti na e ka dhanë me nje gjak,me nje gjuhë ,me nje interes,megjithëse me tre besime të ndryshme.”

Mirënjohje për njerëzit e punës,për thjeshtësinë e tyre,për përkushtimin e tyre në detyrë, për disiplinën që i karakterizon,për aftësitë drejtuese dhe urtësinë,për horizontin e gjërë arsimor dhe kulturor Ata para nesh bëhen të madhërishem.Koha dhe historia kurre s’i harron.sepse këta njerëz i duhen Shqipërisë./Njekomb.com/