Nga Fatmira Nikolli

Ajo që dinit ju për mua

s’qe tjetër gjë veç shërbetosje,

ajo gunë që mbështjell shortin tonë njerëzor.

E mbase coha ishte

kthjellimi i qetë;

pengonte qiellin e kulluar

vetëm e vetëm një vulë miratimi.

O mbase ish ndërrimi përçudë i jetës sime,

zbërthimi i një plisi gacë që kurrë më s’do ta sodis.

Kësisoj kjo lëvore mbeti brumi im i njëmendët;

zjarri që s’do të fashitet

u quajt për mua: mospërfillje.

Po qe se vreni një hije, s’është hije – ajo jam unë.

Prej vetës kesh ta shkulja

e për dhuratë t’jua jepja.

(Eugenio Montale, shqip nga Zef Zorba)

Mbramje, Shkodër, vitet 1980. Qyteti i është dorëzuar natës, mbasi më herët i është dorëzuar frikës nga regjimi.

Zef Zorba ka ndez kandilin dhe mbi tavolinën e vogël prej druri pothuaj i strukun në dhomën e tij, u jep zë shqip poetëve “hermetikë” italianë. I fshihet botës së jashtme sepse e di që në pushtetin e kohës, shijet e tija letrare janë “herezi”. E ka provuar mbi kurriz hakërrimin komunist që në vitet ’40, ka njohur gjyqin, burgun, riedukimin dhe teksa stilolapsi shkruan vargjet e ndaluara burri i moshuar që e shkoi jetën nën presion, flet fjalët e vetme të lirisë. Janë poetët më në zë të përtejdetit, dhe ai merr prej tyre poezitë që e prekin më së shumti, poezitë që i flasin më së shumti, duke nxjerrë prej vargjeve gjithë çfarë kyçet në hermetizmin e autorëve.

Ka punuar me vite dhe disa prej poezive nuk kanë datë. Gjenden në fletore të zverdhura, me një shkrim të pjerrët, të ruajtura fshehurazi. Rreth një vit më parë vajzat e poetit ia dorëzuan fletoret e të atit Anna Shkrelit nga shtëpia Botuese “Çabej”. 100 poezitë e tij, të përkthyera netëve e ditëve të gjata, erdhën në shqip veçse prej dëshirës e shijes së mirë të Zorbës. Nuk qe menduar atë kohë se do ta shihnin ndonjëherë dritën. Nuk qe menduar se do të mbërrinin deri te lexuesi. “Mendohet se i ka përfunduar diku në vitet 1980. Nga teksti ndjehet që i ka lëmuar për shumë vite. Rreth njëqind poezi të tre poetëve të mëdhenj italianë të shekullit XX, Eugenio Montale, Salvatore Quasimodo dhe Giuseppe Ungaretti vijnë në shqip të përzgjedhura dhe shqipëruara nga poeti i njohur shkodran Zef Zorba, njohës e admirues i të treve.

Deri tani i kanë ruajtur si dorëshkrim fletoreje të bijat. Ne i kemi marrë një vit më parë por duke qenë se janë tre poetë nobelistë na është dashur shumë kohë, vetëm për të marrë të drejtën e botimit të tyre në shqip. Sepse Zorba ka marrë poezitë e tyre më të mirë dhe marrja e të drejtave ekskluzive të botimit është një proces i gjatë”, tha Anna Shkreli për “Gazeta Shqiptare”.

Pas një viti e gjysmë punë me to, poezitë janë gati dhe botohen nën titullin “Montale, Quasimodo, Ungaretti. Perfectum Trinum – Antologji Poetike”.

Gjatë procesit të përgatitjes së librit, është ruajtur pothuajse kudo dëshira e mbrame e shqipëruesit. Duke qenë se ai nuk jeton më, është parë me vend të mos ndërhyhet te përkthimet, në mos është dashur të bëhen njehsime, por parësore ka qenë ruajtja sa më shumë e origjinalit të lënë në dorëshkrim nga Zef Zorba. Poezitë i paraprin një parathënie e shqipëruesit, ku ai vë në dukje rëndësinë e udhës që ata do të çelnin për letërsinë moderne europiane. Të mbetura në dorëshkrim për disa dekada rresht ato po shohin dritën e botimit, në një libër dygjuhësh, me tekstin shqip e italisht përbri – mënyra ideale për të shijuar poezinë e përkthyer.

Se pse këto poezi dalin vetëm tanji nga letërsia e sirtarëve na e tregon vetë jeta e Zorbës. I lindur më 1920-ën në Mal të zi në një familje shqiptarësh, Zefi pas mbarimit të gjimnazit në Shkodër, shkon në Padova për studime më 1941. Dy vite më vonë e ndërpret shkollën për shkak të luftës. Me fillimin e instalimit të regjimit, është regjisor në Shtëpinë e Kulturës së Shkodrës, ku vë në skenë mjaft pjesë dramatike me tingëllim të qartë desident si “Juda Makabe” e Fishtës, “Armiku i Popullit” i Ibsenit etj. më 1946 arrestohet me akuzën e agjitacion e propagandës. Vuan dënimin ndër kampet e punës dhe “riedukimit” deri në vitin 1951. Më vonë punon në ndërmarrje të rrethit të Shkodrës si llogaritar deri në vitin 1980, kur dhe del në pension. Ndërroi jetë në janar 1993 në Shkodër.

DY FJALË NGA SHQIPËRUESI

Paralelizimi i këtyre tre poetëve të mëdhenj mendoj se mund të pasqyrojë zhvillimin e poezisë në Itali gjatë këtij shekulli. Sintetizimi vetëm në këta të tre sigurisht as i errëson e as i mënjanon poetët e tjerë me peshë, siç janë U. Saba, M. Luzi, V. Car- darelli, V. Sereni, P. P. Pasolini e dhjetëra të tjerë që jehojnë fort me individualitetet e veta të shkëlqyeshme. Drejt zgjedhjes së këtij triptiku nuk më shtyu gjykimi i Akademisë së Suedisë, që nderon Quasimodon e Montalen me çmimin Nobel e që ka pasë menduar të njëjtin çmim edhe për Ungarettin.

Për këtë përmbledhje më kanë shtyrë kryesisht të tjera konsi- derata, e sidomos koha e veprimtarisë së tyre, që nis thuajse njëherit (1915-1922), si dhe përpjekja e tyre e përbashkët për ripërtëritjen e poezisë në këndvështrim modern.

Shqipëruesi i këtyre vargjeve ka pasur rast të njihej që para 50 vjetësh me krijimet e tyre të para, pra në një kohë kur kritika konservatore dhe ajo e regjimit më fort e denigronte sesa e përkrahte poezinë moderne në tërësi, në rast se nuk e injoronte krejt. Sulmet e para konservatore e reaksionare u drejtuan kundër Ungarettit, kryesisht për shkak të një nga botimeve të tij të para Porti i varrosur në 1916. Thotë Ungaretti vetë: “Botimi i Sentimento del tempo (Ndjenja e kohës) sikundër botimi i pjesës së parë të Allegria (Gazmendi), po edhe Porto sepolto (Port i varrosur), janë pritur me kritika të çuditshme. Madje në të dyja rastet jam “nderuar” gjer me krijimin e revistave letrare thuajse vetëm e vetëm për të më luftuar.”

Jo shumë i ndryshëm ka qenë qëndrimi i kritikës ndaj Montales e Quasimodos, megjithëqë më pak shpotitës, për shkak se fishekët po harxhoheshin të gjithë kundër Ungarettit duke pandehur se me “vrasjen” e këtij do të vritej “hermetizmi” i përqafuar nga të tre. Gjithashtu krijimet e para të Quasimodos e të Montales, ndonëse “hermetike” e “esencialiste”, dukej sikur nuk binin në kundërshtim të hapur me traditën.

Kjo antologji është e pamjaftueshme për pasqyrimin e veprës poetike të të treve apo për paralelizimin e tyre, pasi veç së vërtetës “traduttore-traditore”, edhe vetë metoda e antologjizmës është dashtë e pa dashtë vullnet i përzgjedhësit e njëfarë shkrandjeje e veprës totale të autorit. Nga fraksionarizimi ka rrezik që “poeti-njeri” të paraqitet me reflekse jo të qenësishme nga e gjithë prodhimtaria e tij. E mbara do të ishte të jepej shqipërimi i plotë i veprës poetike të çdonjërit. Po kujt ia mban? Mua jo. Megjithëse të tre cilësohen me titullin përmbledhës “poetë lirikë”, po të bazoheshim më fort në rrymën dhe formimin e secilit, do të quheshin vetëm “poetë”. Kjo pasi çdo libër i tyre ka një organicitet rigoroz. S’mund të veçohen pjesë pa cenuar integritetin e veprës, dramës, afreskut a simfonisë. Librat e tyre s’janë një përmbledhje e thjeshtë poezish, por një vepër e plotë në vështrimin e mirëfilltë aristotelian. Thotë Ungaretti për librin Allegria: “Ky libër s’është veçse një ditar. Autori nuk ka ndonjë ambicie tjetër dhe beson se edhe poetët e mëdhenj s’kanë pasur pikësynim të ndryshëm, posë që të linin një biografi të bukur të vetën”.

Prandaj edhe librat e tyre mbajnë që në titull këtë karakteristikë ditari. Klasifikimi i veprave poetike të këtyre poetëve s’është i thjeshtë. Rruga e revolucionit artistik i ka çuar ata në zbulimin e metodës “hermetike” ose “esencialiste” të thelluar deri te fjala, rrokja, pauza.

Kritiku A. Gargiulo thotë: “Duket sikur fjalës i është kthyer virgjëria fillestare… Hyjnë në fuqi vlerat e ritmeve, pauzave e ndoshta më shumë vlerat fonike ‘evokuese’…”. E tillë ka qenë aspirata e artit të ri, e “ésprit moderne”: me fuqizue shprehjen poetike duke e zhveshur nga superstrukturat që po e mbysnin; poezia si shprehje artistike e “homo sapiens” duhej çliruar prej mërtisjesh të verbalizmit të një rutine të pezmatuar. Burizanë të kësaj domosdoshmërie, që në shekullin e kaluar, u bënë Lamartine e De Vigny, Leopardi e Pascoli, Heine e Rilke, Shelley e Byron etj. Ai kushtrim u kap shpejt e kryekreje në Francë: Beaudelaire e Verlaine në poezi, Degas e Renoir në pikturë, Debussy e Strauss në muzikë. Në vazhdën tyre vërshimi mori dhenë: Mallarmé e Rimbaud, Picasso, Stravinski e qindra të tjerë. U shfaqën rryma e shkolla të reja, Futurizëm e Kubizëm, Psikanalizë e Ekzistencializëm, muzikë xhaz e dodekafonike. U qëmtua çdo fushë me zhdrivillime marramendëse e ndonjëherë, medet, edhe me anarkizma të çmendura. U mobilizuan talente novatorë, artistë që hiqnin zor, por qëlloi që me rrymat e vrullshme u përzjenë edhe mitomanë, snobë, intelektualoidë, qyrravecë. Për shkak të tyre në mjaft raste u vështirësua dallimi i gurëve vërtet të çmuar e sidomos iu hap goja konservatorëve, të cilët duke u mbështetur në të tilla shfaqje sporadike gjetën rastin të hidhnin helm mbi tërë artin modern. Koha dhe historia i fshinë kërpudhat që i mbinë modernizmit, duke i detyruar kritikët mallkues të reshtnin zërat e tyre përçmues.

Kështu u zhvillua e më vonë u fashit kritika ndaj hermetizmit.

Sot poetët e kësaj rryme kanë hyrë në tekstet shkollore, janë bërë objekt studimesh të thelluara dhe veprat e tyre botohen, ribotohen e përkthehen në gjuhë të ndryshme. Gjysmë shekulli më parë mjaft studiues shfaqnin dyshime rreth qëndrueshmërisë së poezisë moderne. Duke marrë shkak nga tipari dekadent i saj, nga parazitizmi që po i zhvillohej përreth e nga njëfarë rënieje të përkohshme që sollën zhgënjimet e Luftës së Parë, veçanërisht për Italinë, disa kritikë shpallën me solemnitet fundin e modernizmit në poezi. Paçka gjithë parashikimeve mortore të tyre, arti modern u estetizua, u konkretizua e u përhap gjerësisht. Këtë u detyruan ta pranojnë edhe kritikë me peshë, si Francesco Flora i cili deklaroi: “Megjithatë poezia esenciale hermetike o sido të quhet i pëlqen lexuesit modern”. Në mbrojtje të poezisë moderne u ngritën studiues e filozofë të ndryshëm. Benedeto Croce sintetizoi: “Për poezinë, zeroja ekziston”. Kështu lulëzuan kalibra të rinj poetësh. Tani arti modern s’ishte më një zë në shkretëtirë, një mirazh, porse realitet sublim i pamohueshëm.

Burimi: Gazeta Shqiptare

Advertisements
Advertisements