Balle per balle - Foto nga Aktoret Shqiptare
Balle per balle - Foto nga Aktoret Shqiptare

Filmi “Ballë për ballë”, i regjisorëve Kujtim Çashku dhe Piro Milkani, i realizuar në vitin 1979, ka në qendër të tij ngjarjet e vitit “60, posaçërisht konfliktin e madh midis detarëve shqiptarë dhe atyre rusë, në kohën e divorcit historik midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Filmi, i cili është një ekranizim i romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, ka shumë sekuenca të xhiruara në bazën e nëndetëseve në Pashaliman të Vlorës.

Regjisorët e njohur, Çashku dhe Milkani, kishin parashikuar xhirimin e skenave nënujore për t’i përcjellë teleshikuesit tensionin e vërtetë që ekzistonte në ato vite në bazën detare gjatë konfliktit ushtarak shqiptaro-rus. Realizimi i atyre skenave kërkonte domosdoshmërisht xhirime nënujore, por kjo ishte hera e parë që Kinostudio “Shqipëria e re” do të realizonte një sipërmarrje të tillë. Një vit më parë, pikërisht në Durrës, disa të rinj durrsakë kishin realizuar një shpikje që bëri mjaft bujë për kohën, jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë Shqipërisë. Në vitin 1978, vëllezërit Berberi, së bashku me disa shokë të tyre i dhanë jetë batiskafit “Rinia”. Pikërisht me këtë batiskaf do të realizoheshin skenat nën ujë të filmit “Ballë për ballë”.

Xhirimi i filmit

Një nga vëllezërit Berberi, Arbeni, rrëfen se pas bujës së madhe që bëri në atë kohë ndërtimi i batiskafit shqiptar ata u kontaktuan nga Kinostudio. “Ishte viti kur nisën xhirimet e filmit ‘Ballë për ballë’ dhe batiskafi ‘Rinia’ u duhej regjisorëve për të xhiruar skenat nënujore”,- kujton Arben Berberi.

Ai tregon se për të marrë pjesë në xhirimet e këtij filmi kanë shkuar 8 persona nga Durrësi. “Në xhirimet që janë bërë nga batiskafi ka marrë pjesë regjisori Pirro Milkani dhe komandanti i bazës detare të Pashalimanit, Dashamir Ohri, i cili ka qenë komandant i bazës në kohën e konfliktit ruso-shqiptar për flotën e nëndetëseve. Xhirimet për filmin u bënë nga thellësia, por shpesh ato vareshin nga kushtet e motit dhe forca e detit. Ne kemi qenë në Pashaliman  vetëm për të komanduar batiskafin, sepse xhirimet u bënë nga grupi që ishte caktuar nga kinostudioja. Duhet thënë se nuk patëm probleme serioze gjatë punës”,- thotë Berberi.

Sipas tij, pakkush e di se filmimet nënujore janë bërë nga batiskafi. Disa mendojnë se to janë xhiruar përmes kamerave të vendosura në nëndetëset që kryejnë manovrat në ujë, por një gjë e tillë nuk ishte e mundur pasi këto mjete lundruese nuk kanë dritare.

“Qëllimi i regjisorit Milkani ishte që të bënte sa më pak dubla. Nga obllat e batiskafit, me anë të një kamere profesionale, janë xhiruar skenat e nëndetëseve dhe daljes së silurëve. Interesant kanë qenë momentet e kapjes së lëshimit të silurëve nga kamera e xhirimit, pasi batiskafi duhej të kishte një distancë sigurie nga nëndetësja. Së bashku me Milkanin, Thomai (vëllai i Arbenit), ka zbritur vetë në thellësitë detare për të xhiruar disa nga skenat e filmit. I vetmi shqetësim i Pirros në atë kohë ishte të maste dritën me ekspozimetër, duke harruar  se ndodheshim në thellësitë e detit dhe mund të na ndodhte ndonjë gjë. Në ditët e xhirimit të filmit në bazën e Pashalimanit ka patur manovra ushtarake dhe një pjesë e skenave që janë vendosur në film janë veprime të vërteta ushtarake”,- rrëfen Arbeni.

Nga mënyra se si ishte ndërtuar batiskafi kishte kohë të mjaftueshme për njerëzit që punonin brenda tij. Bateritë e batiskafit mbanin 8 orë, ndërkohë që dhoma e vetme e tij kishte ajër për 4 orë. Batiskafi transportohej me anije, ndërkohë që fillimisht ai ngrihej nga vendi i tij në kantierin detar me vinç. Brenda dy javëve xhirimet nënujore përfunduan dhe misioni i batiskafit “Rinia” përfundoi me sukses.

Fundi i batiskafit, copëtimi për skrap

Në fund të viteve ’80, batiskafi “Rinia” qëndronte ende në ambientet e Kantierit Detar, por me kalimin e viteve ai nuk doli më për t’u zhytur në thellësitë e detit Adriatik dhe Jon. Nga ana tjetër, ndyshimi i kushteve dhe jetës në vendin tonë, bëri që batiskafi të harrohej për mjaft kohë dhe të braktisej në një cep të Kantierit Detar. Kjo gjë bëri që personat që merreshin me grumbullimin e skrapit të kujtoheshin edhe për batiskafin, i cili tashmë kishte zënë ndryshk. Megjithëse ndoshta nuk do të ishte më funksional, batiskafi nuk meritonte të copëtohej dhe të shitej për skrap. Pas kaq vitesh, vëllezërit Berberi nuk ia falin vetes faktin se nuk u përpoqën për ta ruajtur batiskafin, thjesht si dëshmi e rëndësishme e atyre viteve. Më e pakta që mund të bëhej ishte ruajtja dhe ekspozimi i tij diku, si një relike e viteve ’70, një dëshmi se pasioni për të realizuar një ëndërr u bë i mundur në një kohë që ishte e pamundur të ndërtohej një mjet i tillë zhytës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/