Publikun shkodran nuk e ndërron me asnjë publik tjetër në botë. Aktorja e madhe e humorit Zyliha Miloti e cila vetëm pak ditë më parë u prit me duartrokitje nga publiku i kryeqytetit ashtu si e gjithë trupa e Shkodrës në shfaqjen “Gomari i Babatasit”, rrëfen kështu në një intervistë për “Rreze Dielli” dashurinë e saj të pamatë për qytetin ku u lind e u rrit.

Me publikun e Shkodrës nuk vej asnjë publik në botë e jo në Shqipëri, po edhe këtu ka shumë shkodranë.

Ende pa mbushur 14 vjeç, Miloti u paraqit për herë të parë para publikut si një këngëtare e vogël shumë e talentuar. Ndërsa si aktore humori, filloi në moshën 20 vjeçare në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës, pranë teatrit “Migjeni”. Me një gjysmë shekulli karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe me më shumë se 250 premiera shfaqjeje, sot aktorja 72 vjeçare shpreh keqardhje që Shkodra nuk ka më autorë dhe regjisorë të humorit.

Sot humori është krej ndryshe, problemet janë krejt të tjera. mendova se në vitet 90 do shkruanin më shumë. por ndodhi ndryshe. ne nuk kemi në Shkodër ma shkrimtarë të humorit. skemi autorë por as nuk kemi regjisor, jemi keq në këtë drejtim në Shkodër. ne si estradë. fatkeqësia është që vijnë me studiu në Tiranë, por nuk vijnë në Shkodër.

Varieteja është gjithmonë e bukur por koha ka ndryshuar.

E vlerësuar për talentin e jashtëzakonshëm, Zyliha Miloti është padyshim një nga artistet më të mëdha që ka Shqipëria. Shkëlqimi i saj si aktore nuk kornizohet veç në zhanrin e humorit, por shkon edhe përtej tij me role te shumta filmike dhe teatrore.

Unë jam në pension por punën nuk e kam lënë e nuk do ta lë deri sa të kem frymë. Jemi pak të shqetësum se nuk po dalin talente si dikur në Shkodër, skena ka nevojë për aktorë të rinj e të reja. kemi mbet pak, se shumë prej artistëve ose jan larguar ose nuk jetojnë më.

Partnere e parapëlqyer e aktorit të mirënjohur, Tano Banushi dhe e Zef Dedës me të cilin ka luajtur shumë pjesë në Estradë, për shkodranët por dhe të gjithë shqiptarët anembanë botës, Miloti mbetet e papërsëritshme në karakteret e interpretuara plot pasion gjatë gjithë karrierës së saj.

A e din Drini dhe Lulebora se çfarë gjyshe kanë, a janë të vetëdijshëm ata për famën tënde?

Mbesa i thotë -nuk e ndërroj Shkodrën me ta fal gjithë Gjermaninë.

Edhe pse është ndër ikonat e humorit shqiptar, Zyliha Miloti të befason duke thënë se shpirtin e ka tek drama.

E kam shpirtin tek drama, nuk trembem çfarëdo roli që me m’dhanë.

Një artiste që prej dekadash ka marrë vlerësime të shumta nga publiku dhe kritika, por mbase jo të gjithë titujt e merituar që sot po i marrin pa kriter artistë shumë më të rinj. Megjithatë Zyliha Miloti s’ka asnjë peng, sepse publiku është vlerësuesi më i mirë.

Sot po marrin tituj me garuzhde por populli është gjykatësi më i mirë.

E paarritshme në skenë, gjithmonë e respektuar dhe modeste, Zyliha Miloti është një artiste me botë të pasur shpirtërore.

Televizionin tuaj e ndjek shumë, lajmet i ndjeki me qënë e informuar. Situatën në Shqipëri e shoh gjithmonë me shpresë. presim ma shumë, papunësia zgjidh shumë probleme tek populli. mdodhin shumë gjana kur s’është ekonomia në rregull.

E bukur, e hijshme, me një buzëqeshje rrëzëllitëse, 72 vjeçarja nuk e ka humbur nurin e saj prej “zoje të randë” sepse Zyliha Miloti kujdeset për të bukurën në çdo detaj të jetës edhe pse ka kaluar shumë vështirësi në jetë.

Burimi: Shqiptarja.com