Zbulohet xhamia e parë e ndërtuar në Shqipëri. Ajo u ngrit në Portën e Kalasë së Elbasanit Sulltan Mehmeti II- Fatiu.

Gjatë rrethimit të dytë të Krujës në vitin 1466, Sulltani e pa të nevojshme të rindërtojë kalanë e Elbasanit mbi themelet e vjetra të periudhës romako-bizantine. Dokument i këtij ndërtimi është një pllakë guri që ka qenë e mbërthyer në anën jugore të Portës së Kalasë. Në mbishkrimin e gjatë në arabisht të asaj pllake ndër të tjera thuhet : ” … ndërtuam këtë kala të bukur … të quajtur Yil-basan … në muajin Dhulhabe 870 brenda 25 ditëve … ” (qershor – korrik 1466).

Në sinkron me pushtimet, turqit ju përveshën menjëherë punës për ndryshimin shpirtëror. Krahas ndërtimit të mureve të kalasë, lartësohej edhe xhamia bashkë me minaren e saj.

Sipas kronikanëve, fillimisht xhamia u ngrit për nevojat e ushtrisë, por më pas ajo u shoqërua me ndërtimin e dhjetëra të tjerave të cilat do të përmbushnin objektivin e perandorisë, përhapjen e islamizmit si besim ndaj Allahut.

Shpejt në qytet u ngritën dhjetëra xhami dhe sipas rregullit islam ato ndodheshin në qendër të lagjes apo fshatit. Në fund të shekullit të XVI në Elbasan numëroheshin 37 xhami të cilat për nga numri i banorëve e radhisnin si qytetin e parë të këtij lloji në Perandori. Ato ishin edhe nga më të bukurat e kohës.

Për shekullin e XVII-të kemi të dhënat me interes të Çelebi i cili numëron 18 lagje myslimane dhe 10 të krishtera. Në qytet kishte 46 xhami, ndër të cilat më e vjetra e ajo e Mehmet Fatihut ndërtuar mbi hyrjen kryesore të kalasë 66.

Në shekullin e XVIII- të Elbasani ishte qyteti i dytë shqiptar pas Shkodrës, ndërsa sipas Salnamesë të Vilajetit të Prizrenit të vitit 1874-5 kishte 32 lagje me 25 xhami, 2 kisha 6 teqe, 2 hamame e 480 dyqane me 20000 banorë nga të cilët 3500 të krishterë 67.

Në një listë, hartuar në vitin 1930 nga Lef Nosi, në qytet ruheshin 30 xhami, listë, të cilën e riprodhon edhe Kiel, 7 nga të cilat janë edhe në një përshkrim të Vilajetit të Manastirit nga Mehmet Teufik (68).

Arsyet pse Elbasani pati këtë vëmëndje ishin disa.  Së pari, Elbasani ishte kryeqendra ushtarake dhe administrative e Turqisë në Shqipëri. Së dyti, nga ky qytet dolën një sërë strategë lufte që shërbenin në Portën e Lartë.

Së treti, kryearkitekti i Perandorisë, Sedefqar Mehmet Biçakçiu, që ndërtoi kryeveprën e kohës, Xhaminë Blu në Stamboll, ishte po nga Elbasani. Së katërti, Ilj-Basani siç e thërrasin turqit, ishte një qytet pranë vijës Egnatia, dhe mjaft tregtarë, udhëtarë, luftëtarë e poetë, bujtnin në xhamitë e këtij qyteti.

Aq i rëndësishëm u bë besimi mysliman në këtë trevë sa njëri nga imamët solli në xhaminë e Kalasë së Peqinit fijen e flokut të Profetit Muhamed. Ndërkohë komandantët, ofiqarët dhe strategët e ushtrisë u futën në garë mes tyre për të ndërtuar xhami sa më të bukura, të cilat në më të shumtën e rasteve ja dedikonin bashkëshorteve duke i vënë madje edhe emrat që ato mbanin.

Në atë periudhë kronikani Evlija Çelebiu e cilësonte Elbasanin si “qytetin e luleve dhe poetëve”. Kështu ishte një kohë ku qyteti i artë i perandorisë rrezatonte një simfoni të vërtetë minaresh e xhamish./Njekomb.com/